Nga Akil Kraja
Propozimi i fundit i qeverisë Rama për të rritur pagat nuk do të sjellë më shumë kursime për familjet shqiptare. Një analizë realiste e kostove të jetesës në vendin tonë tregon që problemi i pamundësisë për të kursyer në Shqipëri nuk vjen vetëm nga ajo çka shqiptarët fitojnë, por kryesisht nga mënyra sesi shpenzohen paratë e tyre.
Pagat mund të rriten, por në kushtet aktuale, shqiptarët mund të ndodhë që të varfërohen dhe më shumë. Kjo pasi rritja e pagave me qëllime elektorale nuk është zgjidhje, por thellim i problemit. Të fillojmë me shifrën më domethënëse.
Një familje shqiptare shpenzon 41.6% të buxhetit mujor në ushqime, ndërkohë në BE, një familje europiane shpenzon 17% të buxhetit, dy herë më pak ndërkohë që fitojnë dy herë më shumë. Ky nivel i ulët shpenzimi bën që 1 në 2 familje shqiptare (50.8%) të jenë në rrezik varfërie e përjashtimi social. Kjo shifër e bën familjen shqiptare më të varfrën në Europë. Por dhe në rajonin e Ballkanit, ku vendi i dytë në renditje pas Shqipërisë është Mali i Zi me një diferencë të qenësishme (34.2%). Kjo varfëri mund të shpjegohet lehtësisht nga impakti i keq-qeverisjes në nivelin e shpenzimeve familjare shqiptare. Fillojmë me kostot e transportit.
Gjatë 10 vjeçarit të fundit shqiptarët kanë paguar çmimin për litër nafte ndër më të lartit në Europë. Kjo ndodh në veçanti për shkak të rritjes së taksës së qarkullimit pas vitit 2013 nga 8.4 në 32 lekë/litri përfshi taksat. Kësaj rritjeje i shtohet dhe ‘arbitrariteti’ i bordit të çmimeve çka bën që sot, në prillin e vitit 2023, çmimi i litrit ta vendosë Shqipërinë në vendin e 9 nga shtrenjtësia krahasuar me 27 vendet anëtare të BE. E njëjta shtrenjtësi krahasuar me rajonin e Ballkanit.
Në Shqipëri litri i naftës kushton 1.64 euro ndërkohë në Maqedoni 1.17 euro. Vendimmarrjet jo-transparente dhe qartësisht anti-treg të këtij bordi, pra vetë shteti, është shkaku që shqiptarët paguajnë naftën më të shtrenjtë. Dhe këtu nuk po zgjatemi tek cilësia e karburantit apo mungesa totale e transportit publik ndër-qytetas si ai me tren, ku fajtori mbetet po i njëjti, shteti. Vijojmë me kostot e shportës.
Taksa e vlerës së shtuar (TVSH) për produktet ushqimore në Shqipëri është 20%, ndërkohë që në shumicën e vendeve të BE-së ajo është 0% si në Maltë, në 4% në Itali, 5.5% në Francë apo 10% në Austri. Sërish e njëjta situatë në rajon. Në Maqedoni TVSH për produktet ushqimore është 5%, në Mal të Zi 7%, në Kosovë 8% e në Serbi 10%. Me pak fjalë, teksa një qytetar shqiptar shpenzon 5.000 lekë për ushqime, 1.000 i shkojnë shtetit në taksa. Dhe meqë jemi tek çështja e ushqimit, kemi taksën më të lartë por kemi nivelin më të ulët të subvencionimit për bujqësinë në rajon dhe në BE! Sërisht lind pyetja, ku është shteti?
Kostot e telekomunikacionit. Në prillin e vitit 2023 në Shqipëri një paketë standard me minuta dhe SMS të kufizuara, dhe me 8GB internet, kushton 11 euro. Në Itali, një ofertë në minuta dhe SMS të pa-kufizuara brenda vendit dhe drejt BE-së, me 200GB internet, kushton 10 euro/muaj. Përtej kostove që lidhen me madhësinë e tregut, faktori kyç që nxit uljen e çmimit është incentivi që shteti i jep konkurrencës së lirë. Ndërkohë që në vitet 2005-2013, nga një operator shtetëror u kalua në katër operatorë privatë, sot jemi në një situatë alarmante duopolistike ku operatorët nuk kanë asnjë arsye të konkurrojnë me njëri tjetrin.
Analizat e AKEP-it flasin për raste të përsëritura sesi operatorët vendosin çmimin në një mënyrë të rakorduar mes tyre, në dëm të konsumatorit shqiptar. Në vitin 2018, u përfol se ishte pikërisht në lidhje më këtë sektor që shteti miratoi në shkelje të kushtetutës edhe një taksë dividendi prej 8% retroaktive. A është konsumatori shqiptar realisht i mbrojtur nga shteti i tij?
Kostot e energjisë dhe ujit. Sërish më të shtrenjtët në rajon. Çmimi i KwH në Shqipëri në gjysmën e parë të 2022 ishte 0.094 euro, ndërkohë në Kosovë 0.061, në Serbi 0.08 e kështu me radhë. Kjo diferencë në çmim ndër të tjera shpjegohet edhe nga praktikat klienteliste abuzive me asetet hidrike të cilat shkojnë deri aty sa gjatë vitit 2022, shteti shqiptar ta ketë blerë energjinë mesatarisht me 305 euro/MwH, ndërkohë që e ka shitur me 174 euro/MwH. Dyfish diferencë, pasi vetëm kështu mund të sigurohej një fitim i volitshëm për hallkat ndërmjetëse. Në paralel, humbjet e energjisë elektrike shkonin në rreth 500 milion euro, ose pak më shumë sa vlera e totalit të importit të energjisë. Ku është shteti? E njëjta situatë me ujin e pijshëm.
Në Tiranë, mbi 6 në 10 litra nuk faturohej gjatë vitit 2022 ndërkohë çmimi i ujit është rritur me 40% prej 2017. Paguajmë shtrenjtë energjinë dhe ujin, për të mbuluar pa-aftësinë e abuzimet e shtetit. Kostot e borxhit. Norma e taksimit në Shqipëri prej 15%, është më e larta në Ballkan. Po kështu përsa i përket normës së interesit bankar. Përpos Serbisë, Shqipëria ka ndër normat më të larta në rajon, por edhe në BE. Pra paguajmë më shumë taksa por dhe më shumë interesa financiare. Ndërkohë që në paralel, borxhi publik shqiptar ka arritur në 10 vjeçarin e fundit nivele rekord.
Në vitin 2013 borxhi ishte 0.83 biliardë Lek, sot jemi në 1.4 biliardë. Sot, një qytetar shqiptar duhet të paguajë 4100 euro në vit për borxhe që janë marrë nga shteti në emër të tij. Nëse përfshijmë dhe kostot e PPP-ve, borxhi ka kaluar 110% të prodhimit të brendshëm bruto, ose 14 miliardë euro. Ku kanë vajtur këto para? Në shëndetësinë falas? Në një arsim më cilësor?
Me gjasa nuk kanë shkuar as në xhepat e qytetarëve të cilët siç shpjeguam më lart, paguajnë më shumë se kushdo në rajon e në Europë. Propozimi për rritjen e pagave nga Kryeministri Rama, në pamje të parë mund të krijojë përshtypjen se qeveria po shqetësohet për nivelin alarmant të shpopullimit të vendit dhe se kjo vjen si pasojë e nivelit të ulët të jetesës në vend. Shqiptarët nuk fitojnë dot mjaftueshëm në vendlindje e për pasoje ata emigrojnë.
Arsyetimi logjik është se duke e përfshirë shtetin në diktimin e një page më të lartë, shqiptarët nuk do të kenë arsye për t’u larguar. E vërteta është krejt ndryshe. Shkaku i kostove të larta të jetesës në Shqipëri, pamundësia për të mbyllur muajin, varfërimi i shtresës së mesme, thellimi i hendekut të pasurisë mes atyre që paguajnë taksa dhe atyre që jetojnë nga krimi e korrupsioni, ndërkohë që të parët gjobiten e të dytët forcohen… në pjesën dërrmuese, ky realitet ekonomik është pasojë e politikave shpesh herë korruptive e okulte të vetë shtetit shqiptar, i cili duke rritur pagat me qëllime të pastra elektorale po krijon probleme të reja të jashtëzakonshme për ekonominë e vendit.
Rritja e pagave nuk e ul varfërinë që sjell korrupsioni, përkundrazi e shton atë. Pasi një rritje artificiale e pagave do të sjellë rritje të borxhit publik, e cila do të sjellë rritje të presionit fiskal e të interesit bankar bazë, dhe në përfundim rritje të inflacionit. Kjo është spiralja që përjetuan shumë ekonomi pas krizës së Covid-19. Çka do të thotë që edhe nëse paga rritet, kombinimi i këtyre faktorëve do të sjellë që fuqia blerëse e familjeve shqiptare mund të mbetet po atu ku ishte, mbase dhe mund të zvogëlohet.
Rikujtojmë që në mandatin e qeverisë 2005-2013, rritja e pagave erdhi si pasojë e uljes së taksave dhe rritjes së konkurrencës në treg, thithjes së investimeve të huaja dhe promovimit të eksporteve shqiptare.
Sot jemi në kushte krejt të kundërta, me taksa të rritura, me një treg oligopolistik, me investitorë të huaj që largohen dhe ku eksporti kryesor shqiptar është krahu i punës në formën e emigrimit masiv të punëtorëve shqiptarë. Ndaj në përmbyllje, ripërsërisim që rritja e pagave nuk e ul kurrë varfërinë që sjell korrupsioni, por vetëm e shton atë. Që shqiptarët të bëjnë (për)para, zgjidhja e vërtetë është vetëm një: ndërrim i modelit qeverisës nëpërmjet largimit të Edi Ramës.
Discussion about this post