Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për mediat, ka reaguar pas akuzave të Bashës se po bashkëpunon me krimin për mbledhjen e firmave.
Berisha deklaroi se Basha gabon që bën këto akuza, duke shtuar “po të hyjë pastaj me ushtar e nxjerr me këpucë të kuqe”.
“Së pari të falënderoj për investigimin. Të gjithë ata që u shfaqen para kamerave një nga një, dëshmuan se janë në një mision të madh. Çdo media është e ftuar të bëjë të njëjtën gjë. Natyrisht, ata të cilët nuk pranojnë të bëjnë publike të dhënat e tyre personale janë të respektuar plotësisht. Në këtë mes, 4200 firma, përfaqësojnë shumicën e kuvendit të PD-së. Dua të informoj se janë mijëra të tjerë që kanë dëshirë të firmosin, por që janë jashtë shtetit. I kërkoj ndjesë atyre, se vendosëm të mos i përfshij mbasi firmosja e tyre ishte problematike për shkak se duhej firmë elektronike dhe mekanizma të tjera. Pra siç e shihni ju, ka një angazhim masiv të delegatëve për të mbledhur kuvendin e rithemelimit. Kuvend de fakto i rithemelimit të pluralizmit politik.
Tani unë po merrem me fuqishëm se kurrë me botën e krimit. Me kreun e Meduzës dhe pengun e tij, Lulzim Basha. Krimi ka hierarkinë e tij. Askush nuk është marrë më shumë se unë me kreun e meduzës dhe ushtarët e tij. Tani përqendrimi im është total në organizatën me kriminale në Shqipëri, Ballkan dhe Europë, që ka goditur pluralizmin politik, dhe ky klan është klani Rama dhe peng Basha. Ai gabon, se po të hyjë pastaj me ushtar e nxjerr me këpucë të kuqe. Tani po merrem me bajloz të krimit. Ka krim më të shëmtuar sesa ti atakosh pluralizmin” – ka thënë Berisha.
Një përgjigje Berisha e kishte edhe për Sekretarin Gazment Bardhi, i cili tha se vetëm 5 krerë degësh kanë qenë kundër Bashës. Berisha deklaroi me ironi se Basha-Bardhi po krijojnë një shoqatë për ti bërë fresk kryeministrit Rama.
Sipas Berishës, Kuvendi Kombëtar do të mbahet në datë 11 dhjetor dhe se në këtë kuvend janë të ftuar edhe krerët e degëve që janë pro Bashës, por edhe vetë Basha dhe Bardhi.
“Mbi një 20 të tjerë hodhën poshtë me heshtje kërkesat e pengkryetarit. Unë i përgëzoj ata. Janë dhe do jenë të respektuar. Natyrisht pati një grup të vogël i cili mbajti qëndrim pro Bashës , por kjo nuk i pengon ata të jenë të pranishëm në Kuvendin e datës 11 dhjetor. Nuk besoj t’i lejojnë vetes turpin historik, të bashkohen me antimitingun e shoqatës Basha-Bardhi. Me datë 11 PD ngrihet më e fuqishme se kurrë. Nuk janë të përjashtuar as Basha dhe as Bardhi,. Ata do të krijojnë një fushatë për t’i bërë fresk kreut të Meduzës” – tha Berisha.
Discussion about this post