Nga Ola Xama
Çmimi i biletës për transportin publik është rritur nga 30 në 40 lekë disa vite më parë dhe i kushton mesatarisht në vit një qytetari 50 mijë deri në 20 mijë për ata që pajisen me abone. Pra, çdokush që përdor transportin urban paguan mesatarisht 7 mijë lekë (60 euro) më shumë në vit. Po të shtosh këtu edhe 5 milion euro që janë dhënë vitin e shkuar nga buxheti qendror për të subvencionuar sektorin e transportit nga kriza, kupton që ajo që paguajmë direkt ose përmes taksave për transportin na kushton afërsisht 12 milion euro më shumë në vit. Pyetja që bëhet në këtë rast është a u përmirësua ky shërbim në treguesit e vonesave, komoditetit dhe efiçencës për përdoruesin? Sa është ulur niveli i ndotjes që emetojnë urbanët dhe sa ka ndikuar në uljen e ndotjes në qytet? Përse shërbeu rritja e çmimit?
Çmimi i parkimit në postet publike u bë me pagesë e cila varion nga 50 deri në 100 lekë në orë për 8 orë në ditë. Nga këto para Bashkia Tiranë arkëton në vit 5 milion euro dhe po kaq, 5.5 milion euro, nga gjobat dhe penalitetet që vendosin përditë 600 punonjësit e Policisë Bashkiake. Pyetja që shtrohet është sa vende parkimi të reja janë krijuar vitet e fundit që të përmbushin nevojat e qytetarëve dhe t’i përgjigjen shtimit të popullsisë së kryeqytetit? Çfarë masash dhe politikash ka marrë bashkia me këto fonde për të stimuluar përdorimin e mjeteve që nuk ndotin siç janë makinat elektrike pa u kufizuar te disa korsi biçikletash në dy-tre rrugë që kanë shtuar trafikun dhe janë vendosur pa bërë zgjerim të segmentit?
Çmimi i ujit është rritur nga 45 në 65 lekë për metër kub, shto këtu dhe taksën e ndërtesës 100 lekë te fatura e ujit, 150 lekë taksën e infrastrukturës së arsimit dhe 420 lekë atë të pastrimit. Sa është rritur shërbimi i furnizimit me ujë dhe përse vijon uji me orar? Përse 60% e ujit në rrjetin e ujësjellësit sërish humbet dhe nuk faturohet, kur nga ana tjetër tarifa mbulon 125% të kostos totale, pra del me fitim nga paratë që i merren qytetarit? Sa i pastër është qyteti dhe çfarë arritjesh janë bërë në ndarjen e mbetjeve dhe riciklimin e tyre duke qënë se na merr 50 euro në vit për pastrimin? Taksa për infrastrukturën arsimore u vendos për financimin e 17 shkollave dhe kopshteve që do të ndërtoheshin me koncesion për një vlerë 30 milion euro, deri tani janë mbledhur 40 milion euro nga taksa dhe ajo do vazhdojë të mblidhet dhe për 3 vjet të tjera. Pagesat për këto kontrata të formës PPP nisën një vit më parë, ku shkuan paratë e mbledhura vitet e shkuara për këto objekte dhe pse po vilen akoma para?
Bashkia e Tiranës si një nga njësitë vendore më të mëdha në Shqipëri merr 22 milion euro në vit nga buxheti i shtetit në formën e transfertës së pakushtëzuar. Nga këto, mesatarisht 10 milion euro i paguan çdo vit koncesionarit të Sharrës për incenerim të plehrave, edhe pse aty ka vetëm depozitim e kapsulim.
Taksën më të madhe që vjel Bashkia e Tiranës është ajo e ndikimit në infrastrukturë që i vendoset ndërtesave përpara marrjes së lejes së ndërtimit. Plot 42 milion euro në vit! Këtë e paguajmë të gjithë të çmimi i shtëpive, kësti i kredisë apo te qiraja e shtëpisë që nuk blihet dot pasi çmimet kanë shkuar artificialisht në stratosferë. Çfarë përmirësimi kemi në infrastrukturë? A na janë zgjeruar trotuaret, a na është rritur cilësia e rrugëve dhe përse veprat më të mëdha të bashkisë financohen nga buxheti qendror?
Unë personalisht mendoj që kreu i bashkisë përpara se të flasë për gjobat e të tjerëve, të na sqarojë pak se ç’po bën me këto “gjobat” që na ka vendosur ne. Të paktën tani për zgjedhje të dalë dhe të japë llogari, se u bë gjatë pa asnjë ballafaqim, konferencë shtypi me gazetarë apo një emision, por na shfaqet vetëm në materiale të gatshme që publikohen me paratë e “gjobave” që na ka vënë neve!
Discussion about this post