Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka marrë arratinë, por Kryeministri Edi Rama vazhdon aferat me mikun e përbashkët Geri Kuka! Më datë 19 korrik 2023, Rama ka firmosur super dhuratën për oligarkët Geri Kuka, Agim Zeqo, i njohur si “Gimi i Redbullit” dhe Ilir Shtufin. Biznesmenët e mësipërm janë lidhje të korrupsionit, sidomos Geri Kuka është nyja lidhëse që qarkullonte dhe konvertonte paratë e inceneratorëve në vila për Arben Ahmetajn.
Vendimi që firmosi Rama
Disa muaj më parë, Gijotina.com ka publikuar një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, përmes të cilit i jepeshin 10,000 m² në Korçë biznesmenit Agim Zeqo. Vendimi është dhënë me datë 1 shkurt 2023 nga Komiteti që drejtohet nga vetë Rama. Teksti u mbajt i fshehtë dhe është publikuar së fundmi, pasi ka kaluar në mbledhjen e qeverisë.
Në mbledhjen e drejtuar nga Edi Rama, më datë 19 korrik 2023, është firmosur VKM-ja me objekt “Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronës së paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale që i bashkëlidhen këtij vendimi””.
Me pak fjalë, “Gimit të Redbullit”, Gerit të Ahmetajt dhe Ilir Shtufit mikut të Veliajt, i dhurohet nga Rama ky truall i shtetit.
Aty parashikohet të ndërtohet hoteli “Green House Korça Resort”, përmes firmës “Investment and Development Albania, e cila është pronë e tre biznesmenëve të përfshirë në shumë skandale dhe afera korrupsioni.
“Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C”, thuhet në vendim.
Sipas databazës së QKB, kjo kompani zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, ish-presidenti i sport klub Skënderbeu, që është aksioneri më i madh me 40 % të aksioneve dhe ortakët Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi, të cilët kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve. Të gjithë janë sipërmarrës që kanë përfituar fonde qyl nga taksat e qytetarëve, duke përdorur lidhje që kanë me qeverinë.
Përfitimet
Qeveria është angazhuar që, përveç faljes së tokës, “të asistojë kompaninë edhe në kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike”. Po kështu, investimi përfiton asistencë nga shteti në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Ndërkohë që paralelisht atij i mundësohet lidhja me rrjetin elektrik, atë të ujësjellësit si dhe kanalizimet e ujërave.
Më tutje në vendim përcaktohet se investimet për këtë resort do të jenë me afat 4-vjeçar. Dhe pritet që të investohen 18 milionë euro për ndërtimin e hotelit. Ndërsa bie në sy se godina do të ketë 94 dhoma dhe parashikohet të ketë 94 punonjës.
“Kompania “Investment and Development Albania” do të investojë mbi 18 milionë euro për ndërtimin e një strukture turistike elitare të quajtur “Green House Korça Resort”. Ky projekt përmban një hotel me 5 yje, me kapacitet total prej 94 dhomash. Restorante, bare, SPA etj si dhe parashikon të punësojë 94 vetë në këtë resort. Sipas projektit, hoteli që do të ndërtohet do të menaxhohet nga brandi i njohur ndërkombëtar i hoteleve “Acor””, thuhet në vendim. Epo përfitime të tilla kolosale veç vetëm Rama mund t’ua jap miqve të tij “strategjikë”.
Miqtë e Ahmetajt, që Rama i shpërblen me troje e leje
Më rëndësishmi është biznesmeni Gerian Kuka, i cili rezulton se ka marrëdhënie kontraktuale që nga viti 2014 me Arben Ahmetajn, për dhurimin e vilave në Palasë dhe Hamallaj.
Të paktën prej vitit 2014, thotë SPAK, bazuar në dosjen prej afro 320 faqesh, përsa i përket relacionit të prokurorisë së Posaçme (bëhet fjalë për “bosin e fiskalizimit” me kompaninë e AE Distribucion) Geri Kuka. Që prej vitit 2014, Kuka ka kontakte intensive me ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj. Kuka ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale, me një investim 13 mijë metra katrorë në zonën e Palasës, nga aty ka prodhuar vilën Sofia në Hamallaj e cila më pas është përfituar nga familja dhe bashkëjetuesja Erjola Hoxha, që tashmë është sekuestruar.
Në shkurt të vitit 2014, miku i ngushtë i Arben Ahmetajt, biznesmeni Gerian Kuka firmosi një kontratë sipërmarrje për ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi si pronar i 13 mijë metrave tokë. Referuar kësaj kontrate që shihni, ai do të përfitonte 22 % të sipërfaqes ndërtimore.
Por, në vitin 2018, kontratës i bashkëngjitet një shtojcë.
Aty palët bien dakord që në marrëveshje të përfshihet edhe një vilë në kompleksin në Hamallaj që ndërtohej nga e njëjta kompani. Për vilën thuhet se kompania do të kompensohej nga investitori.
Dhe në fakt, ashtu ndodh zyrtarisht. Në 19 Nëntor 2021, firmoset kjo kontratë për blerjen e vilës nga miku biznesmen i Ahmetajt, Gerian Kuka. Prona blihet për vlerën e 174.650 euro. Një vlerë e papërfillshme për një vilë luksoze me sipërfaqe ndërtimi 221 metër katror dhe oborr 521 metra katrorë
‘De facto’ porositësi rezulton biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në këtë email, i cili gjendet edhe në kompjuterin e Zotos, të sekuestruar nga SPAK, kompania ndërtuese njoftonte në 20 Qershor 2017 biznesmenin Zoto për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022. E njëjta që me letra u ble nga Gerian Kuka, por me pronar fundor Arben Ahmetajn.
“I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë tju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘vala Mar Residences”
Disa muaj më vonë, në 22 nëntor të vitit 2017 punimet për vilën përfundojnë. Kompania ndërtuese i adreson një tjetër email biznesmenit Zoto ku e ftonte të paraqitet për të marrë në dorëzim vilën e tij. Pra, të njëjtën që figuronte në emrin e biznesmenit Gerian Kuka.
“I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial “Vala Mar Residences” në Hamallaj”. Pra, Zoto është porositësi i vërtetë.
Në 31 Mars të vitit 2022, Gerian Kuka ia shet vilën shtetases Erjola Hoxha. Fjala është për partneren e Arben Ahmetajt me të cilën nuk ka celebrime. Pra, i njëjti person që rezultonte edhe në faturat e hoteleve të mbuluara nga Klodian Zoto. Vlera e shitjes së vilës F.022 është 220 mijë euro.
Pra, Gerian Kuka, miku i Ahmetajt që dilte në oktapodin e kompanive të ish-ministrit, i shet vilën bashkëshortes së tij.
Vetë Kuka, i pyetur në SPAK, ka pranuar njohjet dhe bashkëpunimet me Ahmetaj dhe Zotajn.
Nga deklarimet që ka bërë Kuka para hetuesve, pranon njohjet me Ahmetaj dhe Hoxhën, po ashtu edhe me Klodian Zoton, për të cilën SPAK thotë se hetimet nuk do të ndalen përsa i përket aferës së inceneratorëve. Po ashtu, hetimet vazhdojnë edhe përsa i përket tenderëve që la përfituar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, aty ku së bashku me Zoton, rezulton se Gerian Kuka ka përfituar tenderin e OSHEE për sahatet elektrik.
Kuka vet ka dhënë deklarime, ndërsa SPAK ndodhet në fazën e verifikimeve pasurore, por edhe të transaksioneve të dyshuara në marrëdhënie mes biznesmenëve dhe zyrtarëve shtetërorë.
Gimi dhe Geriani, pronar të bregdetit në Himarë
Në listën e afishuar nga Kadastra në fund të vitit të kaluar, ku shpallen pronarët për 140 numra pasurie, dominonte projekti “Green Coast”, biznesmeni Artan Dulaku, kompania “Rinia 04” në pronësi të Juljan Morinës, biznesmeni Gerian Kuka i cili është njëkohësisht edhe ortak në një firmë ndërtimi me sipërmarrësin Agim Zeqo.
Përfituesit më të mëdhenj të listës së afishuar rezultojnë projekti “Green Coast” me 31 parcela dhe 173 mijë metra katrorë, Neritan Hazizaj me 15 parcela dhe 90 mijë metra katrorë, Artan Dulaku me 9 parcela dhe 63 mijë metra katorë e Gerian Kuka me 13.000 metra katrorë nga 7 parcela.
Miku i “El Chapos” dhe i Veliajt
Ortaku tjetër i shpërblyer nga Rama me tokën e shtetit në Korçë, është Ilir Shtufi. Ky është oligarku që do të ndërtojë kullën mbi lulishten pas Teatrit të Operas, pallate edhe tek Garda e Republikës, me para të pista në pronën publike.
Kulla e fundit që u prezantua nga Edi Rama dhe Erion Veliaj “Tirana Multifunctional Center”, do të ndërtohet nga Ilir Shtufi, i përfolur sipas mediave si ortak dhe bashkëpunëtor i ngushtë i një prej bosëve shqiptar të kokainës në Spanjë, i njohur edhe si ‘El Chapo’.
Ilir Shtufi është gjithashtu kunati i Mark Lulit, biznesmen ndërtimi në Tiranë me të shkuar të zezë në Itali, i lakuar për pastrim parash me kompanitë M. C. INERTE, Ferro Beton & Construction Co, ‘Luli shpk’, “Dushku S. A”, M.C INERTE LUMZI, M.C. ENERGJI GOJAN, ‘Nova Construction 2012” etj.
Shtufi është një ndër biznesmenët e preferuar të Veliajt në fushën e ndërtimit, i cili ka marrë leje dhe ka pallate në arteriet kryesore të Tiranës me firmën “Nova Construction”. Ky i fundit po zhvillon 5 godina të reja në Kashar me sipërfaqe totale ndërtimi 50 000 m2. Godinat do të funksionojnë si hotele dhe rezidenca.
Ndërtues i subjektit është kompania “Luli shpk” e kunatit të tij Mark Lulit, oligarkut që do ndërtojë edhe kullën “Mountain of Tirana” në qendër të kryeqytetit, e cila do të jetë më e larta në Shqipëri.
Kompania e ndërtimit “Nova Construction” përfituese e një numri të madh tenderësh publikë nga Bashkia Tiranë dhe është kliente personale e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Ky ndërtim në qendër të Tiranës do të “forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin tonë”, është shprehur Veliaj.
Kjo kompani gjatë viteve 2019-2022 ka përfituar transaksione nga Thesari i Shtetit në vlerën mbi 11 Miliardë lekë.
Vetëm nga bashkia Tiranë, kompania e Ilir dhe Kujtim Shtufit ka përfituar miliarda lekë, nga taksat e qytetarëve të Tiranës në bashkëpunim me kompani si “Alesio 2014” e Pashk Rrapit apo “Ante Group” e Bardhjus Bushajt, “FERRO Beton” dhe “MC Inerte”, për punë publike për llogari të Erion Veliajt. Janë 20 kompani të regjistruara në QKB, ku Ilir Shtufi shfaqet si pronar ose aksioner.
Në rastin e fundit, në resortin e miratuar nga Kryeministri Rama, pavarësisht se shfaqet si aksioner me 30% të investimit, Ilir Shtufi është administrator e ndërmarrjes.
Firma e Edi Ramës në VKM-në në favor të Geri Kukës, lidhje korrupsioni e Arben Ahmetajt, tregon se kryeministri ndodhet në krye të piramidës së transaksioneve të pista me këtë rreth të ngushtë oligarkësh!
Lexo edhe:Rama i fal 10,000 m² tokë/ “Gimi i Redbullit” shpallet investitor strategjik në Korçë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post