Boris Becker mori pjesë në Berlinale këtë të dielë, dy muaj pasi doli nga një burg në Mbretërinë e Bashkuar, për të prezantuar një dokumentar të fokusuar në arritjet e tij sportive dhe i bindur se, pavarësisht gabimeve të tij, ai ka kohë të bëhet “një njeri më i mirë.”
“Ishin tetë muaj e gjashtë ditë në burg, ku çdo mëngjes pyesje veten se si do të ishte pjesa tjetër e jetës tënde,”- tregoi tre herë kampioni i Wimbledon, i rrethuar nga Alex Gibbney, regjisori i filmit “Boom! Boom! The World v Boris Becker”.
Filmi nis me një intervistë, të regjistruar disa ditë para se të dëgjohej dënimi. Ai flet para kamerës me fytyrë të fryrë dhe në prag të lotëve, si parandjenjë e dënimit 2.5 vjeçar, që i është shqiptuar për parregullsi financiare.
Krimet e tij tatimore u vlerësuan në rreth 2.7 milionë euro. Dënimi pasoi një sërë problemesh financiare, një deklaratë falimentimi të vitit 2017, një borxh prej gati 60 milionë eurosh dhe një hua të papaguar prej 3.5 milionë eurosh për një vilë që zotëronte në Majorka.
Intervista pasohet nga imazhi i një tufe kamerash, që kapin mbërritjen e Becker në një gjykatë në Londër, i veshur elegant dhe dorë për dore me partneren e tij aktuale, Lilian De Carvalho Monteiro. Pasi dëgjoi dënimin, ai hyri drejtpërdrejt në burgun e Londrës Wandsworth.
“Tani jam ulur këtu, ndihem mirë. I kam vënë vetes synimin të jem një njeri më i mirë. Shpresa është gjëja e fundit që humbet,”- tha ai disa orë para premierës zyrtare të filmit të tij.
Gibney, fitues i një Oscar në 2008, për “Taxi to the Dark Side”, ka kompozuar filmin e tij me dy intervista me Becker, një nga 2022 dhe një e mëparshme nga 2019, imazhe të ndeshjeve të tij më legjendare dhe intervista me yje të tjerë në pension, si John McEnroe, Mats Wilander ose Bjorn Borg.
Nga imazhet e adoleshentit gjerman që fitoi Wimbledonin e tij të parë në moshën 17-vjeçare, ai vazhdon të përpiqet të shpjegojë pikat e forta dhe të dobëta të tij. “Jeta e një makinerie fituese tenisi është shumë më e vështirë nga sa mund ta imagjinoni,”- thotë Becker.
Barbara Feltus, aktorja me të cilën ai ishte i martuar mes viteve 1993 dhe 2001 dhe me të cilën pati dy fëmijë, Noah dhe Elias, është e vetmja nga ish-bashkëshortet në jetën e tij që shfaqet mes të intervistuarve.
Divorci pasoi lidhjen e tij me modelen Angela Ermakova, me të cilën pati një takim seksual në një hotel luksoz në Londër, rezultat i së cilës lindi vajza e tij Anna. Aty filloi një zinxhir kompensimi miliona dollarësh, i alternuar me përpjekjet për të rindërtuar jetën e tij dhe skandale të reja, të cilat në filmin e Gipsey pasqyrohen përmes kopertinave të tabloideve.
“Gjëja e fundit që dua është të fitoj dhembshuri. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia,” tha Becker, më i qetë se në intervistat e para të transmetuara në Gjermani pas lirimit nga burgu nga media si gazeta tabloid gjerman “Bild”.
Discussion about this post