Në një dekadë përkundër premtimeve për ulje të borxhit publik, kurba ka njohur vetëm rritje. Që prej vitit 2013 deri në fund të 2022 borxhi publik ka njohur luhatje të vazhdueshme. Kulmin e arriti në fund të vitit 2020 që përkon me karantinë e COVID-19, ku borxhi arriti në 74.45%, duke u rritur me 12% në raport me vitin 2013, kur stoku i borxhit në raport me PBB-në ishte 62.12%.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të vitit 2022, borxhi publik kapi shifrën 12.1 miliardë euro, nga 7.2 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2013. Bazuar në këto të dhëna rezulton se borxhi është rritur me të pakën 4.9 miliardë euro brenda kësaj dekade të qeverisjes socialiste e cila prej vitesh zotohet të ulë në 50% borxhin publik të vendit.
Me këtë rritje që ka pësuar borxhi i vendit, çdo fëmijë lind me 4341 euro borxh. Sipas përllogaritjeve të bëra në bazë të ktij niveli të borxhit rezulton që 2.7 milionë banorët që ka shqipëria të paguaj secili nga 4341 euro.
Që prej vitit 2015, socialistë kanë premtuar vazhdimisht uljen e borxhit publik nën 50% por ky premtim duket shumë larg realizimit. Edhe pse njohu një rënie në vitin 2019, pasi edhe ekonomia u rrit, pas tërmetit dhe izolimit nga pandemia borxhi një rritje të shpejtë.
Ndërsa në fund të vitit të kaluar borxhi publik zbriti në 66.97% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i ndihmuar më së shumti nga rritje e të ardhruave si pasojë e çmimeve stratosferike. Duke qenë se GDP e vendit në vitin 2022 rezultoi më e lartë se viti 2021, edhe përqindja e borxhit raportohet më e ulët.
Por nga ana tjetër edhe pse Shqipëria konsiderohet si vendi me borxhin më të lartë në rajon, qeveria do të marrë përsëri borxh në tregjet e huaja dhe jo vetëm.
Shqipëria gati për eurobondin e 6-të, rrezik interesat!
Pavarësisht nivelit të lartë të borxhit dhe rritjes së të ardhurave përsëri ato nuk janë të mjaftueshme për të financuar borxhin ekzistues dhe investimet, pasi është fakt i njohur tashmë që qeveria merr borxh për të larë borxhet apo për të ndërtuar rrugët.
Për këtë vit qeveria parashikon të marrë borxh 25 miliardë lekë në tregun e brendshëm dhe 59.3 miliardë lekë në tregun e jashtëm. Pra qeveria brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të bëhet gati për të dalë në tregjet e huaja për të emetuar eurobondin e radhës në vlerën 500 milionë euro.
Ky është eurobondi i 5-të që emeton qeveria socialiste që prej vitit 2015, dhe është eurobondi i gjashtë nëse llogarisim edhe atë të vitit 2010.
“Emetimi i ri është planifikuar të shoqërohet me një transaksion të riblerjes së një pjese të eurobondit që maturohet në vitin 2025, duke ulur kështu rrezikun e rifinancimit të atij viti. Në çdo rast, emetimi i Eurobondit si dhe blerja mbrapsht do zhvillohen vetëm nëse kushtet e tregut konsiderohen të favorshme. Në rast se emetimi nuk ndodh, MFE ka parashikuar një sërë alternativash të tjera financimi”, sqaron Ministria e Financave.
Viti Vlera
2010 300 mln €
2015 450 mln €
2018 500 mln €
2020 650 mln €
2022 650 mln €
2023 500 mln €
Borxhi në shqipëri është keqpërdorur!
Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë në intervistë për Gijotina se përpos faktit që nuk bëhen të ditura projektet ku përdoret borxhi që merret, nga ana tjetër është fakt tashmë që borxhi është përdorur në projekte që nuk japin të ardhura për ekonominë.
“Problemi kryesor i borxhit në shqipëri ka qenë fakti që nuk ka prodhuar ekonomi. Është përdorur në projekte që nuk kanë kthyer mbrapsh para dhe praktikisht është një barrë që po shlyhet me lekët e taksave të një ekonomie që po rritet me ritme anemike. Nuk është problem të marrësh borxh por problemi është ta përdorësh borxhin në projekte që nuk prodhojnë ekonomi. Nëse borxhi përdoret në projekte që kanë rentabilitet ekonomik, kanë kthim ekonomik apo rrugë që vërtetë sjellin ekonomi dhe me kosto që mund të përballohen me të ardhurat që sjellë vetë rruga. Po këtu borxhi është përdorur për projekte që nuk kanë pasur rentabilitet në ekonomi, dhe në fund fare janë përdorur taksat që të paguajnë detyrimet e borxhit”, shprehet eksperti Pano Soko.
I njëjti problem është edhe për eurobondin tjetër që pritet të emetojë qeveria. Sipas ekspertit duhet të specifikohen qartë se cilat janë projektet ku do të përdoret ky borxh, pasi kostot e tij këtë vit do të jenë tepër të larta për shkak të normave të interesit.
“Sa i takon eurobondit, për çfarë do të përdoret, ku do ti çojnë këto para, kush janë projektet që do të përballojnë norma të tilla intersi sepse sivjet do të kemi interesa jashtëzakonisht të larta, për shkak të rritjes së normës së interesit që ka bërë Banka Evropiane për euron, dhe kjo do të sjellë norma interesi shumë të larta, pra dhe kostot do të jenë shumë të larta. Duhen projektet ku do të përdoren këto para, të jenë shumë fisibël, të prodhojnë shumë ekonomi dhe t sjellin mbrapsh dhe të kenë rendiment të lartë ekonomik që të marrësh borxh sot. Borxhi sot është shumë i kushtueshëm, flasim për norma interesi 7-8%, kush janë ato projekte që do të kenë këtë normë kthimi. Ky është problemi”, shprehet Soko.
Mungon transparenca si u përdorën eurobondet?
Edhe pse qeveria që prej 2015 ka marrë 2.250 miliardë euro, eurobonde, deri më tani nuk është publikuar asnjë raport për të bërë transparencë se si janë përdorur këto borxhe që rëndojnë mbi xhepin e qytetarëve. I vetmi detaj i bërë publik nga qeveria ka të bëjë me financimin e borxhit ekzistues, pasi një pjesë të eurobondeve e ka përdorur për të larë eurobondet e kaluara.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post