Të shumtë ishin shtetasit spanjollë dhe jo vetëm, që ranë pre e skemave të mashtrimit nga Call Ceneter-at që operonin nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe nëpërmjet Shqipërisë.
Por denoncimet e kryera nga shtetasit spanjollë do të ishin vetëm maja e ajsbergut të asaj që do të zbulonin hetuesit.
Shpejt skema e mashtrimit nëpërmjet Call Center do të nxirrte në pah njohjet e krimit me pushtetin në Shqipëri që këtë herë rezultonin të kishin lidhje direkte, madje deri në instancat më të larta qeverisëse në Shqipëri.
Ky emër që do të rezultonte të jetë njeriu kyç në biznesin e mashtrimit me Call Center, do të ishte Amant Josifi, i cili falë hetimeve të nisura nga SPAK në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, doli se ishte pronari i 6 qendrave të mashtrimit telefonik në Shqipëri të lidhura me kompaninë ‘Milton Group’.
“Më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’ dhe arrestoi 4 të dyshuar”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo që e bëri edhe më serioze dosjen ndaj Amant Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte fakti, se personi tashmë më i shumëkërkuar në Evropë, jo shumë kohë më parë kishte shërbyer si këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte këtë dikaster.
Ish- ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nuk bëri asnjë koment në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë pas interesimit të emisionit “Në Shënjestër, dikasteri i Ministrisë së Mbrojtjes konfirmoi se Josifi kishte qenë në marrëdhënie pune në këtë ministri për 3 vite me radhë.
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju vëmë në dijeni se Amant Josifi ka lidhur marrëdhënien e punës me Ministrinë e Mbrojtjes më datë 21 dhjetor 2017 dhe e ka ndërprerë këtë marrëdhënie më datë 15 maj 2020. Ai ka shërbyer në pozicionin e këshilltarit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Amant Josifi, djali i një ish-gjyqtare, që vazhdon edhe sot të jetë një nga personat më të shumëkërkuar nga drejtësia evropiane, pikërisht për rolin e tij në një nga skemat më rënduese të mashtrimit, që lidhen drejtpërdrejt me qytetarë të Bashkimit Evropian, rezultonte të kishte qenë edhe partner në biznes me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama.
Josifi nuk ishte mes të arrestuarve nga operacioni policor, edhe pse është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Por cila është lidhja e provuar e Amant Josifit me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Rama dhe pse kryeministri Rama ka vendosur të heshtë për këtë skandal?
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN Albania, lidhja e Amant Josifit me Olsi Ramën daton në vitin 2014, kur themeluan kompaninë ‘Pegasus Communication SHPK’, aksione të cilat Josifi i shiti më pas në vitin 2018.
Por për të arritur deri te emri i Amant Josifit dhe lidhjeve të tij me një nga skemat më të mëdha të mashtrimit telefonik, të njohur si Call Center, policisë spanjolle iu desh të hulumtonte miliona emaile të përdorura nga kompanitë në zotërim të tij.
Sipas dokumenteve gjyqësore, pas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.
“Nga procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, janë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve”, thuhet në dosjen spanjolle.
Për të zbuluar lidhjet midis Call Center-ave në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të “Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar 3 milionë emaile të dërguara nëpërmjet dhjetëra plaformash të ndryshme, ku evidentohet ndërlidhja e platformave ‘call center’ me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Vetë numri i lartë i viktimave që kishin rënë pre e këtij mashtrimi, tregoi edhe përmasat e shtrirjes së Call Center në Evropë, ku nga hetimet doli se ishin mashtruar mbi 235 mijë viktima, gati një e treta e tyre me banim në Gjermani.
Ndërkohë që siç operatori anonim u shpreh, shumë prej familjeve që kishin rënë pre e këtij mashtrimi, tashmë jo vetëm kishin humbur të gjithë financat e tyre, por njëkohësisht u ishte shkatërruar edhe familja.
“‘Group’ është një organizatë kriminale transnacionale e dyshuar si e përfshirë në krimin kibernetik, mashtrime dhe pastrim parash në Europë që nga viti 2016.
Nëpërmjet qendrave të thirrjeve telefonike të shtrira në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës Lindore, pjesëtarët e këtij grupi kriminal u prezantohen viktimave potenciale si operatorë burse dhe ofrohen t’i ndihmojnë që të fitojnë shuma të mëdha parash në një kohë të shkurtër, nëpërmjet investimeve të vogla. Ndryshe nga sa premtojnë, organizata i mashtron viktimat e saj pasi fiton besimin e tyre nëpërmjet teknikave të inxhinierisë sociale.
Por ndërsa prokuroria spanjolle në bashkëpunim me SPAK, shkatërroi disa nga foletë shqiptare të mashtrimit me Call Center, përpjekja për të sulmuar deri në metastazën e fundit këtë sipërmarrje kriminale, duket të jetë ende në fillimet e veta.
Kjo, pasi nga të dhënat që ka siguruar emisioni ‘Në shënjestër’, pre e mashtrimit telefonik, nuk kanë rënë vetëm shtetas spanjollë dhe gjermanë,por u bënë edhe shumë shtetas italianë, të cilët edhe këta humbën para të konsiderueshme në përpjekje për të ndjekur ëndrrën e tyre për t’u bërë të pasur falë ofertave të investimeve që u vinin nga Call Center.
Sipas burimeve mediatike në vendin fqinj, rezultoi se vetëm në Itali, operatorët shqiptarë të Call Center, të shtrirë tashmë në disa prej qyteteve kryesore të vendit, kishin mundur të siguronin 90 mijë kontakte telefonike, që u përkisnin qytetarëve italianë.
Gjatë një operacioni të kryer në fundin e vitit 2022 të quajtur ‘Fitim prej ëndrrash’, Prokuroria e Pordenones në Itali në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe SPAK, çmontuan një organizatë të specializuar në mashtrimet telefonike, nëpërmjet përdorimit të Call Center me anë të tregtimit të rremë online.
Aksion gjatë të cilit u arrestuan tre persona dhe u kryen 5 kontrolle në banesat e disa prej shtetasve shqiptarë me banim në Tiranë.
Anëtarë të një organizate që vlerësohet se ka mashtruar disa qindra shtetas italianë.
Operacion gjatë të cilit policia e dy vendeve sekuestroi edhe dy Call Center me më shumë se 60 stacione pune të pajisura me kompjuter personal si dhe dy serverë të lidhur me këto stacione.
Ajo që nxorri hapur rrjetin e mashtrimit ishte serveri i sekuestruar në Itali, i përdorur nga organizata me qëllim për të humbur gjurmët e saj kompjuterike dhe për të penguar hetimet.
Hetim nga ku rezultoi më pas se organizata në fjalë kishte mundur të siguronte nëpërmjet mashtrimit dhjetëra milionë euro, të cilat më pas kishin përfunduar në llogari të huaja.
“Hetimet në operacionin e koduar ‘Fitim ëndrrash’ u kryen në anë të teknikave komplekse, nga ku doli se skema kriminale, e pastrimit të shumave të vjedhura të parave ishte e bazuar në vende të ndryshme anëtare të BE-së. përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën dhe Gjermaninë, dhe shndërrimin e tyre në kriptomonedha”, thuhet në dosjen italiane.
Sipas medias italiane, viktima të kësaj skeme u bën rreth 200 shtetas italianë, të cilëve u ishin vjedhur mbi 2 milionë euro shumë që mendohet të jetë shumë më e lartë se aq.
“Gjatë më shumë se 42 000 përgjimeve telefonike të kryera nga hetuesit italianë, doli se sa të aftë ishin mashtruesit në përdorimin e teknikave reale të bindjes dhe plagjiaturës, deri në atë pikë sa i bindnin viktimat të hynin në borxhe dhe të paguanin, me kalimin e kohës, disa qindra mijëra euro:, deklaron prokuroria italiane.
Sipas këtij hetimi, që rezultoi më pas me disa arrestime, operatorët e Call Center u përzgjodhën posaçërisht në bazë të njohurive të tyre të gjuhës italiane
Kjo duke ditur edhe afrimitetin që Shqipëria ka me Italinë.
“Mënyra e punës së bandës kriminale konsistonte në kontaktimin e përdoruesve italianë me telefon me një numër në dukje britanik. Gjatë thirrjeve, klientëve u propozohej shitja e aksioneve ‘fiktive’ të Amazon për një vlerë prej 250 euro. Në të njëjtën kohë, këshilltarët e rremë financiarë verifikonin burimet financiare të viktimave dhe u premtonin atyre të ardhura të mëdha”, thotë prokuroria.
Për më tepër, ata i propozonin atyre konvertimin e eurove në bitcoin, pra të shumës së parave që ishin gati të investonin, por kjo ishte vetëm një pjesë e lojës për të futur në grackë viktimën.
Kjo pasi akti final, siç rezulton edhe nga hetimet e prokurorisë italiane, ishte instalimi i një program të veçantë në pajisjen kompjuterike të viktimës, aty nga ku më pas ata mund të kishin akses në llogarinë e tij rrjedhëse bankare.
“Pasi operatorët e rremë fitonin besimin e klientit me të tilla justifikime, ata i bindnin ata të instalonin një program të veçantë në PC, ku falë këtij programi ata mund të merrnin kontrollin e plotë të pajisjes nga distanca.
Pasi kishin akses në kredencialet e shërbimit bankar në shtëpi, ata kryenin transferta parash direkt nga llogaria rrjedhëse e viktimës”, deklaron prokuroria italiane.
Bazuar në të dhënat e mbledhura mbi Call Center, skema e mashtrimit financiar, thuhet se u shfaq fillimisht në Izrael, nëpërmjet formës së investimeve në Forex përmes të ashtuquajturave ‘opsione binare’.
Ato u shpërngulën në Evropë pasi u shpallën të paligjshme në vitin 2017 nga Tel Avivi, duke marrë forma të ndryshme, si investime në bursë dhe kriptovaluta.
Por fundi i çdo viktime do të ishte shumë më mizor se kaq, kjo pasi kompanitë ndërsa i kishin zhvatur mirë, ishin edhe më të pangopura se kaq dhe luanin me dëshpërimin e tyre duke u kërkuar tashmë një tarifë për kthimin e parave të investuara, por që në fakt ishin të humbura.
“Sapo klienti mësonte për transferimin e parave nga llogaria e tyre rrjedhëse, konsulentët e rremë u kërkonin atyre një komision për lirimin e parave, duke i detyruar në fakt viktimat të paguanin një ‘tarifë’ me shpresën se do të mund të merrnin investimin. paratë e kthyera. Para që sigurisht nuk u kthyen kurrë”, deklaron prokuroria italiane.
Por për t’iu kthyer edhe njëherë kompanive mashtruese që Amant Josifi ngriti me qëllim zhvatjen nëpërmjet Call Center të qytetarëve në Bashkimin Europian, Eurojust mendon se që nga viti 2018, janë me qindra mijëra viktimat.
“Ndonjëherë duke përdorur edhe besimin e dhënë nga klienti, ndërmjetësi e detyron viktimën e tij të instalojë softuer të aksesit në distancë në kompjuterin e tij personal, si ‘TeamViewer’ ose ‘Anydesk’, duke siguruar akses në kompjuterin e tij”, thuhet në dosjen spanjolle.
Në momentin që viktima dëshiron të tërheqë të gjitha ose një pjesë të fitimeve të marra me investimet e tij të supozuara, ndërmjetësi i supozuar ose kërkon më shumë para për të qenë në gjendje të tërheqë fondet me justifikime të ndryshme si pagimi i taksave, ose ai akseson informacionin bankar personal të viktimave dhe vjedhin paratë që janë në llogaritë e tyre.
Sipas prokurorisë spanjolle, organizata kriminale krijoi për gjatë gjithë kohës një staf të mirëtrajnuar ekspertësh kompjuterikë, ndërkohë që ishte e shtrirë në degëzime në mbarë botën.
Fundi i tyre ishte në parajsat fiskale, aty ku zhdukeshin pa gjurmë edhe paratë e marra përmes mashtrimit.
“Personat e mashtruar kryenin transferta bankare, ose pagesa me karta krediti në llogari bankare të vendosura në Austri, Holandë, Hungari ose Estoni. Para të cilat më vonë zhdukeshin përmes transfertave në llogaritë bankare të vendosura në parajsat fiskale, të transferuara në faqet e shkëmbimit për kriptovaluta ose ‘shkëmbime’ apo metoda të tjera më të sofistikuara si përdorimi i platformave të pagesave, disa prej tyre të krijuara si kompani të vetë organizatës kriminale.
Sipas prokurorisë spanjolle, për të humbur gjurmët, kompanitë mëmë janë në parajsat fiskale, pavarësisht se ato shfaqen në disa vende të Ballkanit.
“Gjatë hetimit janë zbuluar dhjetëra kompani të lidhura, të krijuara në vende të ndryshme që veprojnë si front. Fillimisht ato shfaqen si kompani të regjistruara në vende si Bullgaria, Estonia, Qiproja apo Mali i Zi dhe kompanitë mëmë të të cilave janë kompani në parajsat fiskale si kryesisht Ishujt Marshall apo Saint Vicens & Grenadines, por edhe Vanuatu, Mauritius apo Antigua, ndër të tjera”, thuhet në dosjen spanjolle.
Lidhur mbi kompanitë e Amant Josifit, hetimet nxorën në pah edhe lidhjet ndërkombëtare të kësaj kompanie me simotra të saj të shpërndara në Evropë.
“Nga hetimet e kryera rezulton edhe njëherë se, nën Call Center të ndryshëm që ndodhen në Shqipëri, funksionojnë marka të ndryshme dhe gjenden të njëjtët persona përgjegjës.
Organizata kriminale funksionon në mënyrë legjitime, me kompani të krijuara ligjërisht të regjistruara në institucione të ndryshme shqiptare, nga ku del se pas kompanive kryesore të hetuara në lidhje me ‘Call Centers’: CTA Group, APA Llaison, Oritech, Volans; ndodhen shtetasit shqiptarë: Amanti Josifi, Ndriçim Sula, Berlando Saracaj, Erindi Pysqyli dhe Lisien Bakiasi”, thuhet në dosjen spanjolle.
Por ndërsa Amant Josifi ndodhet në kërkim, gjykata spanjolle i kërkon shtetit shqiptar ekstradimin e dy prej të arrestuarve të këtij operacioni.
I pari është Berlando Saraçej, që u arrestua në qytetin e Vlorës dhe për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë në Sue de Urgell (Sue de Urgej) në Spanjë, ka kërkuar ekstradimin e 32-vjeçarit, si i dyshuar në ‘Pjesëmarje në Organizatë Kriminale’ dhe ‘Mashtrime në rrethana rënduese’ të kryera në vazhdimësi.
Sipas dosjes hetimore Saraçej është pjesë e një grupi personash që menaxhojnë disa pika zinxhir të Call Center-ave në Tiranë dhe jo vetëm.
I dyti është Erind Pysqyli, ortak biznesi me Amant Josifin, megaaferë mashtrimi, ku e përfshirë duket të jetë edhe politika në Shqipëri, që ngjan të jetë vetë maja e ajsbergut.
Hetime që janë në zhvillim nga prokuroria e Tiranës dhe SPAK nxjerrin në dritë të tjerë personazhe po ashtu me lidhje e njohje në politikë. /News24/
Discussion about this post