Sot u zhvillua mbledhja e tetë e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ku u nënshkruan dhe 19 marrëveshje të tjera, të cilat e çojnë në total 149 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në tetë vite. Por, nga gjithë ky inflacion marrëveshjesh, qytetarët shqiptarë në të dyja anët e kufirit, nuk kanë ndjerë lehtësira, duke të dhënë përshtypjen se këto mbledhje po organizohen vetëm si show propagandistik për të rritur pikët e qeverive në të dyja anët e kufirit, ashtu siç ishte show i mëngjesit të sotëm, kur ministrat shqiptarë publikuan një foto në autobus, kur po niseshin drejt Kosovës. Madje, kjo foto që të bën për të vjellë kur e shikon të kujton sesa herë mbetesh në trafikun e Tiranës, pasi kalojnë eskortat e ministrave të kabinetit Rama, të cilët nuk përdorin ndonjëherë autobusin për të shkuar nga puna në shtëpi ose anasjelltas, por makina luksoze, që paguhen me taksat e shqiptarëve.
Por le të ngelemi te mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. Historia e tyre nisi tetë vite më parë, konkretisht më 11 janar të vitit 2014, kur u organizua mbledhja e përbashkët në Prizren, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës dhe u nënshkrua marrëveshja për lehtësimin e procedurave në fushën e tregtisë, bizneset këtej dhe andej kufirit ishin entuziaste. Përtej sloganit pompoz, “Bashkë pa Kufij”, dhe premtimit për krijimin e një “tregu të përbashkët”, 8 vite më pas, bizneset kosovare vazhdojnë të përballen me pengesa shumë më të mëdha sesa nëse do të eksportonin në Kinë apo në Bashkimin Europian.
Pritjet në kufij, mosnjohjet e certifikatave fitosanitare dhe skanimi i produkteve janë vetëm disa nga pengesat, me të cilat përballen kompanitë në të dyja anët e kufirit. Por sikur të mos mjaftonin vetëm këto, çdo kamion duhet të paguajë në doganë 22 euro për skaner. Po ashtu, kostoja për tarifën rrugore, pagesa për kamionët, pavarësisht nga kapaciteti, varion nga 17-23 euro, ndërsa kryeministri Rama, gjatë një vizite në një nga bizneset e Kosovës, vazhdon të premtojë e vetëm premtojë se “do i heqim plotësisht taksat doganore me Kosovën”. Pyetja është po kur? Tetë vite kaluan dhe sa vite duhet të kalojnë, ndërsa si pasoja e këtyre pengesave bizneset kosovare paguajnë dy milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të futen në Shqipëri.
E përballë ngecjeve, përsëritjes apo korrigjimit të marrëveshjeve nga viti në vit, propaganda qeveritare është aq e turpshme, saqë nga njëra anë flet për hapje kufijsh me Kosovën, e nga ana tjetër flirton me Serbinë për Ballkanin e Hapur, nismë që nuk e trajton Kosovën si të barabartë. Madje, ngecjen e zbatimit të marrëveshjeve e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të marsit të vitit 2021 gjatë një vizite në Shqipëri. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se marrëveshjet kanë ecur me ritme të ngadalta, duke kërkuar në mbledhjen e 7 ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, që të vijohet me zbatimin e sa më shumë marrëveshjeve të nënshkruara, madje, duke ngritur dhe një sekretariat. Por ja që sot erdhi mbledhja e tetë, e sërish jemi në vendnumëro.
Edhe ato marrëveshje, që kanë parë dritën e zbatimit, janë zvarritur për vite të tëra. Konkretisht, unifikimi i certifikatave bujqësore dhe veterinare u vendos në mbledhjen e vitit 2017, por u deshën 4 vite që kjo marrëveshje të niste zbatimin. Premtimi për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë është një tjetër angazhim i të dy qeverive që nuk është realizuar. Diplomacia është një fushë tjetër, ku Kosova dhe Shqipëria arritën disa marrëveshje, por kryesisht më shumë të natyrës infrastrukturore se sa politike. Po ashtu abetarja e përbashkët është një kartë tjetër që qeveritë shqiptare e përdorin prej vitesh. Një marrëveshje për abetaren e njehsuar dhe të përbashkët është firmosur edhe në vitin 2010, si pasojë e së cilës ka një tekst që përdoret, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, por ky premtim është hedhur sërish. Por tetë vite më vonë, teksa u kujtojmë dy qeverive marrëveshjet e firmosura, ne si qytetarë mund të themi të paktën mos harxhoni karburant në këtë krizë çmimesh për të udhëtuar sa në Shqipëri dhe në Kosovë, se marrëveshjeve ua pimë lëngun.
Discussion about this post