Në verën e vitit 2022, Europa po ballafaqohej me skenarë të tmerrshëm për dimrin që po afronte. Ministri gjerman i Ekonomisë paralajmëroi mbyllje masive të industrive në vend, prishje të zinxhirëve të furnizimit dhe një normë të lartë të papunësisë.
Presidenti francez u bëri thirrje qytetarëve të reduktonin ngrohjen në shtëpitë e tyre. Spanja ankohej se pse vendet që nuk ishin aq të lidhura me gazin rus, duhet të shpëtonin nga kriza fqinjët, që dikur u kishin dhënë leksione mbi disiplinën fiskale. Ndërkohë, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, parashikoi plot entuziazëm se europianët do të “ngrinin në shtëpitë e tyre”, pasi kur nisën të mbështesnin Ukrainën nuk i menduan mirë pasojat.
“I ftohti do të vijë shumë shpejt!”- shkroi ai në rrjetet sociale në qershorin. Por ndërsa Bashkimi Europian po hyn tashmë në muajin e fundit të dimrit, po bëhen gjithnjë e më të qarta shenjat se anëtarët e tij e kanë përballuar me sukses një krizë vërtet historike. Kjo jo vetëm sepse “Gjeneral Dimri” është dëshmuar si një kundërshtar më i butë nga sa parashikoi Medvedev. Brenda 8 muajve nga fillimi i luftës në Ukrainë, blloku i 27 shteteve europiane arriti të zëvendësojë rreth 80 për qind të sasisë së gazit që merrte nga Rusia.
Ai ndërtoi me shpejtësi infrastrukturën e re për importin e gazit natyror të lëngshëm, duke gjetur mënyra shumë kreative për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke ndjekur me sukses politikat e kursimit të energjisë. Për shembull, Holanda, prodhuesja më e madh e gazit natyror në BE, mbështetej tek gazi rus për 15-20 për qind të konsumit të saj, pasi po hiqte dorë nga fusha e saj të madhe gazmbajtëse në Groeningen.
Por e dyfishoi kapacitetin e saj të importit të LNG, me ndërtimin e depozitave të reja tëmagazinimit dhe rigazifikimit në Rotterdam dhe Eemshaven. Ajo e shfrytëzoi kapacitetin shtesë për të plotësuar kërkesën e brendshme – të cilën arriti ta reduktonte me 22 për qindkrahasuar me mesataret e viteve të mëparshme – dhe furnizimin me tepricat të Republikës Çeke, Gjermanisë dhe Francës.
Si kudo tjetër, çmimet e energjisë për konsumatorët familjarë u rritën, por u subvencionuan dhe u kufizuan. “Në vjeshtën e vitit të kaluar, pati një moment kur unë u shqetësova se disa qeveri evropiane do t’i përgjigjeshin krizës, duke i dhënë përparësi furnizimeve të tyre energjetike, dhe do të ndërprisnin ndarjen e energjisë me fqinjët e tyre, një lëvizje që do të kishte pasur pasoja shkatërruese, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht”- thotë Simone, ekspert energjetike në institutin e mendimit “Bruegel’ me seli në Bruksel.
Por Europa arriti të shmangë tundimin e proteksionizmit, duke mbajtur të paprekur tregun e saj të brendshëm. ”Çmimet e gazit ranë të hënën në rreth 55 euro për megavat orë (MWh), një nivel i parë për herë të fundit para fillimit të luftës, në shtator 2021, nga 330 euro/MWh që ishte në fund të gushtit 2022”- thekson Tagliapietra.
“Bruegel“ vlerëson se gjatë gjithë vitit të kaluar, kërkesa për gaz në Bashkimin Europian ishte 12 për qind më e ulët se sa mesatarja e periudhës 2019-2021. Gjermania, gjithmonë e prirur të mbajë barrën e krijuar nga shantazhi i Putinit me gazin, për shkak të varësisë së saj të madhe nga eksportet energjetike ruse, arriti të konsumojë 14 për qind më pak gaz në vitin 2022, sesa kishte bërë mesatarisht në vitet 2018-2021.
Ajo ka hyrë në muajin shkurt me depozitat e mbushura në nivelin 80 për qind, krahasuar me 36 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe pse çmimet e larta të gazit kanë pasur ndikimin e tyre negativ mbi industrinë gjermane, dëmi deri më tani nuk ka qenë katastrofik.
Ndërsa PBB-ja e ekonomisë më të madhe të Europës ra me 0.2 për qind nga tetori në dhjetor, qeveria gjermane e përmirësoi javën e kaluar parashikimin e saj për këtë vit, duke parashikuar se recesioni do të jetë “më i shkurtër dhe më i butë” nga sa pritej. Vendet nordike ishin edhe më të suksesshme në reduktimin e konsumit të gazit.
Danimarka e reduktoi me 24 për qind kërkesën totale për energji elektrike nga industria dhe familjet, Suedia me 36 për qind dhe Finlanda me 47 për qind (edhe pse gazi natyror përbënte vetëm 5 për qind e nevojave të saj të përgjithshme për energji). Verës që shkoi, disa shtete të Europës Jugore, ngurruan fillimisht të ndanin në mënyrë të barabartë barrën e kursimit të energjisë.
Spanja ra dakord të reduktonte me 7-8 për qind përdorimin e gazit, pasi argumentoi se objektivi uniform prej 15 për qind, ishte i padrejtë për vendet që si ajo vetë nuk vareshin shumë nga gazi rus, dhe që i kishin “bërë detyrat e shtëpisë” në lidhje me diversifikimin e furnizimeve me energji.
Megjithatë, ajo nuk u tërhoq nga angazhimet që mori përsipër. Në korrik 2022, qeveria njoftoi një sërë masash që synonin të ndihmonin në uljen e konsumit të energjisë në vend dhe përdorimin e naftës dhe gazit rus. Në Francë, përpjekja për kursimin e energjisë ishte më e vështirë, sepse disa nga reaktorë bërthamorë po i nënshtroheshin procedurave të mirëmbajtjes.
Nga fillimi i majit dhe deri në fund të tetorit, rreth gjysma e 56 reaktorëve francezë ishin jashtë funksionit për shkak të riparimeve, duke e kthyer vendin nga eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në Evropë në një importues. Një nga vendet që rriti eksportet e saj të energjisë elektrike drejt Francë në atë periudhë ishte Gjermania, e cila nga ana e saj importonte më shumë gaz nga fqinji i saj perëndimor.
Por tani situata është stabilizuar. Nga mesi i janarit, 73 për qind e reaktorëve bërthamore të Francës u rikthyen në punë, duke e ndihmuar atë të rifitonte pozitat e eksportueses kryesore të energjisë elektrike në BE. Por edhe kur reaktorët bërthamore ishin në remont, Europa u ndihmua nga burimet e rinovueshme të energjisë.
Sipas një analize të “Ember Climate”, vitin e kaluar Bashkimi Europian e mori 22 për qind të energjisë elektrike nga energjia diellore dhe e erës, teksa burimet e rinovueshme e tejkaluan për herë të parë gazin. Era është aktualisht burimi i tretë më i madh i energjisë elektrike në Suedi, dhe ky sektor është planifikuar të zgjerohet më tej.
Kapaciteti i energjisë së erës në Finlandë u rrit me 75 për qind vetëm vitin e kaluar, duke i dhënë mundësi vendit ta forcojë vetë-mjaftueshmërinë energjetike. Por diversikifimi i burimeve energjitike larg Rusisë, nuk e ka bërë Europën më të pastër në të gjithë bllokun.
Në Poloni, vend që mbështetet ende tek qymyri për shumicën e nevojave të saj për ngrohje, qeveria ka miratuar një kompensim për qymyrin, dhe i ka ngrirë çmimet e energjisë elektrike për familjet.
Kriza ka nënkuptuar një ngadalësim të planeve në shumë vende për të hequr gradualisht dorënga qymyri. Edhe në Bullgari deputetët votuan kohët e fundit pro shtyrjes së planeve për mbylljen e termocentraleve me qymyr.
Discussion about this post