Sot është Shën Valentini, dita kur dashuria është në ajër, dhe me të është shtuar edhe kërkesa për dhurata.
Buqetat me trëndafila natyralë, apartamentet me qira me oxhak të dekoruar me qirinj, tullumbacet me helium dhe petalet natyrale apo arushat prej pelushi vijojnë të mbetet trendi më i preferuar i dhuratave për Ditën e të Dashuruarve.
Por vala e lartë e emigracionit, kryesisht të rinjve, ka ndryshuar kërkesën edhe për dhuratat në Ditën e Shën Valentinit. Ndryshe nga vitet e kaluara, për këtë vit më tepër lule janë porositur nga emigrantët sesa vendasit. Shitësit e luleve në disa dyqane në kryeqytet pohojnë se ka shtim të lartë të kërkesës nga meshkujt që jetojnë në emigracion për bashkëshortet apo të dashurat e tyre.
Çmimet
Për sa u përket çmimit të luleve shitësit thanë se krahasuar me vjet nuk kanë pësuar rritje, ndërsa porositë variojnë me kosto të ulëta. “
Kërkesa për buqeta lulesh të freskëta këtë vit kryesohet nga meshkujt shqiptarë që jetojnë në emigracion. Kërkesa më e lartë ka qenë nga Gjermania, Anglia dhe Italia.
Porositë variojnë sipas buxheteve me shuma që arrijnë deri në 50 euro për buqetë. Deri tani nuk kemi marrë ende porosi për tufa gjigande lulesh me buxhete te larta”, pohoi Eni shitësja e luleve nga dyqani “Royal Flower” në rrugën Bardhyl.
Në total në Shqipëri për muajin janar 2023 janë importuar 597,8 mijë copë lule të freskëta për buqeta sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me muajin janar 2022 numri i luleve të importit ra 8%, ndërsa në vlerë u rrit 1%.
Vjet janë importuar më shumë lule, por me çmim më të lirë. Sipas të dhënave të INSTAT në 2022 importet për grupin “pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” në sasi u rritën 8%, ndërsa në vlerë ranë rreth 2%. Edhe për vitin 2022 peshën kryesore të importit të luleve e kryeson Holanda, e ndjekur nga Italia, Greqia dhe Ekuadori.
Për sa i përket ecurisë së kërkesës nga vendasit, shitëset e dyqanit “Fiore” në zonën e ish-Bllokut nënvizuan se është shumë herë më e ulët se vitin e kaluar, duke shtuar se 2 ditë para festës kërkesa ka qenë zero. Sipas tyre porositë ndër vite për lule nuk janë dominuar nga të rinjtë, por nga mosha më të mëdha.
“Këtë vit nuk ka pasur asnjë kërkesë nga target grupi me të cilin punojmë. Mendojmë se kjo ka ardhur për shkak të mbajtjes së protestave para festës. Megjithatë në fund të ditës do të mund të kemi një bilanc të plotë për kërkesës ”.
Trendi i dekorimeve
Për Shën Valentin këtë vit është rritur kërkesa për zbukurim ambientesh nga dyqanet e tregtimit të dhuratave, ndërsa dyqanet e dekoreve thonë se ka shpërthyer kërkesa nga të rinjtë në emigracion për apartamente të marra me qira që janë përdorur si surprizë për festën.
Klea Kolbuçaj nga agjencia “Ester Event” pohon se kërkesa me buxhet më të lartë për zbukurime të apartamenteve të marra me qira me qëllim kalimin e festës kryesohet nga emigrantët në Angli.
“Kërkesa në rritje e apartamenteve vjen nga emigrantët si surprizë për bashkëshorten apo të dashurën, pasi kërkojnë qetësinë dhe privatësinë. Më tepër preferojnë zbukurimet me petale natyrale, qirinj, tullumbace etj. Apo zgjedhin edhe apartamente me oxhak dhe kërkojnë ambient të dekoruar.
Porositë për këto dekore variojnë në vlerat 150, 200 deri në 500 euro dhe më shumë po kërkohen për t’u përdorur si surprizë nga ata që jetojnë në emigracion”.
Këtë vit në Tiranë ka pasur rritje të dekoreve për ambientet e jashtme të dyqaneve të tregtimit të dhuratave.
Në disa raste pronarët me qëllim joshjen e klientëve për dekor kanë përdorur disa nga shprehjet e reality shows.
Klea Kolbuçaj shton se kërkesa për dekor të ambienteve të jashtme është shtuar, ndërsa nuk kanë munguar edhe nga restorantet që krahas menusë së ushqimit për festë kërkojnë për atmosferë edhe një ambient të dekoruar.
Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve thanë se krahasuar me vjet kërkesa për prenotime për darkë në restorant është shumë herë më e ulët, për shkak të largimit të rinisë dhe rënies së fuqisë blerëse nga çmimet e larta./ Monitor
Discussion about this post