Nga Besnik Dizdari
Mbas plot 73 vjetëve, 17 shtator 1950, Shqipëria po shkon në Pragë të Çekosllovakisë, natyrisht sot me një mendje tjetër. Në atë premierë çekosllovako – shqiptare të asokohe, Shqipëria e trajnerit Ludovik Jakova pati humbur 0-3, ndonëse rezultati nuk i përgjigjej realitetit të ndeshjes. Dy vjet më vonë (1952), në Tiranë, do të mbërrinte një Çekosllovaki tash krejt tjetër, për t’iu dorëzuar Shqipërisë së “vogël” deri aty ku assesi nuk i shkonte nëpër mend: në dy humbje të rrufeshme, 2-3 e 1-2, brenda një jave.
Këto kanë qenë nga ngjarjet më të bujshme të historisë së Kombëtares së Shqipërisë, sepse po mbërriheshin përballë një prej skuadrave më historike të Europës, madje nënkampione e botës në Kampionatin Botëror të Futbollit në finalen dramatike 120-minutëshe me Italinë (1-2), atë të Romës më 10 qershor 1934.
Ndeshjet e Tiranës, kuptohet, janë miqësore, por ndeshjet miqësore të viteve ‘50, ishin ndoshta edhe më të rëndësishme sesa ato kualifikuese të sotme. Nuk mund të harrojmë se nuk kishte filluar ende kampionati i Europës dhe as Kupat e Europës midis klubeve. Kësisoj, këto ndeshje vetvetiu merrnin një rëndësi të madhe sa sportive e po aq edhe të një politike, më saktë të një gjeopolitike, sidomos këto midis vendeve komuniste, të cilat sapo i kishte “themeluar” përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Në historinë tonë, këto dy fitore të mëdha, për çudi kanë kaluar gati si të zhdukura, ndonëse Tirana e Shqipërisë 1952 ka ushtuar falë tyre. Në këto ditë të vitit 2023 pragndeshja e “EURO 2024”, me atë që sot quhet Republika Çeke, pra jo Çekosllovaki – janë bërë tri dekada që Sllovakia e shkëputur është shtet më vete – po bëhet nxitje për tregimin për herë të parë të kësaj historie, për të cilën jam i sigurt se, sidomos brezi i ri, di shumë pak ose nuk di asgjë.
ISHTE TRAJNERI 33-VJEÇAR, MYSLYM ALLA…
Ajo ka qenë Shqipëria e një trajneri të ri, 33-vjeçar, me emrin Myslym Alla.
Cili ishte ky trajner i ri, që krejt papritmas, mbas dy humbjeve katastrofike 12-0 me Hungarinë dhe 6-0 me Rumaninë, po i dhuronte kombit të tij këtë kthesë historike madhështore të Kombëtares?
Për të mbërritur te personaliteti historik i portretit të tij, më duhet të shkoj te “Libri i Kombëtares” (2001), për të rikujtuar rastin e rrallë kombëtaras të Myslym Allës. E, asokohe të vitit 1952, natyrisht nuk mund të parashikohej që ky njeri do të bëhej një nga trajnerët më në zë në historinë e futbollit shqiptar. Është fjala për një zotni të nderuar të qytetit të Tiranës, më mbas një korife i futbollit të skuadrës më të famshme të vendit, 17 Nëntori (Sport Klub Tirana), një protagonist i madh, siç do të mbetej, i paharrueshmi, Myslym Alla. Por jemi në vitin 1952, kur për aq pak kohë në krye të Kombëtares së Shqipërisë, vetëm në pak ditë, ky trajner i sapoemëruar do të mbërrinte befasisht në dy fitore ndërkombëtare aq të bujshme.
Herët, më 1936, vetëm 16- vjeçar, ai do të bëhej kampioni më i ri në historinë e futbollit shqiptar. Ka qenë 5 prill 1936 kur një nga themeluesit e edukimit fizik të rinisë shqiptare, pedagogu Alush Lleshanaku – më pas figurë legjendare në historinë e luftës në përmbysjen e komunizmit shqiptar – tash në rolin e gjyqtarit të futbollit, do të bënte me dorë nga qendra për golin e parë të ndeshjes Dragoj i Pogradecit – SK Tirana. Ishte java e parë e Kampionatit të 6-të Kombëtar, teksa ai ka shoqëruar me sy një adoleshent disi të gjatë, të hollë e me trup atleti, i cili kryeulët është kthyer mbrapa kur mbi të janë zgjatur përqafimet përgëzuese të të gjithë “veteranëve”, tash shokë të tij të skuadrës. Ky gol i tij, ndonëse me atë forcë që kishte Sport Klub Tirana, nuk ishte diçka e veçantë, çmohej fort për shkak se ishte goli i një debutuesi.
Në atë ditë të Pogradecit, Alla i ri kishte në krah Dake Kusin e Adem Karrapicin, Hot Mirditën e Bik Jakovën, Mark Gurashin e Hajnalin; e më mbrapa Hobdarin, Foto Jankun, Çokun e Himën. Ishte si një pagëzim kuptimplotë me futbollin. Atë ditë Sport Klubi ka fituar 5-0. Myslym Alla, 16-vjeçar, i ka luajtur të gjitha ndeshjet, madje ai ka mbetur në 11-sh edhe në pjesën e dytë të kampionatit kur ka ardhur Lushta i paarritshëm. Në fund, ka pasur në arkiv edhe 6 gola të shënuar. Ka luajtur fare pak më 1937, por medaljen e kampionit e ka fituar përsëri.
Mandej ka përcjellë Lushtën te Bari, ka njohur mirë Italinë kur shkoi e ndoqi mësimet, u internua për pak kohë prej nazistëve jashtë vendit, u kthye në Shqipëri pas luftës, shkoi student në Beograd për kulturë fizike – studime, të cilat i përfundoi në Sofje, duke u specializuar posaçërisht për futbollin. Dhe më 1954 do t’i jepte Partizanit si trajner, titullin e kampionit të Shqipërisë, duke u bërë njeriu që ndërpriste titujt e pandalshëm të Dinamos…
Por kjo, ashtu si arritjet e tij madhështore me 17 Nëntorin e viteve ‘60, është një histori për një herë tjetër…
Në krye të Kombëtares së Shqipërisë, çuditërisht Myslym Alla do të mbetej gjithnjë i rrallë, tepër i rrallë. Ai do të ishte vetëm 5 herë trajner i Kombëtares së Shqipërisë, madje disi spontanisht dhe në një emërim gjithmonë të befasishëm. Në këto 5 ndeshje në krye të Shqipërisë, ai do të fitonte dy prej tyre, duke mbetur në bilance kësisoj tërësore, thuajse pa rivalë. E, për fat, do të ruajë në histori rastin pa precedent për të qenë trajner i Kombëtares së tij dy herë në një interval largësie prej 20 vjetësh. Ky ishte dhe absurdi i befasisë së tij. Ai bëhej trajner vetëm kur në ditë diskutimesh të ashpra, papritmas dikush kujtohej për të…
Kështu ngjau në atë 1952-sh mbasi kishin kaluar 800 ditët e Shqipërisë pa kombëtare.
“Burgosja” e Kombëtares për dy vjet radhazi, qysh nga 5 tetori 1950 kur me 0-6 të Bukureshtit prej Rumanisë ishte mbyllur turneu famëmadh i arratisjes së Bule Vathit e Bahri Kavajës, kishte lënë pasojat e saj të rënda. Po tashmë shteti donte ta rikthente atë. Dhe dihet që, në Shqipërinë komuniste, edhe rikthimet sportive ndodhnin në ditë festash. Në mënyrë të veçantë kur fjala ishte për 29 Nëntorin “çlirimtar”, i cili nuk duhej të lihej gati asnjëherë pa një futboll të demokracive popullore.
Pikërisht me synimin për te ky 29 Nëntor 1952, guxohet dhe i bëhet një ftesë Çekosllovakisë, e cila në të vërtetë, nuk është dhe aq fort gati. Arsyeja? Thjesht ngaqë një muaj më parë, më 19 tetor 1952, ajo ishte mundur 5-0 prej Hungarisë legjendare të Pushkashit, Bozhikut, Koçishit, Hidegutit e Ciborit.
Mirëpo, ja që miqësia komuniste e të ashtuquajturave “demokraci popullore” ishte tejet vendimtare në këto vite. Federata Çekosllovake e Futbollit bindet të sendërtojë një Kombëtare të mbështetur thuajse e gjitha te formacioni i skuadrës së klubit Sokol Sparta CKD Praga, që nuk ishte askush tjetër përveçse skuadra e famshme Sparta e Pragës e saposhpallur (1952) për herë të 9-të Kampione e Çekosllovakisë. E vërteta ishte se Kombëtarja e Çekosllovakisë, e tronditur prej humbjes me Hungarinë, me sa dukej, po kërkonte ndryshime. Dhe po i “gëzohej” ftesës së Shqipërisë.
Ajo mbërrin në Tiranë me në krye qendërmbrojtësin, kapitenin Vaclav Jira (1921-1992), i cili më vonë, nga 1978 e deri më 1992, do të jetë zëvendëspresident i UEFA-s, teksa nuk mungojnë ndërkohë dhe emra të tillë të tjerë të shquar si Novak apo portieri Hanaçek.
Myslym Alla ishte vetëm 33 vjeç, duke u përsëritur edhe në rastin e tij kjo moshë “fatale” gati për të gjitha debutimet e trajnerëve të Kombëtares. Nuk bën revolucionin, ndonëse kishin kaluar më shumë se dy vjet që Kombëtarja nuk ekzistonte. Ai ruan mendjen e ftohtë të specialistit, pa shumë përvojë, por të arsimuar bash mirë.
E pra, çka do të mund të bënte ky trajner i ri përballë kësaj Çekosllovakie të një futbolli të rangut të lartë europian e botëror?
Dhe vendos të mbështetet te “të vjetrit”, sepse e kupton që katastrofat e dy vjetëve më parë, përveç të tjerave, kishin ndodhur edhe për shkak të rënies së papërshkrueshme psikologjike të skuadrës prej arratisjes së Bahri Kavajës e Bule Vathit.
Ka vetëm tre debutues, Muhamet Vilën – tashmë dyshja e gjysmëmbrojtjes së Dinamos, ajo Shaqiri/Vila, bën ligjin në kampionatet e Shqipërisë – dhe Fadil Voglin e Partizanit. Ndërkaq, për sulmin Myslym Alla bëhet trajneri që i dorëzon për herë të parë fanellën e Kombëtares djaloshit Refik Resmja, njeriut që do të sundojë fushat shqiptare të futbollit për mbi 10 vjet. Në të vërtetë, Refikut ia kishte dhënë më parë këtë fanellë sovjetiku Boris Apuhtin në një ndeshje gati të ngjashme më 1951 në Tiranë: Shqipëria – Spartak i Moskës 1-1, kur emrat rusë kishin qenë legjendarë: Neto, Paramanov, Simonian, Djementjev. E gjithë baza e Kombëtares së Bashkimit Sovjetik. E, edhe në këtë ndeshje perlë të Boris Apuhtinit, trajneri i ri Myslym Alla natyrisht që do të mbështetej jo pak, për të mos prishur një kombëtare.
Kështu, ai ka në 11-sh plot 9 emra të barazimit historik me Spartakun e Moskës. Ai nuk është trajneri përmbysës, teksa kupton dhe di të njohë fort mirë futbollin e vendit të tij. Për të marrë me mend edhe forcën që mund të kishte futbolli i Çekosllovakisë, e cila e kishte luajtur ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare, qysh më 5 prill 1903 me Hungarinë, një humbje e ngushtë, 1-2. Kohë kur Shqipëria – pjesë e shtetit Osman – ende as që kishte filluar të ushtronte sportin e futbollit. Ndërsa për ta nxjerrë atë për herë të parë në fushën e blertë ndërkombëtare, kjo do të realizohej vetëm mbas 43 vjetëve: 1 maj 1946: Shqipëria – Spartaku i Moskës, 1-2.
Po a vërtet, do t’i ketë shkuar sadopak nëpër mend të riut Myslym Alla se çfarë fitoresh të mëdha ai do të arrinte në këtë nëntor – dhjetor 1952 të Shqipërisë së tij?
…DHE SHQIPËRIA 1952 – DIÇKA KREJT TJETËR
Ndoshta kështu duhet përcaktuar.
Ndërkaq, gazeta e Tiranës, “Sporti Popullor”, paraprin me një intervistë të faqes së parë me kryetarin e ekipit të futbollit të Republikës Çekosllovake, Jozef Maçejka, një intervistë më shumë politike sesa sportive, ku miku nga Praga nuk ngurron të përcaktojë kësisoj:
“Ne jemi jashtëzakonisht të gëzuar, – deklaron ai, – që na u dha rasti të vizitojmë Republikën Popullore të Shqipërisë… Jemi shumë të prekur nga pritja e përzemërt që na është rezervuar, tregues kjo i dashurisë që populli shqiptar ushqen për popullin çekosllovak, të cilët të radhitur në kampin e demokracisë e të socializmit që udhëhiqet nga Bashkimi Sovjetik e i madhi Stalin, luftojnë për mbrojtjen e paqes në botë… Ne po konstatojmë me kënaqësi ndryshimet e mëdha që janë reflektuar në vendin tuaj qysh prej çlirimit e këndej. Këto suksese janë bërë të mundshme në sajë të udhëheqjes së shkëlqyer të Partisë së Punës së Shqipërisë, shokut Enver Hoxha dhe të ndihmës së Bashkimit Sovjetik në radhë parë, e të vendeve të demokracisë popullore, ku bën pjesë edhe Republika Çekosllovake”.
Doemos gjithçka dukej “e natyrshme”. Kishin kaluar katër vjet nga ai që njihet si grushti i shtetit i vitit 1948, kur aksioni i komunistëve çekosllovakë i dha fund të ashtuquajturës “Republikës së tretë Çekosllovake” duke instaluar regjimin komunist të Çekosllovakisë, shteti i fundit i Lindjes që iu nënshtrua komunizmit.
Më në fund, kur kalon te sporti pa politikë, miku Jozef Maçejka flet me superlativa për futbollin shqiptar, teksa thotë:
“…Ne jemi mjaft të gëzuar që do të zhvillojmë ndeshje me skuadrën tuaj kombëtare, e cila gëzon një respekt e konsideratë të thellë në arenën futbollistike ndërkombëtare”.
Në të vërtetë, titulli kampion i Ballkanit për Shqipërinë (1946) dhe paraqitja e saj e bujshme në Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore (1948) nuk ishin shumë larg sa për t’u harruar…
Mandej kur vijmë te pyetja rreth “skuadrës kombëtare të kohëve të fundit të Çekosllovakisë”, kryetari i saj, si të thuash, informon:
“…Ne u ndeshëm në Moskë me skuadrën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Sovjetike (CDSA) me të cilën barazuam me rezultatin 3-3, zhvilluam ndeshje me Zenitin e Leningradit, me të cilin fituam 6-1. Me skuadrën kombëtare të Polonisë barazuam 2- 2. Para disa javëve ne u ndeshëm me skuadrën përfaqësuese të Hungarisë në Budapest dhe loja përfundoi 5-0 në favor të futbollistëve hungarezë – kampionë olimpikë. Po atë ditë, në ndeshjen që zhvilluan skuadrat respektive ‘B’ në Brno, barazuam 1-1“.
Interesante është ndërkaq, se intervista e kryetarit të kombëtares së Çekosllovakisë, Jozef Majçek, botohet krejt pranë botimit të telegramit të “shokut Stalin për Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, shokun Enver Hoxha” me rastin e 29 Nëntorit, me këto fjalë të vendosura në krye të faqes me germa të mëdha:
“Me rastin e festës kombëtare të popullit shqiptar, ju lutem shoku Kryetar, juve dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, të pranoni përgëzimet e mia të përzemërta si dhe urimet mia për popullin mik shqiptar, që t’arrijë suksese të reja në ndërtimin e Shqipërisë së lirë”.
Ky duhet të jetë dhe telegrami i fundit i Josif Visarionoviç Stalinit (1878-1953) që i dërgohej qeverisë shqiptare.
Po futbolli i këtyre dy kombëtareve, Shqipëri e Çekosllovaki, çka do të sillte, vallë?
Do të tregojmë në numrat që vijnë të “Panorama Sport”, vetvetiu kjo, edhe si një nxitje për djemtë e Kombëtares së sotme që merr rrugën për te një “Çekosllovaki” – sot Republika Çeke, tashmë natyrisht diçka krejt tjetër…/PanoramaSport
Discussion about this post