Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se mes grupeve kriminale janë prishur balancat dhe se kjo gjë do të ndikojë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha tha se gara elektorale për zgjedhjet vendore është mjaft e ashpër dhe organizatat kriminale kanë ndikim. Ai shtoi se të gjithë organizatat kriminale janë në krahun e mazhorancës dhe se Durrësi është mjaft i rëndësishëm për krimin, për shkak të Portit ku hyn kokaina, projektit për kthimin e portit në një marinë jahtesh, kur sipas gazetarit do të pastrohen paratë e krimit.
“Nuk kemi të bëjmë thjesht me banda, por kemi të bëjmë me organizata kriminale, që janë struktura të mirëfillta kriminale me impakt të jashtëzakonshëm në njësinë vendore të Durrësit. Durrësi si bashki, është një nga bashkitë kryesore, nuk ka qenë kështu më parë. Durrësi ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e krimit sepse ka Portin dhe ka treg të madh turistik, ku investohen paratë e krimit.
Të kesh kontrollin ne Durrës je shumë i avantazhuar për aktivitetin në të gjithë Shqipërinë. Trysnia e ushtruar nga organizatat kriminale nuk ka qenë kurrë më parë në nivelin që është sot, në nivelin e kriminalitetit, vrasjet, shantazhi, presionet, ashtu edhe në pjesën tjetër, në lidhje dhe koordinim të strukturave kriminale me agjencitë e zbatimit të ligjit. Shikoni sa shpesh ndërrohen drejtorët e hipotekës në Durrës. Sot Durrësi duke qenë porti më i madh, është porta nga hyn kokaina në vend. Ka vajtur 22 mijë euro kilogrami i kokainës. Pse? Sepse ka stok.
Ata që marrin në kontroll portin, kanë interesa në fushatë zgjedhore, duan të ruajnë status quo. SPAK ka disa hetime që kanë të bëjnë me organizata kriminale, por kanë goditur organizata që i kanë dalë nga rreshti maxhorancës. Nëse më parë kishte një lloj balance, ka kaluar tani e gjitha në të njëjtin krah. Ajo që shoh në Durrës, është që balanca dhe ekuilibri në botën e nëndheshme është prishur. Nuk di ndonjë grup të madh sot, edhe ata që nuk i përmendim dot sepse të fikin derën…
Durrësi është bërë i rëndësishëm sepse opozita ka shanse të mira për ta fituar bashkinë, prandaj i kërkohet ndihmë atyre. Në një njësi vendore ku mazhoranca e ka të sigurtë, nuk i duhet aleanca me botën e nëndheshme. Organizatat kriminale në Durrës janë shumë prezente. Nuk e di nëse zoti Igli Cara, kandidat i opozitës ka patur problematikë direkte, me shantazhe dhe presione, por ajo që mund të them me të dhënat që kam në terren, më rezulton se pjesa dërrmuese e strukturave të krimit të organizuar, që merren me narkotrafikun, krimet e rënda, janë kundër zotit Cara,”- tha Hoxha.
Discussion about this post