Mbytja e anijes Katër i Radës ishte ngjarja më tragjike e vitit ’97 të Shqipërisë, një kohë trazirash politike. Krizat e vitit 1997 u shfaqën në muajt e parë të vitit, kur falimentimi i disa bankave mashtruese la dhjetëramijëra qytetarë në varfëri të plotë. Protesta të dhunshme u shfaqën në jug, përfshirë qytetin bregdetar të Vlorës. Zona u la në duart e grupimeve kriminale. Mbi 2 mijë vetë vdiqën në vitin 1997 nga luftërat mes bandave apo nga përdorimi i gabuar i armëve.
Pasiguria shtyu një numër të lartë shqiptarësh të përpiqen të emigronin në Itali. Racizmi dhe frika se kriminelët fshiheshin mes migrantëve përforcoi kriminalizimin e shqiptarëve në Itali. Vetëm pak ditë para aksidentit, ish-presidentja e parlamentit të Italisë, Irene Pivetti, deklaroi se shqiptarët duhet të hidhen në det. Në mënyrë që të parandalohej vajtja e “kriminelëve” në Itali, Roma i ofroi Tiranës asistencë në bllokimin e gomoneve që udhëtonin pa autorizim. Sipas autoriteteve italiane, marrëveshja u firmos në shkëmbimin e notave mes dy ministrave të jashtëm më 25 mars.
Pasi u nis nga Vlora në orën 3 të pasdites, Katër i Radës u dallua nga anija italiane Zeffiro që u përpoq t’i ndryshonte drejtim. Anija vijoi drejt Italisë dhe u përball nga një anije më e madhe ushtarake, Sibilla, e cila ishte katër herë më e madhe se sa anija shqiptare. Sipas të mbijetuarve, anija e tyre po udhëtonte me flamur të bardhë. Pasagjerët i treguan italianëve se kishte fëmijë në bord. Gjithsesi, marina italiane ishte e vendosur që ta ndalonte anijen. Katër i Radës u godit dy herë, nga pas dhe në mes. Përplasja e mbushi anijen me ujë dhe e dërgoi në fund të detit. Rreth 34 persona mbijetuan duke u hedhur në det por shumica e pasagjerëve mbetën të bllokuar poshtë kuvertës.
Arratisje nga një qytet i pasigurt
Shumica e shqiptarëve në atë anije ishin nga Vlora, qyteti më i rrezikshëm në vend. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Arjan Starova i shprehu zhgënjimin e vet homologut të tij italian Lamberto Dini, duke i thënë se marina italiane përdori forcë të paligjshme. Protokollet që rregullonin marrëveshjen e 25 marsit u firmosën vetëm më vonë, më 2 prill. Anija italiane nuk ishhte e autorizuar që të ndërmerrte operacionin që provokoi aksidentin. Të mbijetuarit deklaruan se Sibilla sulmoi për t’i vrarë dhe se operacioni i shpëtimit ishte i ngadaltë.
Shefi i shtabit i marinës italiane, Angelo Mariani, deklaroi se aksidenti ishte rrjedhojë e një manovre të gabuar nga ana e anijes shqiptare, e cila drejtohej nga personel i pakualifikuar, të cilët e kishin vjedhur anijen. Umberto Vatani, nga Ministria e Jashtme e Italisë, tha se të mbijetuarit nuk mund të merreshin si dëshmitarë të besueshëm. Ministri i Mbrojtjes Andreatta tha se të mbijetuarit kanë humbur sensin e realitetit. Gazeta e majtë La Repubblica i shau më tutje shqiptarët duke i cilësuar ata “kafshë të plagosura” të “dëshpëruar.”
Shqipëria “tepër e dobët” për të shtrënguar Italinë
Kapiteni i Katër i Radës, Namik Xhaferi, u arrestua për trafik qenies njerëzore. Të mbijetuarit, disa prej të cilëve kishin humbur familjarët në aksisend, u mbajtën në një kazermë ushtarake në Brindizi pa akses në informacion. Ata kërkuan gjetjen e trupave sa më parë të ishte e mundur dhe kryerjen e një hetimi me pjesëmarrjen e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj. Ata gjithaashtu protestuan pasi kapiteni shqiptar ishte arrestuar, ndërsa ai italian, jo.
Qeveria shqiptare ishte tepër e dobët për t’u marrë me Italinë në nivel të barabartë. Më 29 mars, Kombet e Bashkuara i besuan Italisë drejtimin e një operacioni ndërkombëtar humanitar dhe ushtarak për të ndihmuar qeverinë e Tiranës që të rimerrte vendin nën kontroll (Operacioni ALBA”). Qeveria shqiptare mendoi si të papërshtatshme të kërkonte krijimin e një komisioni ndërkombëtar për shkak se kjo do të krijonte përshtypjen se ajo nuk i besonte fqinjëve të vet. Gjatë vizitës së Prodit në Shqipëri në prill, ai dhe homologu i tij Bashkim Fino ranë dakord të krijojnë një komision të përbashkët italo-shqiptar.
Nga fillimi i gjyqit në fund të prillit, të mbijetuarit shprehën zhgënjim për vonesat e punës për nxjerrjen e anijes dhe për mënyrën se si autoritetet italiane i trajtuan ata. Sipas ambasadorit shqiptar, situata mund të kishte pasoja të papritura në Shqipëri, ku italianët ishin angazhuar në operacione ushtarake dhe humanitare. Frika se incidenti mund të dëmtonte marrëdhëniet shqiptaro-italiane u shfaq në rekomandimet që Tirana i dha Romës për vendosjen e trupave italiane në Shqipëri.
Të mbijetuarit nuk i besuan autoriteteve italiane dhe këmbëngulën takimin me ekspertë shqiptarë. Këta të dytët shkuan në Itali vetëm në korrik. Prefektura e Brindizit i priti ata ftohtë dhe homologët e tyre italianë nuk i dhanë informacion për shkak se ai konsiderohej sekret. Ekspertët shqiptarë panë pamje të anijes së mbytur, të cilat konfirmonin se ajo ishte goditur me forcë nga Sibilla. Mungesa e frymës bashkëpunuese nga italianët ngriti më shumë dyshime mes të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave.
Pavarësisht premtimit të dhënë nga kryeministrat, ekspertët shqiptarë u informuan se ata nuk kishin të drejtë të ndiqnin hetimin. Ekspertët punuan privatisht dhe pa mbështetje institucionale. Puna e tyre praktikisht konsistoi në dëgjimin e lutjeve të të mbijetuarve dhe në ofrimin e ngushëllimeve për ta.
Anija Katër i Radës u dërgua në Brindizi më 19 tetor. Zëvendësministri i brendshëm i Italisë e konsideroi operacionin si një nga shumë përpjekjet e Romës në mbështetje të Shqipërisë. Por gazetari italian Bobo Aprile, akuzoi qeverinë për vonesën e qëllimtë të operacionit të rekuperimit të anijes. Krenar Xhavarra, një i mbijetuar që humbi familjen ne aksident, akuzoi Sibillën për mbytje të qëllimtë. Zëvendësministri italian u largua pa iu përgjigjur.
Italia refuzon të marrë përgjegjësi
Mbytja e “Katër i Radës” nuk ishte një “aksident tragjik”, siç ishte përkufizuar nga autoritetet italiane, por rezultat i një fushate anti-shqiptare të kryer nga institucionet italiane dhe një pjesë e medias. Italia nuk mori kurrë përgjegjësinë për tragjedinë. Gjyqi përfundoi me dënimin e kapiteneve të Sibilla-s dhe Katër i Radës me respektivisht dy vjet e katër muaj dhe tre vjet e dhjetë muaj. Nuk ishte çudi që shumë italianë ia vunë fajin viktimave dhe menduan se nuk kishte arsye se pse Italia të shpenzonte para për rekuperimin e anijes ku ishin bllokuar kufomat. Madje një italian tha para meje: “Pse duhet të rinxjerrim këtë plehrë [schifi]?”. Historia e të mbijetuarve tregon se kërkimi i tyre për drejtësi ishte për fat të keq i varur nga fuqia politike e shtetit me të cilin ata ishin lidhur. Kjo në fakt reflekton asimetrinë në fuqi që vijon të kushtëzojë jetët e shumë njerëzve në Evropë sot.
Fabio Bego ëshët studiues i nacionalizmit dhe të djathtës ekstreme. Opinionet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë këndvështrimet e BIRN./BIRN
Discussion about this post