Agron Duka, kreu i PAA-së, gjatë një interviste ka bërë një panoramë mbi situatën politike para zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Pasi vlerëson Igli Carën, kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, si një kandidaturë që ka peshë elektorale në Durrës, Duka është i sigurt se opozita më 14 maj do të ndryshojë ekuilibrat politikë në mënyrë të veçantë në tri qytetet e mëdha, Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Ai u bën thirrje qytetarëve që votën të mos ua rrëmbejnë bandat, por të denoncojnë shantazhet për shitblerje vote.
Agron Duka thotë për gazetën “Panorama” se qeveria e degraduar nuk i shpëton dot llogaridhënies. Ai denoncon se pagat, shpërblimet, tenderat, të dhënat, pak javë para zgjedhjeve lokale janë një akt manipulimi që cenon zgjedhjet e lira.
Z.Duka, a e vendosin paratë rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit?
Prej vitesh, zgjedhje pas zgjedhje, kemi trashëguar një problem që nuk kemi arritur të zgjidhim, shit-blerja e votës. Siç është e kuptueshme këtë nuk e ka bërë opozita, por maxhoranca. Kemi edhe prova që kanë kaluar nën hetim të prokurorive për përfshirjen e krimit dhe politikës në tjetërsimin e votave, siç ishte dosja 339 që përfshinte Durrësin, ku nëpërmjet përgjimeve e gjithë bota kuptoi si tjetërsohen zgjedhjet në Shqipëri. Ende sot personazhet politike të dosjes “339” nuk janë ndëshkuar, kjo inkurajon modelin e gabuar, që kërcënon zgjedhjet e lira. Nisur nga këto premisa, unë edhe nga vetëdija e qytetarëve për mënyrën se si kjo maxhorancë kërkon ta pengojë me çdo kusht ndryshimin, do të apeloja që për të mirën e komuniteteve të tyre të mos shpërdorojnë të drejtën themelore të votës, ta mbrojnë lirinë e tyre për të votuar të lirë dhe të denoncojnë shantazhet dhe përpjekjet për shitblerje. Të gjithë po e shohim degradimin që pëson qeverisja kur është e shkëputur nga llogaridhënia përballë qytetarëve, ndaj të mos lejojmë që të na blihet apo rrëmbehet me dhunën e bandave e ardhmja e qyteteve tona.
Cili është rreziku aktual i deformimit dhe i manipulimit të votave?
Një nga rreziqet më të mëdha është përdorimi i shtetit nga ana e maxhorancës si bankomat për fushatën e tyre, i cili e bën të pandershme qysh në krye të herës garën mes palëve. Miliona euro tendera, punësime elektorale, shpërblime etj., etj., të lëvruara pak ditë para zgjedhjeve janë një akt manipulues, që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë apo me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Si ndikojnë te vota lehtësirat e kryeministrit Rama si dhënia e tenderave apo rritja e pagave dhe shpërblimi për pensionistët?
Ndikimi është i drejtpërdrejtë, sepse me këto ndërhyrje në momentin e fundit, kërkohet të amnistohet dështimi në qeverisjen e vendit. Janë karamele elektorale që jo vetëm janë të padrejta, por edhe fyese për qytetarët sepse në të vërtet ky akt për t’u blerë dashamirësinë me taksat e tyre është pohimi i dështimi të qeverisjes. Nëse kjo qeveri do të kishte punuar në mënyrën e duhur, nuk do të thyente në këtë mënyrë çdo standard të OSBEODIHR për zgjedhjet e lira. Jam i bindur që kështu siç e komentoj unë, e komentojnë edhe bashkëqytetarët tanë, të cilët e kuptojnë shumë mirë se qeveria po përpiqet t’u hedhë hi syve me buxhetin që financohet nga taksat e tyre, me shpresën që t’i shpëtojë llogaridhënies.
Cila është rëndësia e individëve përballë partisë së tyre? Kush duhet të marrë përparësi në momentin e votimit?
Zgjedhjet vendore kanë dy momente të rëndësishme, ai për votën për kandidatin për qytetarin e parë të qytetit dhe votën për këshillin bashkiak. Nëse në rastin e kandidatit përparësinë e merr individi, i cili është katalizatori i frymës opozitare, në rastin e këshillave përparësi merr vota për partitë, që do të përbëjnë Parlamentin e qytetit. Për ne si Parti Agrare Ambientaliste në këto zgjedhje përparësi do të kenë këshilltarët, të cilët do të jenë zëri i qytetarëve për çështjet që përfaqësojmë në çdo bashki të vendit.
Cilat janë avantazhet e Igli Carës në Durrës? A besoni se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të jetë më 15 maj në krye të Bashkisë së Durrësit?
Siç mund ta keni ndjekur, unë bashkë me strukturat e Partisë Agrare Ambientaliste kemi mbështetur Igli Carën qysh në momentet e para të daljes së tij si kandidat, pra, shumë kohë përpara se sondazhet t’i jepnin atij atë peshë që unë di që ka tek elektorati i Durrësit. Tani që na ndajnë pak javë nga dita e zgjedhjeve, jemi edhe më të bindur për suksesin e Carës sepse me urtësi arriti të thurë një rrjet marrëdhëniesh me gjithë faktorët opozitarë të Durrësit, duke pasur parasysh klimën brenda opozitës, kjo është një vepër jo e vogël, tregues e një politikani që di të ndërtojë ura bashkëpunimi të dobishme për ta drejtuar Durrësin jashtë stanjacionit, në të cilin ndodhet. Ka personalitetin, pjekurinë dhe ndershmërinë që i duhen qytetit për të çelur një kapitull të ri pas 23 vitesh përqendrimi të pushtetit në fare pak duar.
Si do të ndikojë rritja e kriminalitetit në këtë qytet dhe afera e Portit të Durrësit?
Siç thashë, në fillim mungesa e ndëshkimit e krimeve zgjedhore inkurajon përsëritjen e tyre, madje kur përmasa e “plaçkës” publike bëhet edhe me e madhe siç është rasti me portin e Durrësit, agresiviteti i kriminalitetit në mbështetje të maxhorancës mund të jetë edhe më i madh. Ndaj është jetike që organet e reja të drejtësisë të jenë shumë të vëmendshme dhe aktive në hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore dhe depërtimit të kriminelëve në fushatën zgjedhore, është edhe detyrë e tyre që Shqipëria të dalë nga rrethi vicioz i zgjedhjeve të manipuluara dhe kontestuara.
Po kandidaturën e Luçiano Boçit në Elbasan dhe Belind Këllit në Tiranë si i shikoni…?
Gjykoj që këto qytete, ashtu si shumica dërrmuese e qyteteve të vendit tonë, meritojnë ndryshimin, kanë nevojë për një nisje të re, për një mentalitet të ri në menaxhimin e punëve, për shkëputjen nga mentaliteti përqendrues i maxhorancës, që i bën kandidatët e saj thjesht numra. Dhe përballë numrave të maxhorancës, opozita ka emra, ka personalitete, ka njerëz që nuk fshihen pas logove, por kanë zbritur në fushë për të ndryshuar realitetin, në të cilin jetojnë. Këlliçi dhe Boçi hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, që dëshmon një farë besimi në fitoren e mundshme.
A është e gjithë epiqendra e opozitës, Durrësi, Elbasani, Tirana, duke investuar për fitoren e këtyre bashkive, ndërkohë që në Shkodër po investon maxhoranca qeverisëse…? Cilët janë faktorët që u japin shanse kandidatëve të Primareve?
Kam përshtypjen se më shumë se strategji është pasojë e faktit që Durrësi, Tirana dhe Elbasani përfaqësojnë qendrën e rëndesës së politikës në vendin tonë, pra, një ndryshim i ekuilibrave në këtë aks, përkthehet në ndryshim të ekuilibrave politike në të gjithë Shqipërinë, e cila është e etur për ndryshim. Dhe kandidatët e opozitës përfaqësojnë një mundësi konkrete ndryshimi për qytetarët e lodhur nga përqendrimi monist i pushtetit në duart e një individi, që ka prodhuar shumë pasoja negative në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. Ekzistenca e nevojës për ndryshim, pakënaqësia ndaj mënyrës së si po shkojnë gjërat në vendin tonë, korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes, janë të gjitha avantazhe për kandidatët e opozitës, të cilët duhet të jenë gati t’i shfrytëzojnë.
Nëse do të kishte votim të lirë, cilat bashki do të fitonte opozita?
Në kushte të barabarta, opozita do të ishte fituesja e këtyre zgjedhjeve. Por edhe me ndërhyrjet e paligjshme të maxhorancës, përsëri qytetarët do të dinë ta bëjnë ndryshimin sepse durimi i tyre ndaj anonimëve të imponuar nga Tirana është sosur prej kohësh. Pa hyrë në analiza për të gjitha bashkitë, po ju marr si shembull Durrësin, ku të gjithë jemi mbledhur rreth kandidatit të opozitës dhe do ta mbështesin deri në fitore, pavarësisht përpjekjeve të maxhorancës për të tjetërsuar votat me të gjitha mjetet.
Zgjedhjet lokale mund të ishin një mundësi për bashkimin e gjithë opozitës për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë në vend?
Debati brenda opozitës po arrin në vitin e dytë të ekzistencës së tij, ka sigurisht pasoja negative, por mbetet tregues i vitalitetit dhe nervit politik brenda një kampi. Nga ana tjetër kemi një forcë politike tërësisht të ndrydhur nga vullneti i njëshit, që nuk prodhon asgjë veç lajmeve të herëpashershme për arrestimet për korrupsion, për zbulimit të ndonjë kandidati me precedent apo për ndonjë skandali ekonomiko-politik. Ndaj ta marrim pluralitetin e mendimit si një vlerë të demokracisë që kërkojmë të mbrojmë, sepse për ndryshe do të ishim një kopje e krahut tjetër, pasojat në qeverisje të të cilit janë tejet negative, ndaj nuk mund të përbëjë një model suksesi nga pikëpamja e filozofisë politike apo unitetit partiak.
Mund të veprohej edhe me bojkotim të zgjedhjeve…?
Ne si Partia Agrare Ambientaliste nuk do të ndjekim më aventura të tilla. E kemi bërë njëherë këtë gabim, përsëritja e tij do të ishte një dhuratë e madhe për Edi Ramën. Ne kemi vetëm një detyrë, të luftojmë me alternativën tonë më të mirë, të denoncojmë çdo përpjekje për shit-blerje votash, të jemi në krah të qytetarëve për t’i njohur me vizionin dhe ekipin tonë. Nëse do të ketë shkelje, detyra jonë është ti bëjmë ato të pavlefshme me ndihmën e drejtësisë dhe t’i bëjmë të dukshme për OSBEODIHR, por nuk mund t’i ikim kurrë më përballjes.
Besoni se do të kenë sërish ndikim te zgjedhësit “fishkëllimat” nga SHBA-të…?
Interesi i partnerëve tanë të këto zgjedhje është vetëm cilësia, kjo është mbresa që mora nga takimi i z.Escobar me Kryeministrin Rama, fokusi i të cilit ishin edhe zgjedhjet vendore. Siç është e kuptueshme, pesha për mbarëvajtjen e zgjedhjeve i takon qeverisë, është ajo që është nën testin e partnerëve, jo opozita.
Çfarë fundi duhet të ketë regjimi i Edi Ramës?
Për një demokraci të re si Shqipëria, një mandat i tretë është tejet negativ. Cilësia e dobët e qeverisjes, e rendit dhe sigurisë, problematikat me ekonominë, përqendrimi i ekonomisë në pak duar, janë të gjitha pasoja të mbajtjes me çdo mjet të pushtetit. Prandaj ndryshimi është jetik për vendin, por ai mund të vijë vetëm me votë. Ndaj ne duhet të tregojmë në këto zgjedhje se e meritojmë besimin e qytetarëve dhe nëpërmjet kësaj marrëdhënie besimi të ndërtojmë alternativën tonë për zgjedhjet e përgjithshme që janë vetëm dy vite larg.
Cili është synimi i opozitës me 14 maj? Cilat janë bashkitë që synon t’i fitojë?
Objektivi është të jemi alternativa qeverisëse për shumicën e njësive të pushtetit vendor. Përtej emrave, rezultati i opozitës do të jetë i matshëm me performancën në dy nivele, atë për kryetarët e bashkive dhe numrin e votave për këshillat. Nëse ne arrijmë të marrim një numër votash më të lartë se maxhoranca, do të thotë se jemi gati jo vetëm të qeverisim bashkitë, por Shqipërinë.
Discussion about this post