Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është mësuar që mbyllë tenderët me ofertat më të shtrenjta. Në këtë mënyrë ka vepruar edhe për tenderin me vlerë 700 milionë lekë, me të cilin do të riparohet një rrugicë në Tiranë. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Rruga e Malësorëve”. Për këtë tender kanë paraqitur oferta jo pak, por 22 kompani. Të gjitha janë skualifikuar dhe në garë ka mbetur firma “B93 II” shpk., në pronësi të Ardit Liçajt.
Edhe në këtë tender nuk është respektuar ligji. Së pari, si e vetmja ofertë e klasifikuar, firma “B93 II” mori fitoren pa u zhvilluar një garë sikur e kërkojnë rregullat për prokurimet. Së dyti, oferta kësaj kompani ishte më e shtrenjtë se disa firma të tjera. Ky fakt nuk u mor parasysh. Veliaj me arrogancë ka skualifikuar 21 kompani dhe e ka mbyllur tenderin pa garë për interesa të një firme të paracaktuar.
Ku shkojnë milionat
Rruga e Malësorëve ndodhet në Shkozë. Pak ditë më parë Gijotina.com tregoi se si në rrugët e kësaj zone nuk është investuar për rreth 30 vjet. Kështu, Veliaj kujtohet në prag zgjedhjesh të merret me to! Sakaq, në dokumente evidentohet se punimet do të zgjasin për 4 muaj. Çudi e madhe! Është e qartë se do të hidhet asfalt mbi balte sa për të mashtruar votuesin. Në muajin e parë do të bëhen gërmime dhe do të hiqen të gjitha shtyllat elektrike, pasi do të zëvendësohen me të reja.
Praktikisht i bie që asfalti në këtë rrugë të hidhet në muajin e tretë, pra fiks për zgjedhje. Ligjërisht kryebashkiakëve nuk iu lejohet që të zhvillojnë kontrata tenderuese në fushatë zgjedhore. Por, sa ka mbështetjen e kryeministri, Veliaj nuk e vret mendjen për këtë rregull. Ndërsa më poshtë në dokumentet për grafikun e punimeve vëmë re se nga këto 700 milionë lekë, ca lekë do të hidhen për të bërë punime arti në këtë rrugë, si dhe punime muralesh.
Nuk përcaktohet vlera për këtë zë, por sidoqoftë kemi të bëjmë me tallje të hapur. Jo më larg se verën e shkuar, banorët që jetojnë në këtë lagje janë ankuar në media se kanë mungesë të furnizimit me ujë, si dhe rrugët janë krejtësisht të amortizuara. Ndërsa Veliaj, kërkon t’iu zbukurojë fasadat!
“S’kam ujë të shkoj të lahem tani. Mbaron depozita me enët. Kaq i thuaj Erion Veliaj që na merr lekët kot. 50 mijë lekë na merr për ujin dhe ujë s’ka fare. Këtu ka marrë fund o shoku im”, deklaronin banorët në gusht të këtij viti në një denoncim për mediat.
Këtë situatë, Veliaj po e shfrytëzon para zgjedhjeve që edhe të mbledhë vota, edhe të kënaqë kompaninë e preferuar!
Lexo edhe: Veliaj i fal 1.6 mld lekë Mehdi Lalës, për të riparuar 4 rrugica
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post