Nuredin Dumani është thirrur në GJKKO për të dëshmuar gjatë procesit, në të cilin gjykohen dy të rinjtë që morën pjesë në vrasjet e njëpasnjëshme të Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt.
Ndonëse për ato dy vrasje në fakt, që në krye të herës policia e Elbasanit ka mundur të bëjë të penduar Euglent Halilin, i vetëpenduar pas masakrimit me thika që i bëri të riut, Regis Runaj, Dumani ka ridëshmuar sërish në lidhje me përfshirjen e tij në ato dy ngjarje të rënda. Ai ka fiksuar faktin se i qëndron dëshmisë së parë: “Unë kam qenë organizatori, ndërkohë që ekzekutimin e Ramazanit e ka kryer Skerdi Tasi, i njohur si nipi i Henrik Hoxhës, fieraku tjetër, i cili realisht u bë dëshmitari i parë i drejtësisë, sapo ra në pranga.
Prokuroria e Posaçme asnjëherë nuk e ka pranuar se Henrik Hoxha ishte personi që vendosi të fliste për të gjithë angazhimin e tij si vrasës me pagesë, duke treguar edhe personat për të cilët punonte, ku më kryesori ishte Nuredin Dumani. E ndërsa Dumani gjendej në shtratin e spitalit ku po kurohej për plagët e atentatit që iu bë në Elbasan, ndërsa kërkonte të ekzekutonte Olti Kilën, prokurorët e vënë para dëshmisë së shokut të tij. Atëherë Dumani vendosi të flasë dhe të tregojë ngjarje, episode e krime të shumta të kryera në bashkëpunim dhe kundër Talo Çelës, një nga dy emrat më të përfolur të botës së krimit që vijon të jetë në kërkim.
Dëshmia e Euglent Halilit
Prokuroria e Elbasanit, pasi siguroi dëshminë e të penduarit Euglent Halili, vetëm pak ditë pasi ai kishte kryer një nga krimet më të rënda të ndodhura viteve të fundit në vend, fiksoi dy episode të rrezikshme; të dy ngjarjet që pasonin njëratjetrën, që kishin ndodhur me 20 dhe 29 korrik të vitit 2020, ishin urdhëruar nga Erion Alibej dhe ishin organizuar nga Nuredin Dumani. Halili, i cili vendosi të linte në oborrin e tij motorin me gjak, në të cilin masakroi Regis Runajn, pasi nuk i dhanë shumën e parave për të cilën kishte rënë dakord me Xhuliano Hoxhën, të riun tjetër nga Elbasani që Dumani e përdori për informator, i tregoi Prokurorisë gjithçka dinte për të dy vrasjet.
Ai tregoi se në ngjarjen e parë, pra në vrasjen e Ramazanit kishte qenë informator, pasi Xhuliano e paguante me shuma të vogla, ndërsa në lidhje me ekzekutimin e Regisit, ai e kishte marrë përsipër vetë me idenë se do të përfitonte 30 mijë euro. E kur Halilit nuk i shkuan paratë, ai atëherë vendosi t’i linte provat sheshit në shtëpinë e tij dhe Policia nuk e pati të vështirë ta vinte në pranga, ku për shkakun e dëshmisë së tij, nisi të hidhej dritë mbi një mori krimesh të përgjakshme në Elbasanin e 3-4 viteve të fundit.
Dumani shfaqet përballë informatorëve
I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka konfirmuar në GJKKO dëshminë që ka dhënë për vrasjen e Emiljano Ramazanit. Nën masa të rrepta sigurie u shfaq në gjyq në funksionin e dëshmitarit gjatë procesit ndaj Euglent Halili dhe Xhuliano Hoxhës. Dumani ka treguar se ekzekutori ka qenë Skerdi Tase, ndërkohë që si porositës përmend emrin e Erion Alibej. Ai ka përfshirë edhe veten duke pranuar se ka qenë organizatori, ndërsa pavarësisht se është shfaqur si dëshmitar, GJKKO i ka caktuar edhe atij avokat. Për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, akuzohet si porositës Erion Alibej.
Pas operacionit ‘Plumbi i Artë’, SPAK kërkoi të pyetet edhe Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë që zbardhi detaje nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-n. Dumani zbuloi se ndihmës për ekzekutimin e Ramazanit kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili. Atentati mafioz ku mbeti i vrarë Emiljano Ramazani ndodhi më 20 korrik 2020. Vrasja është kryer poshtë shtëpisë së tij, teksa Ramazani po parkonte automjetin tip ‘Ford Fokus’, ku u qëllua me 5 plumba pistolete.
Vrasja e Emiljano Ramazanit dhe devijimi i hetimeve nga shefi
Me porosi të Erion Alibejt, Nuredin Dumani ka organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në një parkim në pronësi të shtetasit Seit Manhasa, pasi Manhasat ishin shokët e Talos dhe ishin vrasësve. Sipas Nuredinit, Erioni donte që të krijonin konflikt midis Manhasave dhe grupit të Talos. Henrik Hoxhaj me porosi të Nuredinit e ka lënë armën e krimit te pishat ku kalon kthesat në Cërrik, ku është një vend që ndodhet një lokal në krahun e sipërm të rrugës ka argjinaturë (mur mbajtës).
Nuredini i ka treguar shtetasit Klevis Kapllani vendin se ku ishte fshehur arma dhe Klevisi pas dy-tri ditëve ka vajtur ka marrë këtë armë dhe e ka çuar dhe vendosur te servisi i Manhasava. Sipas Nuredinit, pas vendosjes së armës ka qenë Erioni, ai i cili ka njoftuar një shef krimesh, i cili ishte i lidhur me të për vendndodhjen e armës. Rezulton se në datën 27.07.2020 (7 ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit) në një servis në Peqin në pronësi të shtetasve Albert dhe Seit Manhasa është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e tipit pistoletë, e cila referuar aktit të ekspertimit balistik është ajo që ka qitur gëzhojat e fiksuara në vendin e ngjarjes së vrasjes së Emiljano Ramazani.
Nga hetimet e kryera rezulton se informacionin në lidhje me vendndodhjen e kësaj arme e ka marrë ish-shefi i Policisë së Elbasanit Leonard Palushi, i cili më pas ka informuar drejtorin e Policisë Vendore Elbasan, Arjan Muça, dhe ky i fundit zëvendësin e tij Alket Shatro, i cili më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është gjetur edhe pistoleta në fjalë. Rezulton se Leonard Palushi ka pasur lidhje me shtetasin Erion Alibej.
Discussion about this post