Nga Enton Abilekaj – Për të gjithë ata që mendonin deri sot në oren 19.00 së brenda sistemit personal të Edi Ramës ka shpresë për Drejtësi, ky ishte një vendim i domosdoshëm. Për të gjithë ata që mëndonin se brenda sistemit personal të Edi Ramës ka shpresë për ta mundur me zgjedhje, për ta luftuar në rrugë institucionale, duke iu nënshtruar mekanizmave të Shtetit që janë nën pushtetin e tij, ky ishte një vendim i duhur. Nëse dikush ka akoma iluzione se sistemi që Edi Rama trashëgoi dhe më pas privatizoi dhe më pas personalizoi do t’ i jepte mundësinë opozitës ta konkuronte dhe më pas ta rrënone apo ta privatizonte, në rastin më të mirë është naiv.
Në rastin më të mirë se edhe më naivi nuk mund ta pranojë dot që padia në Gjykatën e Apelit ishte sadopak legjitime. Jo vetëm se nuk kishte palë në proces, që si opsion juridik bëhet i komplikuar, por sidomos për arsyen e thjeshtë dhe të ditur botërisht se autori i ankimimit, Enkelejd Alibeaj nuk përfaqëson atë që pretendon. Ai nuk është, nuk ka qenë dhe nuk u bë kurrë kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, apo asaj pjese që i takon Lulzim Bashës dhe atij, sepse Këshilli Kombëtar i atij grupimi nuk u mblodh kurrë pas 6 marsit te 2022. Statuti i Partisë Demokratike e përcakton qartë se kryetari në detyrë votohet nga Këshilli Kombëtar. Statuti i PD nuk e parashikon në asnjë nen rastin kur kryetari në detyrë nuk votohet për shkaqe objektive apo subjektive. Statuti nuk ka asnjë nen ku Këshilli Kombëtar ia delegon, pa u mbledhur, sekretarit të përgjithshëm, caktimin e Kryetarit në Detyrë.
Pavarësisht argumenteve elementare qe delegjitimonin padinë e Alibeajt, gjyqtarët vendosën njësoj si Lindita Nikolla, që firma e tij të jetë në e fortë se ligji, më e fortë se Kushtetuta, më e fortë se çdo institucion në vend. Gjykata e Apelit, në 3 mars 2023, vendosi të zhbëjë rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit 2022, vendosi të shpërbëjë votën direkte të qytetarëve, edhe kur ajo çertifikohet nga sistemi i Edi Ramës. Gjykata vendosi që përjashtojë nga zgjedhjet lokale opozitën e zgjedhur për t’i hapur rrugë opozitës së emëruar nga Edi Rama, të përjashtojë nga sistemi ata që e rrezikojnë Edi Ramën në favor të atyre që negociojnë me Taulant Ballën.
Ky është vendim per shembjen e Rendit Kushtetues, e marrë nga një trup gjykues që nuk e ka, as tagrin dhe as fuqinë.
Prandaj është vendim i Edi Ramës, prandaj është konfirmim që sistemi i Edi Ramës tashmë është instaluar. Prandaj është alarm për të gjithë ata që, pavarësisht bindjes politike, besojnë tek pluralizmi dhe demokracia. I njëjti njeri që u kap nga institucionet e SHBA, duke korruptuar një drejtues të lartë të FBI-së, për të kontribuar në asgjësimin e opozitës, vetëm 2 muaj më pas, pasi dështoi përtej Atlantikut, imponon një vendim gjyqësor për emërimin e opozitës.
Për fatin e keq të një vendi ku qytetarët nuk kanë asnjë pushtet, përfaqësuesit e SHBA, nuk ngurruan të ishin aty për të imponuar vendimin anti-pluralist, vendimin që përjashton nga zgjedhjet të paktën dy të tretat e 630 mijë votuesve të Partisë Demokratike, ose 420 mijë shqiptarë, vendimin që imponon përsëritjen e zgjedhjeve moniste të 2019, vendimin që rimonfirmon pushtetin absolut të një njeriu, vendimin që i hap rrugën mandatit të katërt të pushtetit absolut.
Kjo është ajo që, Edi Rama, me mbështetjen e çuditshme të SHBA, po i bën vendit; instalimi i një regjimi, në emër të luftës kundër së shkuarës negative. Pavarësisht së tashmes së padurueshme.
Megjithatë nuk ka asgjë të re, asgjë të papritur. Kjo thjesht i jep përgjigje përgatitjeve për zgjedhje, zgjedhjet se kandidatëve me një anëtar një votë, pretendimeve se opozita mund të rrëzojë regjimin apo sistemin personal të Edi Ramës me një operacion kirurgjikal, ku do të preken vetëm metastazat e Rilindjes, duke ruajtur pjesën e shëndetshme.
Ako që ndodhi sot, shërbeu për ta afruar përfundimin që do nxirrte ajo pjesë naive e shoqërisë apo e opozitës, se sistemi personal i një njeriu korrigjohet, ose shkatërrohet me zgjedhje, me kushtin që opozita të jetë e pakapur. Ai që e kontrollon sistemin, nëse nuk e kap opozitën e përjashton nga sistemi.
Për fat të keq vendimi i sotëm, konfirmoi se nuk ka asnjë rrugë paqësore për ta rrëzuar Edi Ramën, nuk ka asnjë mundësi që ikja e tij të dalë si verdikt nga kutitë e votimit, nuk ka asnjë shans që vullneti i qytetarëve të konfirmohet besnikërisht me votë. Këto përgjigje u dhanë sot në Gjykatën e Apelit. Pyetjet që mbeten lidhen vetëm e opozitën. Si do ta rrëzojë Edi Ramën? A do vazhdojë me operacionin selektiv të ruajtjes së sistemit duke hequr vetëm Rilindjen? A e ka guximin dhe moralin ta rrëzojë bashkë me sistemin?
/Dosja.al/
Discussion about this post