Partia Republikane hapi fushatën elektorale sot në Tiranë. Republikanët shprehen se do të jenë në mbështetje të kandidatit të opozitës Belind Këlliçi për Tiranën.
Kryetari i PR Fatmir Mediu tha se çdo votë për Nr. 4 Partinë Republikane në fletën e votimit për këshilltarë, do jetë dhe votë për Nr.5 Belind Këlliçin për kryetar bashkie.
Në fjalën e tij Mediu theksoi se qeveria shkon përpara në interesat e saj, por duke lënë mbrapa shqiptarët pa shpresë, që zvarriten në pamundësinë për të ndërtuar lumturinë e tyre, mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre, ata dhunohen çdo ditë, skandali zëvendëson skandalin, e keqja është bërë dominante, hajdutëria shihet si vlerë, sharlatanizmi si kualitet, e mira dhe njerëzorja shihet si dobësi.
“Shkelmoni të keqen që ju pengon, respektoni të mirën që ju vlen. Tregoni që jeni, dini dhe bëni ndryshimin. Shihni tek njerëzit e politikës, njerëzit e gabueshëm, shihni brenda jush dëshirën e pagabueshme të dashurisë dhe lumturisë.
Të ngremë lart rolin tonë si individ, të mbrojmë familjen si themeli i shoqërisë sonë, të vendosim drejtësinë mbi pronën, të përulemi me respekt përballë të përndjekurve politik, të ulim taksat, të mbështesim biznesin, punësimin, të zhvillojmë ekonominë familjare dhe kombëtare, të kthehemi në shoqëri solidare dhe e mirësisë, dimë t`a bëjmë më mirë se qeveria, sepse e kemi pjesë të traditës sonë, të bëjmë përjashtimin nga taksat të çdo kontributi social, kulturor, artin, arsimin dhe shëndetësinë, të vlerësojmë besimin në Zot, si mundësi për të kuptuar jetën, lirinë dhe mundësitë, të gjejmë forcën morale për të ndarë të mirën nga e keqja.
Të jemi patriotë çdo çast të jetës sonë, të duam kombin dhe Shqipërinë, por të duam së pari dhe respektojmë njëri-tjetrin. Vlerat e njerëzve patriotë dhe të ndershëm, janë mbështetja më e madhe për jetën tonë dhe Kombin.”, tha ai.
Belind Këlliçi pasi falënderoi Këshilltarët dhe Partinë Republikane theksoj se: Kjo është një përballje me gjithë pushtetin dhe përdorimin e tij për qëllime politike, por qytetarët e Tiranës janë të vendosur për të fituar në 14 Maj, për të pasur një bashki që kujdeset për ta, një kryetar bashkie i cili do të respektojë cdo qytetar të Tiranës, të drejtat e tyre, vlerësoj dhe mbështes njerëzit në nevojë dhe do t`i shoh ata, jo si militant Partie, por si qytetarë dinjitozë, sepse bashkia u takon vetëm atyre dhe do të jem në shërbim të tyre në çdo çast.
Discussion about this post