Nga Armand Maho – Një miku im i cili ka një biznes në zonën e ish trenit, më mori një nga këto ditë në telefon dhe më tha “Ore si ka mundësi, që nuk kam hasur një njeri që të flasë mirë për Erion Veliajn. As nga ata që njoh dhe as nga ata që më hyjnë në dyqan. Të gjithë nuk lënë gjë pa thënë, por ne televizorë shohim që e dashkan shumica”…. Me këtë i referohej sondazheve….
Ky konstatim i shokut tim të fëmijërisë, i cili nuk merret me analiza, sondazhe apo me lajme të fabrikuara, por që ndjen në lëkurë të gjithë atë çka ndodh më bëri të mendohem jo pak. I thirra kujtesës në tentativë për të bërë dhe unë një tip sondazhi të tillë, një balancë dhe më rezultoi se pakkush dhe nga rrethi im i miqve gjithsej 1 apo 2 ( për shkak të profesionit njoh nga të gjitha krahët), të mos e ketë etiketuar me gjithfarë lloj epitetesh. Shumica dërrmuese kanë pasur si fjalë të parë epitetin “hajdut” dhe “mashtrues”. Në fund të fundit çdo njeri bën sondazhet e tij dhe lexuesit e këtij shkrimi mund ta bëjnë dhe vetë një të tillë.
Në këtë fushatë elektorale Veliaj po tenton të ngrejë një realitet fake. Ai ska qenë kurrë njeri i punës. Të ardhurat e Bashkisë Tiranë janë më të larta se shumë nga institucionet jetike të këtij vendi, ndoshta dhe me të drejtë. Erion Veliaj s’ka lënë pa i zhvatur qytetarëve për shërbime që nuk i janë kthyer kurrë mbrapsht. Merr taksë gjelbërimi dhe shtron beton u merr taksë arsimi dhe pensionistëve që fundja i kanë mbyllur punët me kalamajtë e tyre, ndërkohë që mësimi vazhdon zhvillohet me turne. Prindërit janë të detyruar ti çojnë në qendra apo në shkolla private sepse në orën 11.30 të paradites kur mbaron turni i parë nuk kanë se ku ti çojnë. Ngre biletën e transportit publik për një shërbim ku njerëzit ngjishen e shtypen në autobusë 30 – vjeçarë, që duhet të ishin çuar për skrap me kohë, duke krijuar një terren ideal për xhepistët apo perversët e të gjitha llojeve. Për të mos folur më pas për rreth 600 mijë gjoba të gjithfarshme që vendosen në vit që nga parkingu, ndërtimet e avllive dhe çdo lloj artifice tjetër që ai ka nxjerrë nga të cilat të gjithë humbin përveç tij.
Lista e taksave që merren është e gjatë. Për shembull di të thotë njeri se ku e çon Veliaj taksën e ndërtesës që merr nga qytetarët në bazë të metrave katrorë. Ajo që dihet është se mblidhen miliona euro, por askush se di se çfarë shërbimi mbulon. Familjarët e paguajnë në faturën e ujit, bizneset e kanë në dy këste. Për një hapësirë 50 metra katrorë Veliaj këtë taksë e ka çuar në 24-25 mijë lekë të reja në vit, nga 7 mijë që ishte para se të merrte bashkinë.
Më tej është çmimi ujit që nuk ka ardhur kurrë 24 orë apo i pijshëm, por fatura ka shkuar në dy tre fish vetëm për të bërë dush apo lare teshat. Këtu nuk përfshihet fatura e ujit që blihet për konsum.
Sot po të shesësh një shtëpi të para 90-ës në bllok, me sipërfaqe 100m2, me ato para është shumë e vështirë të gjesh një banesë 80 metra katrorë në periferi. Natyrisht kjo nuk vlen për ndërtimet e miqve të Veliajt ku një metër katrorë shitet nga 3 mijë deri në 5 mijë metra katrorë, dhe këtë kryetari i Bashkisë na e shet ditën për diell si “rritje të vlerës së pronës”.
Të gjitha këto quhen suksese. Çmenduria shkon deri aty, sa askush nuk jep një argument se përse na duhet një kryetar Bashkie i tillë, por të gjithë e çojnë gishtin tek çarja e opozitës. A thua se në rrjepjen që i bën qytetarëve Veliaj bën diferencime, pra qenkan vetëm të djathtët që e vuajnë keqadministrimin e tij!
Ajo që e bën më tronditës këtë realitet është fakti se të shndërruar në viktima dhe pengje të kësaj zhvatjeje pa fund, sot nuk janë të paktë ata që nuk arrijnë të kuptojnë se si një kryetar Bashkie mund të vihet në shërbim të qytetarëve dhe me abstenimin apo skepticizmin e tyre pranojnë status – quonë aktuale.
Për shembull premtimi i kandidatit të opozitës për transport publik falas ka sëkëlldisur jo pak Erion Veliajn, i cili u mundua ta qorrollisë këtë diskutim tek tramet e premtuara nga Lulzim Basha. Këlliçi nuk ka premtuar Tramvaj, ka premtuar që transporti publik ky qameti që kemi sot dhe që është aty prej kohës së qoftëlargut, do jetë falas siç e kanë rreth 100 qytete të tjera në mbarë botën. Kujdes jo shtete, por qytete, sepse edhe Këlliçi nuk e ka premtuar për të gjithë Shqipërinë.
Këlliçi e ka argumentuar se gjithë kjo ndërmarrje e cila jo vetëm do i linte disa të ardhura në xhep qytetarëve por sipas projektit do përmirësonte ndjeshëm cilësinë e transportit, përmirësimin e ajrit me futjen e autobusëve elektrikë dhe shmangien e makinave private, shkon diçka më shumë se 7% e buxhetit aktual të bashkisë. Pra në konceptin e skeptikëve, atyre që flasin si e “Ëma e Zeqos” të mbledhësh 240 milionë euro ( rreth 240 euro për banor përfshi dhe fëmijët e e sapolindur) dhe të kthesh mbrapsht 21 milionë për qytetarët, na qenka blasfemi, teori e parealizueshme etj etj, por ama të pretendosh se ke mbjellë 1 milion pemë në Tiranë na qenka normalitet. Ka mendere ku të rrijë kjo?
Qoftë ata që Ramën, qoftë ata që duan Bashën, qoftë ata që nuk duan Berishën, qoftë ata që nuk duan të gjithë duhet ta kuptojnë se Erion Veliajt i ka ardhur koha të sikteriset. Jo vetëm për faktin se ka gënjyer në gjithçka ka premtuar, por sepse nën regjimin e tij jeta në Tiranë është bërë e padurueshme. S’ka bërë gjë tjetër vetëm se është munduar të forcojë pozitat e tij në rrugën drejt postit të Ramës ( është në të drejtën e tij), por ama këtë e ka bërë duke i rënë më qafë qytetarëve, dhe halli për pushtet i Veliajt nuk është halli i qytetarëve. Një kryebashkiak që ka rritur taksat, zhvatur pronat, dhe i dërgon për të paguar “çerrat” e Mjaftit, apo patronazhistët fanatikë të tij në Bashki, duhet të iki sot se dhe nesër është vonë. Ky institucion që duhet të ishte “Meka” e halleve të qytetarëve, është kthyer në enturazhin më të frikshëm të korrupsionit në vend, dhe kjo jo vetëm për shkak të tenderëve që zhvillohen deri në 10 fish të vlerës. Mos u habisni po të shihni brenda këtij institucioni, vajza apo djem të rinj militantë të Veliajt që s’kanë as 5 vite punë në kurriz por që rezultojnë me dy apo më shumë shtëpi në Tiranë. Ky realitet duhet të ndryshojë, Veliaj duhet çuar atje ku e ka vendin dhe kjo duhet të ndodhë dhe për pasardhësin në rast se nuk mban premtimet. Por ama të të kërkojnë të mbash gjallë këtë picir që po heqin të gjithë duke mos shkuar në votime, apo më keq për të votuar bandën e Bashkisë, është fyerje e inteligjencës dhe për nivelin “zh” të qytetarit.
Discussion about this post