Nga Jamarbër Malltezi
Ka mbi 3 vjet që PD depozitoi kallëzim penal në SPAK për grup të strukturuar kriminal me qëllim vjedhjen e 430 milion eurove me skemën e inceneratorëve. Të gjithë shqiptarët e dinin që ishin të njëjtët hajdutë të drejtuar nga Edi Rama, veç SPAK nuk e dinte. SPAK ka harxhuar 3 vjet, ka lejuar të vidhen 130 milion euro ndërkohë që nuk kemi asnjë incinerator! Kjo nuk do ishte e mundur pa Edi Ramën.
Kemi vetëm disa pyetje të thjeshta që SPAK të na japë përgjigje:
1. Kush kishte autoritetin që të rrezonte Strategjinë & Planin e Veprimit për Mbetjet që ishin hartuar me 4 milion euro financim të Bashkimit Evropian përmes projekteve INPAEL dhe SELEA?
2. Kush kishte autoritetin që të injoronte Agjencinë e Prokurimeve Publike që shpalli se procedura ishte jo-ligjore?
3. Kush mund të bënte gjoja sikur kaloi 9 procedura dhe 17 firma brenda ditës me 16 Dhjetor 2014, kur secila prej tyre kërkonte vlerëime nga shumë institucione?
4. Kush vendosi se duhen jo 1 por 3 inceneratorë më pak se 50 km larg njëri-tjetrit?
5. Si mund të firmoste Ministri i Mjedisit për qindra milionë euro, kur kishte 0 lek në buxhet të ministrisë për trajtimin e mbetjeve? Kush i dha garanci të firmoste?
6. Kush e detyroi Z. Koka të firmose kontratat? Qeveria qendrore nuk ka tagër ligjor, pasi ligji ia cakton pushtetit vendor menaxhimin e mbetjeve. Pse nuk e kapi shkeljen ligjore drejtoria juridike në Kryeministri?
7. Kush futi pikën në kontratë “Pamundësia e ndërprerjes së kontratës”? Nuk ndërpret dot kontratën edhe nëse nuk zbatohen pika të saj?!
8. Pse u bë në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike mënyra e përzgjedhjes së Supervizorit? Pse pagesat mujore u kryen pa përzgjedhur Supervizorin dhe pa dorëzuar supervizori në çdo fund muaji dokumentacionin e ecurisë së punimeve?
9. Kush ka shtuar pikën se edhe nëse koncesionari mashtronte shteti nuk do urdhëronte ndërprerjen e pagesave? “Në rast të shkeljeve të Kontratës, të konstatuara gjatë monitorimit dhe mbikëqyrjes së përgjithshme, Autoriteti Kontraktues nuk do të urdhërojë ndërprerjen e pagesave për Koncesionarin”
10. Kush po jep qindra miliona euro pa asnjë sqarim të karakteristikave tekinke të inceneratorëve? Nuk ka në kontrata asgjeë as çfarë kapaciteti ka, as sa gazra të rrezikshëm lëshon.
11. Ku kanë shkuar 130 milionë euro? Personat pranë Edi Ramës, Engjëll Agacit dhe Erion Veliajt pa investuar asnjë lopatë, marrin qindra milionë euro nga taksapaguesit dhe zhduken?
12. Lidhur me inceneratorin e Tiranës iu dërgua për mendim 5 ministrave: Ylli Manjani, Arben Ahmetaj dhe Felaj e lanë me shkrim që janë kundër. Megjithëse 3 nga 5 ministrat ishin kundër dhe kompania nuk ekzistonte Rama-Agaçi nxorrën VKM që e miratonin bonusin!!!
13. Pse u la njoftimi veç 5 jave njoftimi në vetëm një media ndërkombëtare ndërkohë që duhej të shpallej të paktën 3 muaj përpara dhe duhej dokumentacioni i detajuar në gjuhën angleze? Për 128 milionë euro do duhej të kishte shpallje ndërkombëtare në disa media ndërkombëtare me 2 hapa, fillimisht për shprehje interesi dhe më pas të kishte garë me ata që do short-list nga shprehjet e interesit.
14. Kush i dha fuqinë Ministrisë së Mjedisit ta shpallë garën kur as nuk kishte fonde në buxhet dhe as nuk kishte tagër ligjor për asnjë formë të menaxhimit të mbetjeve. A mund të jetë detyruese për gjithë bashkitë e qarkut Tiranë një kontratë e firmosur nga një ministër që nuk e kishte për tagër menaxhimin e mbetjeve?
15. A është ligjore procedura që i dha Zotos MONOPOLIN për:
A. Landfillin e Sharrës
B. Riciklimin
C. Mbetjet inerte
D. Dherat që nuk janë fare mbetje por lëndë me vlerë?
16. Pse firmosi Veliaj në mënyrë të kundraligjshme, qoftë duke marre fillimisht (i) tagrat e Qarkut të Tiranës dhe më pas (ii) tagrat e Këshillit Bashkiak teë Tiranës?
17. Pse Veliaj paguan 29 euro/ton për depozitim mbetjesh e mbulim me dhe, kur ky proces kryhej veç për 12 euro deri para 6 vitesh? Sipas kontratës në fuqi duhej që të ishin funksionale (i) inceneratori, (ii) impianti i riciklimit, (iii) impianti i trajtimit të ujrave të ndotura, etj. që të kishim pagesën 29 euro/ton. Nuk ka as incenerator e as impiant trajtimi ujrash të ndotura. Atëherë kush i jep garanci Veliajt që të shkelë kontratën dhe të shkaktojë dëm ndaj shtetit?
18. Si dhe për çfare arsye kaloi Erion Veliaj kontratat e menaxhimit nga ndërmarrja publike e Sharrës tek (i) kompania 3R që vetë Veliaj i bëri ftese të rinjve që të vinin e të punonin dhe ku vdiq Ardit Gjoklaj i pasiguruar, me pas tek (ii) Kompania nga Verona ku ishte pjesëtar Migliorazi, më pas tek (iii) kompania Këlcyrë sipër postës (Vladimir Fezga) dhe në fund tek (iv) Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri?
19. Kush i dha kompanive të lidhura me Ramën-Bashën-Zoton edhe 15 milionë euro per heqjen e mbetjeve nga Porto Romano pa tender fare? Ishte shpallur gara dhe kishin aplikuar disa kompani, por u nderpre gara dhe më pas u lidhën me procedurë jo-ligjore “Me Negocim pa shpallje paraprake“.
20. Ku jane zgarat lumore në Shkumbin dhe Ishëm për të cilat iu paguan Zotos edhe mbi 2 milionë euro? Ministrat Koka dhe Klosi kane dalë në media televizive duke lavdëruar zgarat. Sot nuk ekziston asnjë prej tyre dhe as nuk jane marrë në dorëzim nga ministria, ndonëse parate u paguan. A ka përgjegjësi apo ç’e deshe?
21. A ka vjedhje kur Mirel Mertiri, Eva Blushi dhe Klodian Zoto krijuan një kompani guackë në Bullgari dhe morën miliona euro përmes faturave fiktive për inceneratorët? A janë përfshirë mediat e paguara nga taksat tona për të vjedhur edhe para bashkë me inceneratorët dhe me mirëkuptim nga Edi Rama?
22. A kane dalë në pergjime të Prokurorië së Elbasanit ministra të Edi Rames në 2017, dhe a janë administruar përgjimet, apo jane shkatërruar se dolën deputetet?
23. A kanë përgjegjësi penale Artur Metani (ish Drejtor Juridik i Edi Ramës dhe sot Kryeinspektor i Drejtësisë) dhe Engjëll Agaçi – Sekretari i Pergjithshëm i Kryeministrisë, për:
1. injorimin e shkresë së APP që njoftoi se procedura ishte e paligjshme;
2. 9 procedura dhe gjoja 17 firma brenda ditës më 16 Dhjetor 2014;
3. Dhenien e 8 pikeve bonus nje kompanie qe nuk ekzistonte dhe per te cilen kishin njoftim nga ish-ministrja Felaj; dhe
4. Nenin “Pamundësia e ndërprerjes së kontratës”
Këto janë 23 pyetje që duan përgjigje nga SPAK. Afera e inceneratorëve nuk është aferë për disa bileta avioni, hotelesh apo zëri kadastral i tokës. JO! Kjo është aferë e një Grupi të Strukturuar Kriminal për të vjedhur 430 milionë euro e që deri tani na kanë vjedhur 130 milionë euro nga mosveprimi i SPAK për të mbajtur përgjegjes kryehajdutët Rama-Agaçi-Veliaj. SPAK mund të zgjedhë të behët lecka ku fshin këmbët Edi Rama, por PD dhe shqiptarët presin përgjigje për këto 23 pyetje!
Discussion about this post