Për herë të parë që nga viti 1995, stoku i borxhit publik shënoi ulje gjatë vitit 2022. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave (MF) tregojnë se në vitin e kaluar, stoku i borxhit publik arriti në 1,378,400 milionë lekë me ulje 4,2 miliardë lekë (36 milionë euro) në raport me vitin 2021. Stoku i borxhit gjatë një viti ra me 0.3%, duke e shënuar kështu kthimin e kurbës poshtë për herë të parë nga viti 1995.
Si rrjedhojë ulje ka pësuar edhe borxhi si raport me PBB që në fund të vitit 2022 arriti në 66,97% të PBB-së me një rënie 6.2 pikë për qind në krahasim me vitin 2021. Borxhi në raport me PBB ka shënuar luhatje nga viti në vit, i ndikuar nga rritja ekonomike, por nuk ka qenë e zakonshme që të ulej në vlerë. Këto zhvillimeve i dedikohen shlyerjeve të larta të principalit dhe interesave dhe mosrealizimit të deficitit buxhetor.
Gjatë vitit të kaluar, fondet për shërbimin e borxhit ishin rreth 78 miliardë lekë. Dhe në të njëjtën masë, ishte edhe deficiti buxhetor. Vitin e kaluar, sektori fiskal i qeverisë pati zhvillime pozitive në drejtim te të ardhurave buxhetore. Në vitin 2022, arkëtimet u rriten me 12% në krahasim me vitin 2021, pasi rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndikoi që prej tatimeve në përqindje të vileshin më shumë të ardhura.
Gjithsesi vendi ynë ka një nivel të lartë të borxhi në 67% të PBB, ose 11.7 miliardë euro dhe shpenzimet buxhetore për shlyerjen e borxhit zënë një vend kryesor në shpenzimet buxhetore. Vlerësimet e FMN-së tregojnë se vendet me të ardhura të mesme si Shqipëria duhet të kenë një nivel borxhi rreth 45% të PBB-së. Teoritë ekonomike e lidhin ngushtësisht ndikimin që borxhi publik ka në rritjen ekonomike. Sipas kritereve, vendet e BE-së vendosën në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992 si kufi maksimal 60% të PBB për borxhin publik të qeverive dhe 3% për deficitin buxhetor.
Këto kritere janë të vlefshme për vendet e BE-së, me një nivel më të lartë të zhvillimit, teksa ky kufi në vende si Shqipëria duhet të jetë më i ulët në mënyrë që borxhi publik t’i shërbejë rritjes ekonomike. Në Shqipëri, historia e borxhit publik nuk e justifikon qëllimin kryesor të huamarrjes publike.
Në dekadën e parë të tranzicionit, borxhi u rrit shumë më shpejt se ekonomia për shkak të krizës që u krijua në fillim të vitit 1990 nga kalimi i ekonomisë me model të centralizuar në ekonominë e tregut. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 1996-2000, ekonomia u zgjerua 176 miliardë lekë, ndërsa borxhi me 203 miliardë lekë.
Në këtë periudhë, borxhi u rrit me 31% më shumë se rritja ekonomike. Dekada e parë e tranzicionit u karakterizua nga disa ngjarje ekstreme si vitet e para të tranzicionit, ku deficiti buxhetor arriti mbi 30%, ndërsa ngjarjet e vitit 2997 me falimentin e skemave financiare çuan në humbje të larta në ekonomi. Pas stabilizimit që solli qeveria e stabilitetit në vitin 1997 dhe asistencës nga institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB, treguesit makroekonomikë të vendit nisën të stabilizohen. Masat fiskale që u morën në atë kohë, rritja e TVSH nga rreth 12% në 20% e përmirësuan bilancin fiskal, duke ulur deficitin buxhetor. Borxhi publik në këtë periudhë u përdor më së shumti për të financuar shpenzimet koherente të qeverisë dhe jo për investime.
Përfundimi i viteve 1990 dhe fillimi i dekadës së dytë të tranzicionit 2000-2010 përkon me një seri ngjarjesh që sollën stabilitet makroekonomik. Zhvillimi i vrullshëm i sektorit privat dhe hyrja në treg e investitorëve të huaj, nëpërmjet privatizimeve të telekomunikacioneve dhe bankave, ndikoi pozitivisht në dy drejtime borxhin publik.
Me krizën globale në vitin 2008, e cila dha ndikimin e vet në vendin tonë, stabiliteti makroekonomik nisi të dobësohej dhe pësoi goditje në mandatin e fundit të qeverisës në vitin 2013. Përpos krizës financiare ndërkombëtare, historia e krijimit të borxhit tregoi se vitet zgjedhore kanë ndikim negativ.
Monitor
Discussion about this post