Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë që të miratojë ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për verifikimin e zbatimit të ligjit për investimet strategjike në shteti shqiptar. Nëpërmjet një shkrese zyrtare të firmosur nga 35 deputetë të opozitës (32 të PD dhe 3 të Partisë Republikane, Partisë Agrare Ambientaliste dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet) kërkohet që Kuvendi të lejojë ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar duke marrë shkas nga 4 rastet e shumë debatuara në media për Portin e Durrësit, përfitimin e 133 mijë m2 tokë nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Gazment Paja në Dhërmi, dhënia për 30 vite në përdorim e një sipërfaqe bregdetare në fshatin Gjilekë të Himarës për bashkëshortin e Ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka, ish-deputetin socialist Artan Gaçi dhe rasti më i fundit dhënia me koncesion e një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit, miratua para dy ditësh nga Kuvendi i Shqipërisë. Opozita shprehet se shpallja e investitorëve strategjikë në këto 4 raste krijojnë dyshime se mazhoranca po zbaton ligjin 55.2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” duke përkrahur persona të afërt dhe me lidhje të forta me qeverinë gjë që ngjall dyshime se po ushtrohet klientelizëm, korrupsion dhe arbitraritet. Duke patur parasysh se ligji bën fjalë dhe për investitorët e huaj, PD dhe aleatët e saj konstatojnë se investimet e huaja në vendin tonë 7 viteve të fundit kanë qenë modeste.
“Megjithëse qëllimi i këtij ligji, pra mbështetja dhe nxitja e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë për zhvillimin e ekonomisë së vendit ishte pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime individëve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Në çdo rast, mbi këto projekte ekzistojnë dyshime të arsyeshme për abuzime, favorizim klientelizëm dhe arbitraritet. Ndërkohë, që shifra në numër projektesh apo vlerë investimesh të përfituar nga investitorë të huaj mbeten modeste”, shkruhet në faqen 2 të kërkesës dërguar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Komisioni me 15 anëtarë do veprojë për 4 muaj, ja çfarë do të shqyrtojë
Opozita kërkon që të ngrihet një Komision Hetimor i Kuvendit me 15 deputetë (7 nga opozita me gjithë kryetarin dhe 8 nga mazhoranca). Veprimtaria e tij do të zgjasë 4 muaj ku do të verifikohen praktikat e shpalljes së investitorëve strategjikë si dhe do të shikohet mundësia e korrigjimit, plotësimit të ligjeve lidhur me investimet në fjalë. Në fund, PD dhe aleatët e saj theksojnë që seanca për miratimin ose jo të ngritjes së këtij komisioni të zhvillohet në periudhën më të shpejtë kohore. “Kërkojmë: 1.Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e mënyrës së zbatimittë ligjit nr.55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë. 2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i). Shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike dhe institucionet e tjera relevante për dhënien e statusit të investitorit strategjik dhe (ii). Vlerësimin e nevojës për miratimin e plotësimin apo korrigjimin e ligjeve relevante për investimet strategjike. 3. Komisioni do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe gjashtë anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe tetë anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. 4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 4 mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. 5 Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën më të afërt plenare”, mbyllet kërkesa e 35 deputetëve të opozitës drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Duka tërheq firmën, Balla nuk pranon kërkesën e opozitës, 35 i bën Alibeaj
Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, ndryshoi papritur numri i firmave në kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për ligjin e investimeve strategjike. Deputeti i PAA, Agron Duka tërhoqi firmën duke u shprehur për një media se është kundër hetimit të emrave të përveçëm duke kërkuar që të ngrihet komision në parim. “Unë firmosa duke menduar që komisioni ngrihet për të hetuar investitorët strategjikë në parim, domethënë te vendosen disa rregulla çfarë duhet të plotësojë një investitor që të quhet i tillë dhe investimi strategjik, sepse kështu m’u servir. Kur pashë që aty kishte emra specifik u tërhoqa,” sqaroi Duka. Në këtë mënyrë, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla iu përgjigj opozitës se kërkesa nuk mund të shqyrtohet për shkak se duhen të paktën 35 firma (1/4 e 140 deputetëve në Kuvend sipas Kushtetutës). “Kërkesa ka rënë sapo është depozituar. Nuk përmbushte numrin minimal të deputetëve firmëtarë që mbështesin një kërkesë për komision hetimor. Duhen 35 ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit. Janë 34, matematika, ça t’i bëjmë?”, u përgjigj për mediat Balla. Megjithatë, opozita nuk do të tërhiqet nga kjo kërkesë. N/kryetarja e PD Jorida Tabaku bëri me dije për një media se ka firmosur këtë kërkesë kreu i përkohshëm të partisë, Enkelejd Alibeaj gjatë mbledhjes së djeshme për çështjen e zgjedhjes së presidentit. “Enkelejd Alibeaj e firmosi gjatë mbledhjes, dhe me këtë firmë ne do ta dorëzojmë përsëri në Kuvend”, u përgjigj Tabaku.
4 rastet që PD i konsideron si afera korruptive
1-Porti i Durrësit: Në fillim të 2021, PD denoncoi se kryeministri Rama i ka dhënë për përdorim 5-vjeçar të kalatës së Portit të Durrësit një kompanie “offshore” e quajtur “Hili Company Limited”, e cila operon në Maltë. Emri i saj është publikuar në skandalin “Panama Papers”.
2-Artan Gaçi: Në mars, qeveria shqiptare i dha për përdorim për 30 vite Artan Gaçit, burrit të ministres Xhaçka një hapësirë bregdetare prej 8 mijë m2 në fshatin Gjilekë të Himarës me qëllim ngritjen e një resorti turistik “Dreamades Luxury Suites “. Skandali qëndron se kompania e Gaçit “AGTTC Hotel Management Sh.p.k” ka vetëm 5 milionë lekë kapital dhe asnjë investim, ndërsa sipas ligjit të investimeve strategjike, investitori strategjik duhet të ketë kapital të paktën 50 milionë euro dhe 20 investime të ngjashme jashtë Shqipërisë. Në këtë rast, Komiteti i Investimeve Strategjike ka shkelur hapur ligjin.
3-Gazment Paja: Po ashtu, qeveria socialiste shpalli investitor strategjik aktorin e humorit dhe anëtarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Gazment Pajën. Kompanitë e tij “Ecotech Energy Services” dhe “Startek” fituan të drejtën e investimit në 133 mijë m2 në Dhërmi për të ndërtuar vila dhe një hotel me 5 yje. Kostoja përflitet në 13.8 milionë euro. Dyshimet lidhen se pas Pajës qëndrojnë emra biznesmenësh dhe oligarkësh të lidhur me qeverinë.
4- Parku Kombëtar i Butrintit: Dhënia me përdorim e një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit në formë Partneriteti Publik-Privat të hënën në Kuvend ka ngjallur kritika dhe akuza nga opozita dhe grupime të ndryshme shoqërore. Mazhoranca akuzohet se po shkel hapur ligjin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore me qëllim që Shoqata Shqiptaro-Amerikane për Zhvillim (AADF), ku janë drejtues Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata. Të dy konsiderohen si miq të kryeministrit Rama. Një tjetër pikë debati ka shkaktuar shifra prej 7 milionë dollarësh që do investohen për mirëmbajtjen e Butrintit (5 milionë nga AADF dhe 2 milionë nga qeveria). GazetaSot
Discussion about this post