Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, rrezikon të dënohet me 1 vit heqje lirie, pas pretencës së dhënë nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK ka kërkuar që Shkreli të shpallet fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, duke argumentuar kërkesën e saj në përfundim të shqyrtimit të provave gjatë procesit gjyqësor.
Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Gjykata do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e SPAK apo do të japë një vendim tjetër për çështjen në ngarkim të kryebashkiakut.
Për çfarë akuzohet Shkreli?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë fushatës zgjedhore, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë.
SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për shqyrtim gjyqësor.










Discussion about this post