Perceptimi i problemeve mjedisore është përkeqësuar ndjeshëm në Shqipëri gjatë një viti, me rritje të forta të shqetësimit për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës.
Sipas Balkan Barometer 2025 të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC) 55% e shqiptarëve përmendin ndotjen e ajrit si problem në komunitetin e tyre, nga 42% në 2024, ndërsa shqetësimi për ndotjen e ujit është rritur nga 24% në 43%, ose me 19 pikë përqindjeje.
Edhe ndotja e tokës ka shënuar një rritje të fortë, nga 20% në 2024 në 40% në 2025, pra është dyfishuar si shqetësim në perceptimin e qytetarëve. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndotja e tokës është rritur nga 38% në 44%, ndërsa ndotja e ujit nga 43% në 52%.
Por problemi që e dallon më shumë Shqipërinë nga rajoni është trafiku. Në 2025, 48% e shqiptarëve e përmendin trafikun e rënduar si shqetësim mjedisor, kundrejt 30% në 2024 dhe vetëm 33% mesatarisht në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon, përpara Kosovës me 37%, Maqedonisë së Veriut me 34%, Malit të Zi dhe Serbisë me nga 30% dhe Bosnjë-Hercegovinës me 22%.
Rritje regjistrohet edhe për zhurmën, e cila shqetëson 43% e shqiptarëve, nga 32% një vit më parë. Mesatarja rajonale është vetëm 21%, çka e vendos Shqipërinë sërish dukshëm mbi vendet e tjera.
Ndotja e ajrit, megjithëse është rritur fort në Shqipëri, mbetet disi nën mesataren e rajonit prej 61%. Për ndotjen e ujit Shqipëria është gjithashtu nën mesataren 52%, ndërsa për trafikun dhe zhurmën situata përmbyset dhe vendi del dukshëm mbi rajonin.
Në nivel rajonal, RCC konstaton se ndërgjegjësimi për ndotjen është rritur përgjithësisht në 2025: ndotja e ajrit është rritur nga 57% në 61%, ajo e ujit nga 43% në 52% dhe ajo e tokës nga 38% në 44%.
Për Shqipërinë, megjithatë, ritmi i rritjes është shumë më i fortë: +13 pikë për ajrin, +19 pikë për ujin, +20 pikë për tokën, +18 pikë për trafikun dhe +11 pikë për zhurmën.









Discussion about this post