Dokumente që përmbajnë shenja si të klasifikuara u gjetën javën e kaluar në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence në Indiana, sipas një letre që avokatët e zotit Pence i dërguan Arkivave Kombëtare. Kjo është gjetja e fundit në një varg zbulimesh në rezidenca private të dokumeteve sekrete.
“Duket të jenë një numër i vogël dokumentash, që mbajnë shenjat si të klasifikuara, që janë paketuar dhe transportuar pa dashje në shtëpinë private të ish-zëvendëspresidentit në fund të mandatit”, shkruante avokati i zotit Pence, Greg Jacob, në një letër të cilën e ka parë edhe agjencia e lajmeve Associated Press.
Avokati
Ai shkruante se zoti Pence “angazhoi një avokat të jashtëm, me përvojë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, për të shqyrtuar të dhënat e ruajtura në shtëpinë e tij pasi u bë publike se ishin gjetur dokumente sekrete në shtëpinë private të Presidentit Joe Biden në Wilmington”.
Departamenti i Drejtësisë tashmë ka angazhuar prokurorë të posaçëm për të hetuar gjetjen e dokumenteve sekrete në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump në Florida dhe në shtëpinë dhe ish-zyrën e Presidentit Biden.
Departamenti i Drejtësisë thotë se rreth 300 dokumente të shënuara si të klasifikuara, përfshirë disa të nivelit tepër-sekret, u morën nga Mar-a-Lago. Zyrtarët po shqyrtojnë mundësinë për ngritje akuzash ndaj zotit Trump apo dikujt tjetër, për posedim të paligjshëm të dokumentave ose për përpjekje për të penguar hetimet penale disa mujore.
Dokumente sensitive
Avokati i zotit Pence shprehej në letër se ish-zëvendëspresidenti “nuk ishte në dijeni të ekzistencës së dokumentave sensitive apo të klasifikuara në shtëpinë e tij” dhe se “e kupton rëndësinë e madhe për mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe të klasifikuara dhe se është i gatshëm për të bashkëpunuar plotësisht me Arkivat Kombëtare dhe çdo hetim të nevojshëm”.
Avokati tha se zoti Pence i siguroi menjëherë dokumentet që u zbuluan në një kasafortë. Sipas një letre të dytë nga avokati, që mban datën 22 janar, agjentët e FBI-së vizituan rezidencën e zotit Pence për të marrë dokumentat.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte të martën, ndërsa një avokat i zotit Pence nuk iu përgjigj menjëherë një emaili që kërkonte sqarime. Në muajin gusht zoti Pence i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai nuk kishte marrë me vete dokumenta të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. I pyetur drejtpërdrejt nëse ai kishte marrë ndonjë dokument të tillë, ai u përgjigj: “Jo, jo në dijeninë time”.
Gjatë një interviste në janar me rrjetin Fox Business, zoti Pence e përshkroi si një “proces shumë zyrtar” atë të përdorur nga zyra e tij për trajtimin e dokumentave të klasifikuara, si dhe hapat e ndërmarrë nga avokatët e tij për t’u siguruar që nuk ishte marrë asnjë dokument.
“Para se të largoheshim nga Shtëpia e Bardhë, avokatët e ekipit tim kontrolluan të gjitha dokumentat si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në zyrat tona apo rezidencën e nënpresidentit, për t’u siguruar që çdo dokument që duhej të dorëzohej në Arkivat Kombëtar, përfshirë dokumentat e klasifikuara, janë dorëzuar. Kështu që ne zhvilluam një proces shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha zoti Pence./Voa/
Discussion about this post