Nga Ndriçim Kulla
Ajo që unë në librin tim “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane” e kam quajtur “gjeopolitikë etike” amerikane ndaj Shqipërisë, ka dhe një protagonist të parë të madh, ambasadorin George Fred Williams. Kur u krijua shteti shqiptar dhe fuqitë e mëdha evropiane sollën në krye të tij Princ Vidin, në kryeqytetin e asaj kohe të Shqipërisë, nuk kishte një përfaqësi diplomatike amerikane, ashtu siç kishte të fuqive të mëdha evropiane. Kjo nuk kishte të bënte me ndonjë nënvlerësim amerikan për Shqipërinë, por me faktin se atëherë SHBA ishte shumë pak e angazhuar në punët e Evropës. Në vitin 1914, qeveria amerikane i kërkoi ministrit fuqiplotë të SHBA në Greqi, të akredituar dhe në Malin e Zi, George F. Williams, që të ndërmerrte një udhëtim në Shqipëri për t’u njohur me gjendjen në vend. Kjo ishte mënyra që përdorte SHBA dhe në përgjithësi shtetet e mëdha kur përgatiteshin për të lidhur marrëdhënie diplomatike me një shtet të porsakrijuar.
Williams i kritikon rreptë përfaqësuesit e fuqive e mëdha evropiane për politikën që ndiqnin në Shqipëri, si për atë që nuk i dhanë mbështetje reale qeverisë së Vidit, ashtu edhe që duke u treguar të përmbajtura lejuan që në vend të bëheshin masakra të mëdha të popullsisë civile nga grekët:
“Ata e dinin mirë që qeveria e tyre i kishte ditët e numëruara, e dinin prapë që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte akoma gjakderdhje vëllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë epirote dhe kryengritësit e Shqipërisë së Mesme përparuan; mëse 100.000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnja lanë shtëpitë e tyre të cilat ua dogjën dhe ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim u raportua se nga këta 100.000 emigrantë, 30.000 kishin vdekur dhe s’kishin as shtresë, as mbulesë dhe as kasolle ku të fusnin kokën. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk do të ketë as misër për farë për ata që do të shpëtojnë”, shkruan George F. Williams në librin “Shqiptarët”.
Ambasadori Williams po kërkonte më kot gjeopolitikë etike nga fuqitë e mëdha evropiane. Sidoqoftë, këto raportime të këtij diplomati amerikan në atë kohë, në mos për ndonjë gjë tjetër shërbyen për sensibilizimin e opinionit publik amerikan dhe për mbledhjen e ndihmave në Amerikë për një fushatë ndihme humanitare në Shqipëri, e cila rezultoi shpëtimtare për një pjesë të madhe të popullsisë së vendit. Williams, për të sensibilizuar qeverinë amerikane dhe opinionin publik amerikan, bëri një akt që rrallë që ndeshet në analet diplomatike, ai dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj këtyre ngjarjeve, por dhe që të ishte i lirë të mbronte kauzën e këtij populli të vogël e të martirizuar:
Ky diplomat i ndershëm sakrifikoi karrierën e tij si një gjest për t’i thënë Amerikës dhe Evropës se kishte ardhur koha për një diplomaci humane, që duhet të merrte në mbrojtje në radhë të parë popujt e vegjël dhe të pambrojtur, si shqiptarët. Dorëheqja e Williams dhe motivi i saj nuk kaloi pa u vënë re nga shqiptarët, jo vetëm ata të Amerikës. Ky akt i këtij ambasadori, i panjohur në Evropë, së bashku me fushatën e ndihmës humanitare të ndërmarrë nga amerikanët në Shqipëri, krijoi te shqiptarët shpresën se shpëtimi i tyre do të vinte nga Amerika, që kishte parime të ndryshme nga fuqitë e mëdha evropiane. Madje Ambasadori Williams arriti deri atje sa të kërkonte që SHBA të ndërhynte ushtarakisht që në 1914 për të mbrojtur shqiptarët, gjë që në atë kohë kur Amerika nuk ndërhynte në Europë, ishte një kërkesë shumë e guximshme:
Ambasadori Williams dha dorëheqjen nga diplomacia për indiferentizmin e fuqive të mëdha për të ndihmuar Shqipërinë e vogël që sapo ishte shkëputur e rrënuar nga Perandoria Otomane. Por ai vazhdoi të punojë në dobi të Shqipërisë. Në 1 janar 1919 shoqata “Vatra” organizoi një miting të madh të shqiptarëve të Amerikës në Boston, për të protestuar kundër planeve për copëtimin e Shqipërisë në konferencën e paqes që do të mbahej pas Luftës së Parë Botërore, dhe në këtë rast, kundër planeve për copëtimin e Shqipërisë së Jugut. Oratori kryesor në miting ishte pikërisht ambasadori George Fred Williams. Bashkë me të folën Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi etj.
Ambasadori Williams është një nga ata njerëz që kanë vendosur gurë themeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në traditën e tij do të ecnin një varg diplomatësh amerikanë të cilëve Shqipëria iu detyrohet aq shumë, që nga ata të viteve 1919-20, që punuan për presidentin Willson për shpëtimin e Shqipërisë e deri te ata të mëvonshmit si Chris Hill, William Walker, Richard Holbrooke, që shpëtuan Kosovën.
Por sot në Shqipëri kush është ambasador? A ka ndopak ngjashmëri me ambasadorin George Fred Williams? Një situatë tragjike me politika të kundërta. Sot po kryen aktivitetin diplomatik në Shqipëri e akredituara Yuri Kim, e cila për fat të keq është krejt e ndryshme e diplomatëve amerikan shqiptardashës, e cila më shumë me sjelljen e saj i ngjan një politikaneje se një diplomateje.
Si shumë e shumë qytetarë, jam i shqetësuar për rolin destruktiv të ambasadores amerikane Yuri Kim sot në Shqipëri, e cila jo vetëm që ka shkelur Konventën e Vjenës mbi statusin e ambasadorit, por ajo është bërë pale qartësisht politike duke mbrojtur regjimin që është instaluar në Tiranë.
Sot Yuri Kim për mua personalisht nuk është më ambasadore, por një politikane radikale e ekstremit të majtë në Shqipëri.
Ajo jo vetëm që çdo herë që del nga ambasada, del si politikane dhe jo si diplomate, por duke shfrytëzuar fuqinë e gjithanshme të Amerikës, gjithashtu dhe mitin që është krijuar nga shqiptarët për këtë vend të madh, po imponon një agjendë personale dhe jo agjendën e letër kredencialeve për të cilat është pranuar.
Po qe se bën një retrospektivë të gjithë sjelljes së saj në Tiranë, e kupton qartë se çfarë përfaqëson tek ajo kopertina e diplomates. Është e vështirë të gjesh gjurmë të etikës diplomatike, të cilën amerikanët e kanë respektuar gjithmonë në marrëdhëniet me shqiptarët. E akuzuar drejtpërdrejt edhe nga shtypi më prestigjioz amerikan, ajo duket qartësisht se ka një agjendë tjetër, personale, në shërbim të dikujt, të një lobisti që ka shumë para dhe shumë inate ideologjike me dikë në këtë vend të pavarur.
Ndërsa njerëzit po ikin, dhe po ikin në pamundësi për të përballuar varfërinë që shtohet nga dita në ditë, padrejtësinë dhe luftën e klasave që po bën kryeministri Rama dhe sistemi që ai ka krijuar, Yuri Kim hesht dhe mbështet sistemin e padrejtësisë duke u bërë bashkëpunëtore me sistemin.
Kjo është një padrejtësi e thellë që po i bëhet një vendi të vogël evropian nga një diplomate e një vendi të madh mik. Kjo nuk është një sjellje amerikane por një sjellje tipike e devijuar edhe për interesat e vet Amerikës. Nuk është kjo Amerika e Etërve të mëdhenj themelues, Amerika e Woodrow Willson-it, Amerika e Ronald Reagan-it, Bill Clinton-it, e familjes Bush, Amerika e Barack Obama-s, e Edgar Allan Po-së, Emily Dickinson, e Max Weber-it, e Henry Kissinger-it etj, etj. Amerika e sjelljes së Yuri Kim është një Amerikë e keqpërdorur.
Discussion about this post