Një plan zhvillimi i qeverisë shqiptare për zonën e rëndësisë kombëtare Drilon-Tushemisht buzë liqenit të Ohrit ngre dyshime se fsheh interesa private ndërtimi, të cilat bien ndesh me rekomandimet e UNESCO-s. Autoritetet shqiptare e mbrojnë projektin dhe thonë se UNESCO ka vetëm rol këshillues.
Parku kombëtar i Drilonit dhe fshati i Tushemishtit buzë liqenit të Ohrit në Pogradec është shpallur zonë e rëndësisë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, për habitatin e pasur dhe vlerat e saj natyrore.
Por kjo zonë e mbrojtur rrezikon të dëmtohet nga një plan i qeverisë shqiptare, që parashikon një numër të konsiderueshëm ndërtimesh në hapësirën mes Drilonit dhe fshatit turistik të Tushemishtit.
Plani i detajuar i zhvillimit është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në dhjetor të vitit 2020 dhe në bazë të tij, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim po zbaton një projekt për rikualifikimin e parkut të Drilonit.
Në kufi të parkut, plani inkurajon ndërtimin e strukturave turistike 2 ose 3 katëshe si dhe godinave hibride për qëllime tregtare.
Kur misioni i ekspertëve të UNESCO-s u njoh me projektin, kundërshtoi kategorikisht ndërtimet në hapësirën e zonës së mbrojtur:
“Hiqni përgjithmonë nga projekti i zhvillimit të turizmit në Burimet e Drilon, opsionet për ndërtime në fushat bujqësore përgjatë burimeve, ndërtimin e Muzeut të Liqenit ose ndonjë ndërtese tjetër në majë të kodrës…”, udhëzoi UNESCO.
Por shqetësimi i UNESCO-s duket se ka rënë në vesh të shurdhër.
Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Paskalino Zyko e mburri projektin, duke e konsideruar atë miqësor me mjedisin.
“Projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ka kaluar në të gjitha institucionet, ministritë e linjës dhe padyshim edhe ministria e kulturës. Projekti konsiston në rehabilitimin e parkut ujor të Drilonit. Trefishohet hapësira e parkut deri në zonën e burimeve të Gurrasit, Projekti është shumë miqësor me mjedisin dhe në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s”, tha zoti Zyko.
Edhe Ministria e Kulturës e mbrojti projektin, ndërsa theksoi se UNESCO ka rol këshillimor dhe jo miratues. Ministria shtoi gjithashtu se rekomandimet e misionit monitorues ia kishte përcjellë institucioneve përgjegjëse dhe palëve të interesuara.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin, AADF i tha BIRN-it se ishte angazhuar në rikualifikimin e zonës pranë burimeve të Drilonit, por mohoi çdo përfshirje me projektin e ndërtimeve në hapësirën mes Drilonit dhe Tushemishtit:
“AADF nuk ka një projekt zbatimi për zonën midis Drilonit dhe Tushemishtit, përveç atij të rikualifikimit të bregut të liqenit, që është i miratuar nga autoritet shtetërore në vitin 2022 dhe është duke u zbatuar. Kërkesat e tjera private për ndërtim/zhvillim, përfshirë edhe zonës që ju i referoheni adresohen nga autoritetet shtetërore”.
Projektet e ndërtimit në zona të mbrojtura janë një problem i vazhdueshëm në Shqipëri për dëmet që shkaktojnë në mjedis dhe në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Sipas profesorit të Urbanistikës, Gentian Kaprata, plani i zhvillimit për zonën e Drilonit dhe Tushemishtit duket se i shërben interesave private.
“Ndërtesat që propozohen janë dhënë në funksion të pronësisë mbi tokën. Ky është një indikator që po flasim për një projekt që shkon në interes të personit apo grupit se si do ta ndërtojë e si do të shpërndajë atë. Kjo nënkupton se interesi për këtë studim ka qënë i një grupi njerëzish që do ndërtojnë, pra ndërtimi dhe jo vlerësimi i zonës dhe dhënia e një balance të re urbano-mjedisore të zonës”, thotë ai.
Projekti kundërshtohet edhe nga ekspertët e mjedisit, që shpresuan se me hyrjen në UNESCO Driloni do të shpëtonte nga ndërtimet.
“Ato zona që kanë ngelur janë në rrezik të zhvillimit, në rrezik të urbanizimit dhe fragmentarizimit. Pra, nuk do të ketë më një tokë të vazhdueshme, por do bëhet me struktura mbështetëse, akomoduese dhe kjo normalisht shkatërron habitatin dhe heq pjesën e natyrës”, thotë Joni Vorpsi, ekspert i organizatës mjedisore PPNEA.
Sipas zotit Vorpsi, refuzimi i rekomandimit për të ndalur ndërtimet në zonën Drilon-Tushemisht rrezikon mbrojtjen e ofruar nga UNESCO. /Voa/
Discussion about this post