Media prestigjoze italiane, La Repubblica, i ka kushtuar një artikull situatës ekonomike në Ballkan dhe kryesisht në Shqipëri dhe emigrimeve masive që ndodhin nga ky rajon.
Në artikullin e saj, La Repubblica thotë se kryeministri Edi Rama qeveris në një vend të goditur rëndë nga korrupsioni.
Në artikull flitet edhe për protestat e shqiptarëve në Londër, kundër ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila e ka cilësuar hyrjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar si një fenomen “pushtues”.
Artikulli i La Repubblica:
Protesta në Londër e shqiptarëve kundër ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cilësoi hyrjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar si një “pushtim”.
Ndërsa presin që periudha e pafund e pasluftës të përfundojë, shumë vende të Evropës Lindore ende jetojnë mes korrupsionit, rivalitetit dhe përplasjeve. Kështu, popujt e ndarë për çdo gjë e gjejnë veten të bashkuar nga një qëllim i vetëm, të emigrojnë.
Por ky korrupsion është edhe në vendet që nuk morën pjesë në luftërat e viteve 90’. Kryeministri shqiptar Edi Rama qeveris një vend të torturuar nga korrupsioni dhe varfëria, por gjen kohën të vizitojë ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi në burg, ish. komandant i partizanëve shqiptarë të UÇK-së dhe i akuzuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës.
Nuk është rastësi që nga samiti në samit, Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë jashtë derës Ballkanin Perëndimor. Dhe qytetarët ndërsa presin të kalojë periudha e pafund e pasluftës, gjithnjë e më shumë boshnjakë, serbë, shqiptarë dhe kroatë e kthejnë emigrojnë nga vendi i tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara, vetëm Guajana ka një përqindje më të lartë të banorëve jashtë vendit sesa Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Dhe diasporat ushqehen nga një fluks largimesh, të cilat, sipas Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit të Sarajevës, çuan në uljen e popullsisë në moshë pune të Ballkanit Perëndimor me mbi 400,000 persona nga viti 2016 deri në 2020.
Popujt e ndarë nga gjithçka i bashkon dëshira për t’u larguar: qeveria e Beogradit ankohet se Serbia po humbet “një qytet në vit”, instituti statistikor vëzhgon me shqetësim se si popullsia ka rënë me 10 për qind në dhjetë vjet, në Bosnje Hercegovinë, hulumtimi i Kombeve të Bashkuara zbulon se 72 për qind e të rinjve mendojnë se jetojnë në një vend “strukturalisht të korruptuar”, nga i cili pothuajse gjysma duan të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Qindra mijëra i shpëtojnë varfërisë, korrupsionit, ndotjes. Dhe nëse në të kaluarën largoheshin kryesisht punëtorët, sot burra e gra, punëtorë e të diplomuar ikin nga vendi.
“Në vitet ’90 të rinjtë tanë u larguan plot shpresë për të ardhmen”, thotë Afrim Krasniqi, politolog në Universitetin e Tiranës. “Sot njerëzit emigrojnë sepse kanë humbur çdo shpresë në vendin e tyre”.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë të pamëshirshme: Bosnja është e destinuar të humbasë 60 për qind të banorëve të saj në pesëdhjetë vitet e ardhshme, Shqipëria 66 për qind deri në fund të shekullit. Por nuk duhet të fokusohemi në dekada: “Në paralelet e mia në vitin 2010 kam pasur njëqind nxënës, sot dhjetë”, thotë Krasniqi. “Nga ana tjetër, kurset e mjekësisë dhe infermierisë janë mbushur me studentë që tashmë e kanë në xhep biletën e largimit: pesë mijë punonjës shëndetësorë shqiptarë janë punësuar vetëm në tre vitet e fundit dhe vetëm në Gjermani”. Agjencia Eurofound ka hetuar mirëqenien ekonomike të punëtorëve evropianë: 5 për qind e danezëve e kanë të vështirë të përballojnë bukën e gojës, por në Shqipëri ky numër është 69.
Nëse kryeministri Edi Rama vazhdon të gëzojë mbështetjen e Bashkimit Europian, vetëm në pesë vitet e para të “mbretërimit” të tij, 260 mijë shqiptarë emigruan në Europë. Dhe në vitin 2021 rifilloi fluksi me 42 mijë largime: “Rama pëlqehet sepse garanton stabilitet, por shqiptarët nuk dinë çfarë të bëjnë me stabilitetin”, komenton Krasniqi. “Sa i përket Evropës, ajo na paralajmëron për ndikimet ruse dhe kineze, por nuk bën asgjë për të kundërshtuar emigracionin dhe kjo duket e favorshme në eksodin e fuqisë sonë punëtore të kualifikuar”.
Pagat e ulëta dhe nepotizmi mundojnë si serbët ashtu edhe shqiptarët, me rezultat që vetëm në vitin 2019 thuajse 2 për qind e kosovarëve emigruan (sikur po largoheshin 1.200.000 italianë), ndërsa pas thyerjes së Covid-it i njëjti prag u tejkalua tashmë në vitin 2021.
Për vite me radhë, Bashkimi Evropian dukej se ishte ilaçi për të gjitha sëmundjet: “Por pas kaq shumë palëvizshmërie, askush nuk mendon më për të”, siguron Krasniqi. “Në Shqipëri zgjedhjet e 2021 ishin të parat në të cilat nuk u fol për Europën”. Dhe edhe aty ku tani është një fakt i vërtetuar, BE-ja shpërblen individët, por penalizon komunitetet: “Kroacia u bashkua me Unionin në 2013,” shpjegon Tado Juric, demograf në Universitetin Katolik të Zagrebit. “Në tetë vitet e para të anëtarësimit, 370,000 persona janë larguar, shumica dërrmuese e të rinjve të moshës 20 deri në 39 vjeç që janë zhvendosur në Gjermani”
Discussion about this post