Nga Klodian Tomorri
Ka një kakofoni shifrash për koncesionin e mbetjeve të Tiranës. Opozita fillimisht e cilësoi aferë 120 milionë euro, ndërsa më pas e korrigjoi shënjestren në 430 milionë euro. Të dyja këto janë shifra të nxjerra nga plani i biznesit të vetë kompanisë koncesionare. E para është kostoja e ndërtimit të inceneratorit, ndërsa e dyta është totali i të ardhurave që parashikohet të gjenerojë koncesioni. E megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e përfaqëson biznesin e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Sepse ai është më i madh.
Grafiku më sipër tregon arkëtimet e kompanisë koncesionare në katër vitet e para të funksionimit të saj, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare nga QKB. Në vitin e parë të funksionimit, kompania Integrated Energy arkëtoi 10 milionë euro. Në vitin e dytë shifra u rrit në 14.7 milionë euro dhe më pas rritja ka vazhduar për të mbërritur 22.6 milionë euro në 2021.
Pra, në total për katër vitet e para, koncesionari ka arkëtuar 67.3 milionë euro. Por më e rëndësishme se shifra totale, është trendi i rritjes në fluksin e të ardhurave. Në vetëm katër vjet të ardhurat janë rritur nga 10 milionë euro në 22.6 milionë euro, mesatarisht me 31.5 për qind në vit. Pse është e rëndësishme kjo?
Nëse llogarit të ardhurat totale të koncesionit të Sharrës duke marrë për bazë rritje vjetore 30 për qind, deri në përfundimin e tij merr një rezultat që është më i madh se GDP e Shqipërisë sot. Por kjo nuk do të ishte realiste. Le të marrim nje ritëm rritje 6 herë më të ulët se kaq. Pra të supozojmë se të ardhurat do të rriten mesatarisht me 5 për qind në vit, çka është plotësisht realiste duke patur parasysh rritjen e popullsisë së Tiranës dhe atë të gjenerimit të mbetjeve. Sa para arkëton koncesionari deri në fund të koncesionit nëse të ardhurat rriten 5 për qind ccdo vit?
Matematikisht shumatorja e një serie gjeometrike llogaritet sipas formulës së mëposhtëme.
∑=a(r^(n+1)-1)/(r-1)
ku a është vlera fillestare, n shpreh numrin e viteve, ndërsa r përfaqëson faktorin e rritjes.
Në rastin e inceneratorit të Sharrës vlera fillestare është ajo e të ardhurave në vitin 2021, pra 22.6 milionë euro, n= 26 janë vitet që kanë mbetur për koncesionin, ndërsa faktori i rritjes 5% është r = 1.05. Nëse në ekuacionin e sipërm zëvendësojmë vlerat përkatëse rezultati është 1 miliardë e 240 milionë euro.
Pra edhe me projeksionin më konservator, atë se të ardhurat e koncesionit rriten me 5 për qind në vit, deri në fund të koncesionit Integrated Energy do të arkëtojë 1 miliardë e 240 milionë euro. Ndjesë për matematikën, por me 1 miliardë e 240 milionë euro, këta të mbysin nëpër gjyqe.
Megjithatë le të supozojmë një skenar edhe më konservator se kaq. Atë se të ardhurat nuk do të rriten as me 5 për qind në vit, por vetëm me 2 për qind. Sërish biznesi është më i madh se shifrat që qarkullojnë në publik. Edhe sikur të ardhurat e koncesionarit të Sharrës të rriten me 2 për qind në vit, deri në fund të koncesionit ai do të arkëtojë 870 milionë euro.
Albert Ajnshtajni dikur pati thënë se interesi i përbërë është mrekullia e tetë e botës. Kjo më sipër është arsyeja. Biznesi i inceneratorit të Tiranës është shumë më i madh se çdo shifër që hidhet në publik. Dhe të gjitha llogaritë e mësipërme bazohen në skenarin që impianti nuk do të ndërtohet fare. Nëse impanti do të ndërtohet dhe do të prodhojë energji, atëherë në vlerat më sipër do të duhet të llogariten dhe të ardhurat nga shitja e energjisë. Sigurisht që shifra do ishte edhe më e madhe. Dhe në fund ka një pyetje. Ku shkojnë këto para? Kush i merr? Këtë nuk e di askush. Edhe kreu i SPAK tha që nuk e dimë.
Discussion about this post