Gjatë Foltores së Sarandës, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se firmat e dorëzuara në selinë e PD-së për thirrjen e Kuvendit Kombëtar janë të vlefshme me të gjitha kriteret e plotësuara, duke hedhur poshtë akuzat e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij se formularët nuk janë mbledhur dhe janë të pavlefshëm.
Sipas Berishës, firmat nuk bëhen publike për shkak të ruajtjes së të dhënave personale në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut.
“O peng-kryetar, shko merri kontrolli të 4200 firmat, tagër mbi to ke 0. Cilido nga ju të dashur demokratë që jeni dhe s’jeni mund të shkoni t’i lexoni të 4200, asgjë nuk fshehim ne, por ne ato nuk i publikojmë se ka një ligj, se kur ishim në maxhorancë në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut, miratuam ligjin e garantimit të të drejtave. Sot shkuan mediat dhe i panë, kush të dojë le t’i shohë. Edhe në ëndërr kur i shohin, i tmerrojnë firmat tuaja” – tha Berisha.
Më tej, Berisha u shpreh se frika më e madhe e kreut të PD-së janë firmat që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
“Frika e tij më e madhe janë firmat tuaja, tmerri jo vetëm i atij, por edhe i kreut të Meduzës, janë firmat tuaja, tmerri i madh i Gorge Sorosit që kishte parashikuar shkatërrimin e forcës konservatore në Shqipëri. janë firmat tuaja e një opozite vigane, fitimtare. Ata të cilët përpiqen si donkishotër të mohojnë firmat do bëjnë mirë të çlirohen nga frikërat e tyre, nuk janë firma që ngjallin frikë, por të shkruara me germa të arta të një partie që solli demokracinë në vend, që nxori shqiptarë nga nivele më të larta të varfërisë, që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, në Këshillin e Evropës, e cila hoqi gjeneratorët dhe garantoi furnizimin me energji, që ndërtoi një infrastrukturë moderne, që Shqipëria të mos jetë kurrë ajo e vitit 2005, e cila bëri vetëm këtu në Sarandë të 10-fishohej turizmi. Të jeni të sigurt që do të ecim të pandalshëm drejt fitores. Edi Rama nuk është një pushtet legjitim, le të dalë kush të dojë por ne nuk ia njohim kurrë pushtetin e tij legjitim, nuk do ia pranojmë ato që u pranuan më 25 prill” – tha Berisha.
Kujtojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua direkt sot Sali Berishës duke i thënë se nuk i kishte firmat dhe nuk i dorëzoi te organet statutore siç i di rregullat e kësaj partie, si ish-kryetar i kësaj partie.
4200 firmat e delegatëve të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u dërguan të mërkurën, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha. Procedura e verifikimit të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka përplasur palët të cilat kanë interpretime të ndryshme të statutit të partisë.
Discussion about this post