Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, zhvillon kontrata tenderuese vetëm për të xhiruar paratë në llogaritë e kompanive klientë të tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në këtë bashki dhe ka evidentuar një sërë shkeljesh ligjore në procedurat e prokurimit.
Ujësjellësi që nuk sjell ujë
Një prej tyre është kontrata për rikonstruktimin e Ujësjellësit në Lazarat. Për këtë tender, Golemi ka shpenzuar 171 milionë lekë. Por ç’ndodhi? Firmat fituese nuk kanë kryer punimet sipas dokumenteve standarde të tenderit. Kështu, KLSH gjykon se automatikisht, bashkisë i është shkaktuar dëmi prej 170 milionë lekësh, të cilin Golemi e ka anashkaluar dhe nuk e ka rikuperuar.
“Nga auditimi i përfundimtar, projektit dhe preventivit bazë, preventivit të rishikuar, si dhe nga verifikimi në terren i punimeve të ndërtimit, lidhur me volumet e punës të si dhe atyre të kryera në fakt, në kontratën me objekt “Ujësjellës Lazarat”, kryer punimet në vitin 2020 dhe 2021, me sipërmarrës punimesh BO “B II” ShPK, & “A. K” ShPK & “Me” ShPK, rezultuan diferenca në volume apo punime jo të kryera në përputhje me projektin e hartuar nga projektuesi e të miratuar nga Autoriteti Kontraktor, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore në vlerën 17,195,325 lekë pa TVSh”, thuhet në raport.
Vjedhje nafte
Golemi nuk ka ngurruar të shpërdorojë buxhetin edhe në tenderët për naftë. Lidhur me një kontratë, KLZH shprehet se kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar nga Bashkia, sepse kriteret janë burokratike dhe të pabazuara në ligj. Sipas raportit, Bashkia kërkon që garuesit të kenë më shumë se 3 pika karburanti në qytet. Kur në fakt në total ekzistojnë vetëm 10 pika të licencuara në këtë fushë. Gjithashtu vërehet se ky kriter është ndryshuar sipas dëshirës së Bashkisë, pa asnjë argumentim, në mesin e garës.
“Ky kriter ishte jo më pak se 3 ( stacione dhe është ndryshuar me shtojcën përkatëse në SPE pas Rekomandimit të APP nr. 3151 datë 31.03.2022. Në rrethin e Gjirokastrës referuar të dhënave të licencave për tregtimin e lëndëve djegëse në fushën e hidrokarbureve të dhëna nga Bashkia Gjirokastër, rezulton se ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë rreth 10 subjekte. Kriteri i vendosur ku OE të disponojë jo më pak se 2(dy) stacione shitjeje, është i pa argumentuar teknikisht dhe ligjërisht pasi, referuar pjesëmarrjes në këtë procedurë prokurimi, ku rezulton se ka marrë pjesë vetëm një OE”, konstaton KLSH.
Gjithashtu në këtë kërkesë citohet që Operatori Ekonomik të ushtrojë veprimtari të tregtimit dhe të gazit të lëngshëm e lubrifikantëve.
Gjë e cila nuk përkon me kërkesat e Bashkisë, pasi nuk është kërkuar blerje për këto dy produkte. Nga kjo kontratë abuzive Flamur Golemi ka shpërdoruar nga fondi i bashkisë 240 milionë lekë.
Afera me koshat e plehrave
Më tutje në raportin e KLSH, evidentohet se Golemi ka shkaktuar 53 milionë lekë dëme, me tenderin ku gjoja do të blinte kosha plehrash. Në dokumentin përfundimtar, Bashkia Gjirokastër shprehet se ka vendosur këtë fond limit. Duke u bazuar dhe nga ofertat që kanë paraqitur disa operatorë. Pra, dikujt iu deshën ca lekë dhe kryebashkiaku ia xhiron me tender! Por, në fakt Bashkia nuk ka specifikuar se nga cilat oferta konkretisht dhe cilët janë argumentet që mbështesin fondin 53 milionë lekë për disa kosha mbeturinash.
“Bazuar në procesverbalin e mbajtur nga komisioni i llogaritjes së fondit limit dhe hartimit të specifikimeve teknike rezulton se; llogaritja e fondit limit referuar 3 ofertave të marra nga OE të ndryshëm, nuk përcakton të dhëna për asnjë nga OE ku janë marrë këto oferta”, evidenton audituesi.
Gjithashtu, evidentohet se kriteret e kualifikimit dhe specifikimet janë të paargumentuara, formularë të paplotësuar në rubrikat, të cilat janë të detyrueshme për t’u shkruar. Ndërkohë evidentohet se ka operatorë që kanë paraqitur oferta me vlerë 35 milionë lekë, apo 43 milionë lekë. Pra deri tek 15 milionë lekë më lirë se fondi limit i përcaktuar. Por, Golemi nuk i ka marrë parasysh dhe nuk e ka mbajtur vlerën 749,128 lekë si formë penaliteti.
Në këtë kontratë, KLSH ka vërejtur se operatori fitues, edhe pse kishte ofertën më të shtrenjtë nuk ka respektuar kontratën. “ Mos respektim i kushteve të kontratës nga OE, nuk argumentohet amendimi i kontratës. Shkakton pasoja të pakthyeshme”, shprehet KLSH.
41 mln lekë për të mirëmbajtur makinën e kryetarit Golemi
Në vitin 2022, kur gjithë vendi po përballej me vështirësi ekonomike, Golemi i ka shpenzuar 41 milionë lekë nga fondet e bashkisë për të mirëmbajtur makinën e tij dhe punonjësve të tjerë. KLSH konstaton se në këtë rast fondi limit nuk është përllogaritur në baza të vërteta ligjore. Dhe si pasojë ka çuar në fryrje të tij për një shërbim të tillë.
Ndër të tjera, audituesi shprehet se kriteret e kualifikimit janë të paargumentuara, të ekzagjeruar dhe të panevojshme për pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë. Gjithashtu është shpallur fituese firma që ka pasur mangësi dokumentesh.
Në fakt, edhe vetë tenderi ka plotë boshllëqe, duke shkelur kështu ligjin për prokurimet.
“Vendosja kërkesave të veçanta për kualifikimin e operatorëve ofertues, nuk është e sqaruar në të gjitha rastet në mënyrë teknike dhe ligjore. Pasi nuk argumentohet arsyeja e vendosjes së tyre. Duke sjellë një konfuzion nuk është sqaruar lidhja e ngushtë me objektin e prokurimit dhe natyrës së kontratës. Gjithashtu ndikojnë në një ngushtim të konkurrencës së lirë. Duke kufizuar pjesëmarrjen. Veprime të cilat bien ndesh me qëllimin dhe parimet e kuadrit ligjor për prokurimin publik. Referuar setit të Dokumenteve te Tenderit rezulton se nuk është plotësuar seksioni 3.1.2, në lidhje me llogarinë bankare të AK e cila rezulton e pa plotësuar”, theksohet në raport.
Këto shkelje nga Golemi i kanë kushtuar buxhetit të Bashkisë Gjirokastër mbi 500 milionë lekë. Që janë përvetësuar dhe shërbimet e planifikuara nuk janë kryer sipas kontratave.
Lexo edhe: Flamur Golemi kujtohet për Zhulatin/ 382 mln lekë, tenderit pa garë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post