Porti i ri tregtar, një vepër me rëndësi strategjike që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano ende nuk ka një projekt të detajuar teknik.
Pavarësisht se afatet për përfundimin e hartimit të projektit të fizibilitetit nga 8 muaj u shtynë në 15 muaj, ende ai nuk është dorëzuar.
Shkak për shtyrjen e afateve të përfundimit të studimit të fizibilitetit sipas njoftimit në Autoritetin e Prokurimeve Publike (APP) nga Autoritetit Portual Durrës (APD) në shtator 2022 mësohet të ketë qenë kundërshtimi i masterplanit të portit të ri tregtar në Porto Romano nga NATO, pasi ky projekt nuk i përmbahej kapaciteteve të NATO-s për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura.
Masterplani për projektin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning” dhe u prezantua për publikun në dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet shqiptare. Do të jetë sërish kompania holandeze që do të hartojë studimin e fizibilitetit të portit të ri. Por burime nga tregu i industrisë detare pohuan për “Monitor” se pritet që sërish të këtë shtyrje të realizimit të projektit ë cila pritet të kërkojë sërish fonde shtesë.
Për shtyrjen e afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 mln lekë.
Fillimisht afati për përfundimin e projektit të detajuar teknik të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano referuar shpalljes së njoftimit të tenderit nga APD në APP në janar të 2022-s ishte 8 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Kontrata është nënshkruar më 21 dhjetor 2021 dhe studimi i fizibilitetit duhej të dorëzohej në gusht të vitit 2022. Ndërsa fondi i prokurimit ishte me 1,145,354,372 lekë.
Por Autoriteti Portual Durrës në shtator të 2022-it ka qenë i detyruar të ndryshojë afatet e përfundimit të projektit teknik nga 8 muaj në 15 muaj (me afatet e reja projekti teknik duhet të dorëzohej i plotë në mars të 2023-it) si dhe të shtojë 19,5% fondin për realizimin e shërbimit. Fondi i ri i prokurimit ishte në vlerën e 1,365,777,813 lekëve. Shkak i shtyrjes së afatit ishte ndryshimi i masterplanit për projektimin e bazës detare, që binte në kundërshtim me standardet e NATO-s , pasi nuk i përmbahej kapaciteteve të tyre.
“Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor. Komanda e Forcës Detare, duke u koordinuar me përfaqësuesit Amerikanë, të cilët nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar kërkesat specifike, i ka përcjellë Autoritetit Portual Durrës kapacitetet që nevojiten, duke u bazuar në: inventarin aktual të anijeve të Forcës Detare, anijet që kanë vizituar vendin tonë në kuadër të stërvitjeve të vendeve aleate si “defender Europe 21” dhe mundësinë për akomodimin e të gjitha anijeve të tipit “destroyer”.
Kjo ide, e artikuluar në nivel koordinimi politik, gjatë Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, në datat 15-16 qershor, ka gjetur parimisht dhe mbështetjen e SACEUR, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të detajojë edhe më tej projektin e tyre, duke bërë zëvendësimin e zërit projektimit për bazën autonome detare për forcën detare te R.Sh , në zonë për përdorimin e forcave te NATO-s.
Projekti i infrastrukturës i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura sipas MASTERPLANIT nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO.
Për sa më lart argumentuar, paraqitet nevoja për amendimin e kontratës fillestare, duke u ndryshuar afati i zbatimit dhe vlera totale e kontratës së prokurimit në fjalë. Vlera e amendimit nuk tejkalon masën prej 20% të vlerës së kontratës fillestare”, citohet në dokumentet e prokurimit të tenderit.
Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romane për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit që e shndërron atë në port turistik, një nismë që ka hasur debate për faktin e formulës së financimit dhe sipërfaqes së lartë që do të jepet për ndërtime real estate./Monitor
Discussion about this post