Anëtarët e Kongresit amerikan e kanë marrë në pyetje CEO-në e TikTok, Shou Zi Chew për sigurinë e aplikacionit të mediave sociale.
SHBA ka kërcënuar se do ta ndalojë plotësisht mundësinë e shfrytëzimit të saj nëse kompania mbetet nën pronësinë kineze, raporton bbc.
Shumë vende perëndimore po marrin gjithashtu masa kundër firmave të tjera të teknologjisë kineze për shkak të frikës së sigurisë.
Çfarë kufizimesh janë vendosur kundër TikTok?
TikTok është një platformë për krijimin dhe ndarjen e videove të shkurtra, e cila është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.
Ai filloi funksionimin në vitin 2016 dhe është bërë shërbimi i tretë më i popullarizuar i internetit në botë, me më shumë se një miliard përdorues aktiv mujorë.
Aplikacioni është ndaluar në pajisjet qeveritare në Francë, Kanada, Belgjikë, Danimarkë, Zelandën e Re, Tajvan, Britani të Madhe dhe SHBA.
Bashkimi Evropian ka urdhëruar stafin e punëtorëve që ta heqin aplikacionin nga telefonat. Ai iu ka rekomanduar që ta heqin edhe nga pajisjet private.
India e ka ndaluar plotësisht TikTok për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Afganistani e ka ndaluar gjithashtu për të parandaluar të rinjtë të “mashtrohen”.
Pse vendet mendojnë se TikTok përbën një rrezik sigurie?
TikTok mbledh të njëjtin lloj të të dhënave të përdoruesit si shumë firma të tjera të mediave sociale të tilla si, Facebook dhe Instagram.
Këtu përfshihen emrat, moshat, numrat e telefonit, adresat e e-mail dhe fotografitë.
Drejtori i FBI-së, Chris Wray, ka vënë në dukje Ligjin e Inteligjencës Kombëtare të Kinës, duke thënë se ai u kërkon kompanive “që të bëjnë çfarëdo që qeveria kërkon duke përfshirë zbulimin e informacione ose t’iu shërbejë si një mjet për qeverinë”.
TikTok ka gjithashtu një mjet që u rekomandon përdoruesit të shikojnë video, të quajtur furnizimi “Për ty”.
“Duket si një algoritëm shumë efektiv”, thotë profesor i universiteteve të Kembrixhit dhe Edinburgut, Ross Anderson. “Ka një potencial të madh për të përhapur ndikimin dhe propagandën kineze midis të rinjve në Perëndim”.
Cila teknologji tjetër kineze është shënjestruar?
Kompanitë kineze të specializuara në teknologjinë 5G si Huawei, ZTE dhe Hytera janë ndaluar të instalojnë pajisjet e tyre në Australi, SHBA, Japoni, Indi dhe Kanada.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka urdhëruar që pajisjet e instaluara nga Huawei të hiqen nga rrjetet 5G deri në vitin 2027.
Qeveritë e SHBA-së dhe Holandës po kufizojnë eksportin e gjysmëpërçuesve në Kinë për shkak të frikës së sigurisë mbi zhvillimin e teknologjisë superkompjuterike dhe inteligjencës artificiale në vend.
Mbretëria e Bashkuar dhe qeveria australiane kanë urdhëruar që kamerat e sigurisë të prodhuara në Kinë, të hiqen nga vende të ndjeshme si ndërtesat qeveritare.
Çfarë fshihet pas këtyre ndalesave?
Qeveritë kanë frikë se pajisjet 5G të instaluara nga firmat kineze në rrjetet e vendeve të huaja përmbajnë “derë të pasme” përmes të cilave të dhënat mund të shkojnë në Pekin.
Kina është prodhuesi më i madh në botë i kamerave të sigurisë. Mendohet se kamerat e kompanisë, Hikvision mund të ushqejnë fshehtas inteligjencën e Kinës.
“Pse nuk do të kishin vendosur qasje në prapavijë?”, pyet Prof Anderson. “Vendet perëndimore e kanë bërë këtë për vite me radhë kur kanë ndërtuar rrjete telefonike në mbarë botën”.
Nuk ka asnjë provë të fortë që Kina po përdor firmat e saj teknologjike për spiunazh, thotë Jake Moore, këshilltar global i sigurisë në ESET, firmë e sigurisë në internet.
Megjithatë, ai thotë se “ekziston një frikë se firmat si Huawei dhe TikTok janë bërë aq të mëdha sa mund të hakojnë sasi të mëdha të dhënash dhe të dëmtojnë sigurinë kombëtare. Qeveritë kanë të drejtë të marrin masa paraprake kundër tij tani dhe jo më vonë”.
Çfarë thotë Kina për frenimin e firmave të saj të teknologjisë?
Ministria e Jashtme e Kinës, ndalimin e TikTok dhe firmat e tjera të teknologjisë i ka quajtur “teatër politik”, duke thënë se “SHBA-ja po rrit shqetësimet e sigurisë kombëtare për të shtypur kompanitë e vendeve të tjera”.
TikTok këmbëngul se nuk mbledh më shumë të dhëna se aplikacionet e tjera të mediave sociale dhe se është i pavarur nga qeveria.
Në vitin 2022, ajo pranoi se disa nga stafi i saj në Kinë mund të hynin në të dhënat e përdoruesve të mbledhura në Evropë, por thotë se po punon për të gjetur mënyrat se si informacionet e tilla të mbeten brenda kontinentit të vjetër.
Ai gjithashtu thotë se të dhënat e përdoruesve amerikanë përpunohen në ditët e sotme përmes serverëve amerikanë dhe nuk shkojnë në Kinë.
Ndryshe, firma ka nisur një strategji të re rreth ruajtjes dhe shfrytëzimit të të dhënave të quajtur “Project Clover”.
Discussion about this post