Një nga shtyllat kryesore të programit ekonomik ku po bazohet fushata zgjedhore e këtij viti është nisma e rritjes së pagës minimale në 40 mijë lekë të rinj, nga 34 mijë lekë që është sot, pra një rritje me 6 mijë lekë ose 15%.
Edhe pse zgjedhjet vendore nuk kanë lidhje me politikat e qeverisë qendrore dhe përdorimi i kësaj fuqie të partisë në pushtet në mes të fushatës bie ndesh me parimet e një gare të ndershme duke vendosur kandidatët në kushte të pabarabarta, kjo mbetet për t’u gjykuar nga autoritetet që janë ngritur për këtë qëllim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shqyrtojë këtë politikë bashkë me dhjetëra shkelje në hapjen e tenderave që po bëjnë bashkitë duke shkelur Kodin Zgjedhor.
Më shumë se sa një ‘karamele’ elektorale, debatin për rritjen e pagave doja të shihja në aspektin logjik dhe ekonomik duke shtruar pyetjen se kush i rrit pagat?
Koncepti i pagës minimale lidhet më shumë me mbrojtjen sociale që politikat ekonomike ofrojnë për kategori të caktuara, punëtorët, gratë apo shtresa në nevojë e që diskriminohen. Më tej ky koncept është zgjeruar dhe përdoret po ashtu edhe nga autoritetet fiskale si një kufi që shërben për të rritur të ardhurat që paguhen nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Të dyja këto dy funksione në kontekstin shqiptar bien. Nëse rritja e pagës minimale po bëhet për të mbrojtur shtresat në nevojë, atëherë kjo duhej shoqëruar edhe me rritjen e ndihmës ekonomike, pensionet sociale dhe të invaliditetit, pagesën e papunësisë dhe vendosjen e minimumit jetik. Asnjëherë këto pagesa që bën buxheti i shtetit nuk kanë pasur korrelacion logjik me njëra-tjetrën. Për shembull, ndihma mesatare ekonomike për një familje është 7 mijë lekë, pagesa e papunësisë 16 mijë lekë, pensioni mesatar në qytet 17 mijë lekë dhe në fshat 10 mijë lekë.
Aspekti tjetër i mbledhjes së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për efekte fiskale, pra rritjen e të ardhurave nga taksat në buxhet duket se është përmbushur. Megjithatë kjo është bërë duke rënduar kostot për sektorin privat, duke qenë se biznesi mban numrin më të lartë të të punësuarve. Edhe në këtë rast politika është e paplotë, pasi fondet e rritura nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duhet të sillnin përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe akses më të mirë për qytetarët, gjë që nuk ka ndodhur. Duhet të përktheheshin në masa parandaluese për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi, gjë e cila sërish nuk ka ndodhur me vite, përveç një rritje të një kategorie të vogël që u njoftua disa javë më parë. Rritja e kontributeve nga të ardhurat e pagës minimale, nuk ka rritur në masën e duhur as pensionet e as të ketë zbutur deficitin e skemës së pensioneve, i cili përkundrazi cdo vit është thelluar.
Kryeministri nga ana tjetër e lidh rritjen e pagës minimale me largimin e shqiptarëve. Ana e mirë e kësaj është pranimi i faktit se shqiptarët po largohen dhe ana e keqe është se kjo nuk është zgjidhja. Rritja e pagës me 6 mijë lekë në muaj nuk do të mbajë askënd që do të ikë nga Shqipëria, as ia zgjidh problemet ekonomike, ndërsa shkaqet ekonomike nuk janë arsyet e vetme pse po largohen shqiptarët.
Tani të dalim te pyetja që u shtrua në fillim: kush i rrit pagat? Pagat në të gjitha ekonomitë e lira i rrit sektori privat. Produktiviteti i punës, zhvillimi i biznesit, rritja e konkurrencës, shtimi i shitjeve dhe fuqia e tij në një të ardhme për të eksportuar rrit të ardhurat, çka reflektohet edhe në shtimin e pagës, fuqisë punëtore, rritjen e trajnimit profesional të stafit etj. Në momentin që sektori privat rrit pagat, atëherë presioni shtohet edhe mbi administratën publike, të cilët mund të rrezikojnë që t’iu ikin specialistët dhe rritin pagat. Por këtu tek ne kjo nuk ndodh. Madje sot akoma vendet e punës në shtet janë më të kërkuarat.
Gjatë viteve të fundit qeveria ka rritur disa herë pagën minimale, por kjo nisëm nuk ka ushtruar presion në rritjen e pagave të tjera mbi këtë kufi. Nëse në vitin 2014 paga minimale ishte 22 mijë lekë, në fund të vitit 2020 u rrit në 34 mijë, rritje me 35%, ndërsa paga mesatare u rrit me më pak se 30%. Nga 2020-a dhe deri në fund të vitit 2022, paga minimale u rrit me 23%, por paga mesatare me vetëm 16%. Në të gjitha vendimet e kaluara, rritja e pagës minimale nuk ka ndikuar në rritjen e pagave të tjera, çka e bën të palogjikshme nismën e fundit dhe rrëzon mitin se pagat i rrit shteti. Tashmë në rastin e rritjes së pagës 40 mijë lekë muajin e ardhshëm, do të dalin një sërë problemesh të tjerash ku paga e një specialisti në administratë do të barazohet me atë të një sanitare apo roje, dhe po kështu edhe në sektorin privat.
Fakti se në 10 vitet e fundit pagat janë rritur me shtysën e shtetit, tregon se ekonomia vendase ndodhet në një cikël të mbyllur që nuk ka vizion zhvillimi (ky fakt ilustrohet më së miri që në 30 vjet rritja ekonomike është mbështetur te sektori i ndërtimit çka nga pikëpamja ekonomike do të ishte utopi). Kjo mund të ndihmojë disa shtresa dhe mund të përtypet si thërrime elektorale për disa që do t’u vijë mirë nga kjo rritje, por nuk është zgjidhje e problemit. Mqs kryeministri në takimin me sipërmarrësit e krahasoi rastin e largimit të punëtorëve me barsoletën e pronarit të gomarit që tha se gomari më ngordhi në momentin që e mësova pa ngrënë, për mua anekdotë me e bukur është ajo e gomarit që pa ujkun dhe në vend që të ikte me vrap e të shpëtonte, nisi t’ia mbushte mendjen vetes që nuk është ujk që të largonte frikën. Dhe si përfundoi ngjarja dhe kush është në këtë rast gomari kuptohet!
Discussion about this post