Edhe pse tregjet ndërkombëtare duket se janë stabilizuar përballë krizës së fortë të energjisë elektrike, KESH po përpiqet të marrë masa pas disfatës që pësoi nga kriza energjetike e vitit 2022. Pak ditë më parë KESH ka njoftuar për hapjen e një garë për blerje energjie për një periudhë afatgjatë deri në vitin 2028, me qëllim shtimin e rezervës energjitike në dispozicion për periudha të vështira, jo vetëm në kohë krize por edhe në periudhën e mungesës së reshjeve. Në tenderin e hapur thuhet se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kërkon të blejë 100 megavat energji dhe fitues do të jetë ofertuesi me çmimin më të ulët.
Sipas KESH kjo blerje e energjisë bëhet me qëllim rritjen e kapaciteteve energjetike në dispozicion.
“KESH ka në portofolin e tij kapacitetin gjenerues prej 1350 Mwh i cili konsiston pothuajse i gjithi ne asete gjeneruese hidroenergjetike. Duke qenë se portofoli konsiston në asete hidroenergjetike, KESH ka nevojën të importojë në periudha të ndryshme të vitit në mënyrë që të minimizojë sezonalitetin e reshjeve dhe ndryshimet e klimës në tërësi. Për shkak të detyrimit për shërbim publik KESH ka detyrimin për të përmbushur të gjithë konsumin e brendshëm për tensionin e ulët dhe të mesëm. Referuar strategjisë së korporatës po publikojmë një ftesë për shprehje interesi për pjesëmarrje në një procedurë afatgjatë tregtimi energjie“, thuhet në njoftimin e KESH.
Kjo garë e njoftuar nga KESH vjen në kushtet e një situate të mirë hidrike, pasi ka pasur reshje dhe kaskada ka pasur prodhim të mjaftueshëm për të garantuar furnizim me energji. Por i gjithë viti parashikohet i favorshëm për sektorin pasi parashikohen reshje më shumë se vitin e kaluar.
Ndërkohë një pikëpyetje që ngrihet për këtë tender të hapur nga KESH ka të bëjë me ruajtjen e rezervës energjetike kur ka më shumë prodhim sesa është kërkesa. Në kushtet e pamundësisë për të mbajtur rezerva energjie pasi kërkohen investime të mëdha, KESH e shet energjinë me çmim shpesh me të ulët se tregu i huaj.
Shteti paguan 94.500 $ për anijet që nuk prodhojnë energji
Projekti i trumbetuar i TEC-eve lundruese që do të prodhonin energji aq sa të përmbushë shoh nevojat e konsumatorëve shqiptar, ka rezultuar një dështim deri më tani. Edhe pse qeveria pati deklaruar fillimisht që në fund të 2022 do të viheshin në prodhim dy anijet lundruese në Vlorë dhe më pas u tha në fillim të 2023, ende nuk ka nisur prodhimi. Por edhe pse këto dy anije nuk punojnë, shteti është i detyruar të paguaj 94.500 dollarë dita sipas kontratës së nënshkruar. Pra për një vit KESH duhet të paguaj 34,492,500 dollarë edhe nëse këto dy anije nuk prodhojnë asnjë ditë energji. në total për dy vite që është afati i kontratës qeveria është e detyruar të paguaj 68,985,000 dollarë, prodhohet apo jo sasi e kontraktuar e energjisë.
Ndërkohë në auditimin e KLSH evidentohet energjia që do të prodhohet nga këto TEC-|e lundruese do të ketë një çmim për megavat 202 euro.
“Në total TEC-i lundrues vetëm si detyrim kontraktor do ti kushtoj buxhetit të KESH 94,500 $/ditë. Blerje e lëndës djegëse nga KESH do të realizohet nëpërmjet kontratave kuadër dhe projeksionit të prodhimit duke synuar çmime lënde djegëse sa më të favorshme dhe me furnizim në kohë sipas nevojës së shoqërisë. Kapaciteti i instaluar i TEC-it lundrues është 110 MËh. TEC-lundrues i Vlorës sipas përllogaritjeve të KESH, kostoja e gjenerimi fikse për dy vite shkon në 202 Euro/MËh”, thuhet në auditim.
Ndërkohë në bursën Hungareze aktualisht çmimi i energjisë për megavat është nga 97 deri në 120 euro. Praktikisht edhe me këtë opsion të zgjedhur humbja është e konsiderueshme nga 82 deri në 105 euro për megavat humbje.
Si u boshatis kaskada në mes të krizës energjetike!
Në një auditim të kryer nga KLSH thuhet se kriza globale energjetike u shoqërua me rritjen e shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi dhe me mungesë të likuiditeteve financiare të shoqërive të sistemit elektroenergjetik shqiptar. Por nga ana tjetër është keqmenaxhuar kaskada e Drinit, gjë që ka shkaktuar mjaft humbje për buxhetin e shtetit.
“Keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, solli si pasojë rënien e rezervës hidroenergjetike në liqenin e Fierzës dhe rritjen e kërkesës për import të energjisë elektrike, në një periudhë që përkon me çmime shumë të larta të energjisë elektrike në bursë. Ndodhur në këto kushte, Qeveria Shqiptare, injektoi nëpërmjet instrumenteve financiarë 165 milion euro dhe 20 miliard lekë, që sistemi elektroenergjetik të mos kalonte në kolaps”, thotë KLSH.
Në auditim evidentohet fakti që KESH ka rritur sasnë e prodhuar të energjisë në kushtet ku ka pasur më pak prurje në kaskadë, dhe për pasojë nuk është ruajtur rezerva hidrike.
Vetëm si pasojë e keqmenaxhimit të situatës niveli i ujit në kaskadës ra për herë të parë nën kuotat e tij normale. Nga tabela e paraqitur vihet re se niveli në kaskadës në muajin Mars ra në 260.67 metër nga 268.28 metër që kishte qene në fillim të muajit. Në këtë periudhë ku kriza po thellohet KESH zgjodhi të prodhonte në kaskadën dhe pse parashikohej një periudhë jo e lagësht.
Nga ana tjetër KESH në pikun e temperaturave të larta qershor-gusht ka prodhuar dhe importuar, në vend që të ruante rezervën hidrike zgjodhi t’a keqpërdor atë, duke prodhuar energji dhe duke e shitur.
KLSH: Masat për energjinë e rinovueshme jo efikase
Edhe pse qeveria vijon propagandën për shtimin e burimeve energjetike dhe shkëputjen e varësisë nga shiu, KLSH thotë se masat e marra për diversifikimin e sektorit deri më tani janë jo-efektive.
“Strategjitë e ndjekura nga sistemi për diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike, kanë rezultuar deri tani jo eficente, duke sjellë ekspozimin e përhershëm të sistemit elektroenergjetik kundrejt riskut meteorologjik. Kjo si pasojë, ka sjellë rritjen e shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi me çmime të larta. KESH përveç disa nismave fillestare në investime për burime fotovoltaike, është larg realizimit të objektivave strategjike, për diversifikimin e portofolit gjenerues, me energji të rinovueshme”, vijon më tej auditimi i bërë.
Nga ana tjetër KLSH kërkon që qeveria të marrë masa për të vënë në punë TEC-in e Vlorës,
“Qeveria Shqiptare duhet të gjejë zgjidhje të qëndrueshme dhe eficente për vënien në funksion të TEC-it të Vlorës, si dhe fillimin e operimit të bursës shqiptare të energjisë, për ta bërë të plotë modelin e tregut të energjisë. Sfida kryesore e KESH për diversifikimin e aseteve gjeneruese ngelet TEC Vlora, ky aset ende nuk i është shtuar portofolit gjenerues të shoqërisë KESH sh.a. TEC Vlora ka një kapacitet të instaluar 98 MË, aktualisht është në kushte konservimi për shkak të defektit të shfaqur në sistemin e ftohjes që prej vitit 2012”, thotë KLSH.
Pjesë e auditimit është bërë edhe siguria e digave ku kërkohet rritje e investimeve për të ulur rrezikun nga katastrofat.
“KESH të rrisë projektet e investimeve në lidhje me rritjen e parametrave të sigurisë së digave për të minimizuar rrezikun e katastrofës. Investimet vjetore për sigurinë e digave të shoqërohen me investime në teknologji për monitorimin, mirëmbajtjen dhe parashikim”, pohon KLSH.
Teksa analizohen edhe tenderat e blerjes dhe shitjes së energjisë, evidentohet fakti që edhe në këtë proces ka shumë probleme dhe në disa raste nuk është studiuar tregu se kur është orari më i mirë për të blerë energjinë. Për pasojë janë rritur kostot për buxhetin e shtetit, pasi shoqëritë publike shqiptare, u “kapën” befasisht në këtë trend rritje të çmimit të blerjes vendosën në vështirësi financiare të likuiditeteve të tyre për të përballuar blerjen e energjisë elektrike.
Lexo edheMeta: Si po vjedh ‘Rilindja’ miliona euro me tenderin e energjisë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post