Një shqiptar është ekzekutuar mëngjesin e sotëm në Spanjë. Mësohet se viktimë e sulmit me armë zjarri është Endrit Sinaj. Ky i fundit është një personazh i njohur për policinë. Ai është arrestua rnë operacione policore në Tiranë dhe Vlorë, për vepra penale që kanë të bëjnë me cenimin e jetës së personave apo grabitjen.
Shqiptari është qëlluar në zonën e njohur si Trueta de Girona. Sinaj dyshohet se ishte i përfshirë edhe në trafikun e lëndëve narkotike. Mediat vendase raportojnë se Endrit Sinaj përveç dosjeve kriminale në Shqipëri, rezulton i arrestuar për drogë në Spanjë dhe kishte vetëm pak ditë që ishte liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar bashkë me një bashkatdhetar në kuadër të një operacioni të lidhur me trafikun e marijuanës në Marbella.
Kush është Endrit Sinaj, personazhi me të shkuar problematike
Kallëzimi i një shtetasi italian disa vjet më parë për një makinë të vjedhur, bëri që Policia e Tiranës të arrestonte një person, që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, të cilit iu gjet edhe një armë pa leje.
Dy vite më parë, u arrestua 27- vjeçari Endrit Sina, ish-i dënuar për tentativë vrasje, i hetuar edhe për disa ngjarje të tjera në Tiranë. Arrestimi i tij u krye në afërsi të “Komunës së Parisit”, kur forcat e Komisariatit nr.2 po gjurmonin një makinë tip “Alfa Romeo”, që ishte denoncuar e vjedhur në Itali, disa muaj më parë.
Në momentin që është rrethuar nga forcat policore, i riu ka tentuar të arratiset, duke braktisur makinën dhe ka nisur të vrapojë nëpër rrugicat e zonës. Policia i është vënë në ndjekje dhe në këtë kohë ai ka hedhur në tokë një pistoletë, të cilën e mbante pa leje e brenda pak sekondash është prangosur.
Endrit Sinaj njihej nga Policia e Tiranës si një personazh problematik, i përfshirë në disa ngjarje, në një prej të cilave ka mbetur edhe vetë i plagosur rreth 8 vite më parë. Ndërsa për shumë të tjera ka qenë person nën hetim, por për shkak se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme, nuk është arrestuar. Përveç një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2014, kur ai u ndalua pasi plagosi me armë zjarri një vajzë dhe u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë.
OPERACIONI MË 202
Policia e Tiranës njoftoi se shërbimet e Komisariatit nr.2, pas marrjes së kallëzimit nga një shtetas italian, se nëpërmjet mashtrimit shtetasi E.P, 40 vjeç, i kishte marrë automjetin “Alfa Romeo” në Itali dhe nuk ia kishte kthyer më, organizuan punën për gjetjen e automjetit. Shtetasi i huaj kishte bërë fillimisht kallëzim në Itali, por pasi GPS i automjetit tregonte vendndodhjen në Shqipëri, kishte mbërritur në Tiranë, ku kishte denoncuar të njëjtën ngjarje.
Ai ka pohuar se disa muaj më parë, shtetasi E.P., i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia dhe rezulton jashtë vendit, i ka marrë me qira makinën “Alfa Romeo” dhe nuk ia ka kthyer më. Policia tha se, si rezultat i punës dhe informacioneve të grumbulluara, në rrugën “Bilal Golemi” shërbimet e Komisariatit nr.2 kanë konstatuar automjetin, ku dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin. Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur dot dhe menjëherë ka hedhur nga automjeti një armë zjarri, pistoletë “TT”.
“Policia ka bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit’, të shtetasit Endrit Sina, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për ‘Vrasje’ mbetur në tentativë. Gjithashtu, është bërë shpallja në kërkim për veprën penale ‘Mashtrim’ e shtetasit E.P., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin italian duke i marrë makinën dhe ia ka shitur shtetasit E.S.
I arrestuari u plagos në 2013-n, një vit më pas tentoi të vriste një vajzë
Për Policinë e Tiranës, Endrit Sina, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje, është një personazh i njohur, i përfshirë në disa vepra penale. Në dosjet e Policisë, kryesisht ato të Komisariatit nr.2, që e ka hetuar disa herë, Sina rezulton i përfshirë në një ngjarje të ndodhur më 7 janar të vitit 2013, në afërsi të gjimnazit “Besnik Sykja”. Ai bashkë me dy vëllezërit e tij është përfshirë në një konflikt të ashpër fizik, bashkë me disa kushërinj me mbiemrin Dibra dhe një person tjetër me mbiemrin Kokojka.
Gjatë këtij sherri masiv, ku janë përdorur edhe armët e ftohta, mbetën të plagosur 3 persona, mes të cilëve edhe vetë Endrit Sina. Ndërsa një vit më vonë, më 13 mars të vitit 2014, ai fillimisht u shpall në kërkim si autor i dyshuar i një tentative vrasjeje, për moskallëzimin e së cilës u arrestua kushërira e tij. Për këtë ngjarje ai u arrestua disa ditë më vonë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në afërsi të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, ku mbeti e plagosur 29-vjeçarja, Alma B.
Ngjarja dyshohej se kishte ndodhur pas një zënke që ajo kishte pasur me shefen e saj, e cila njëkohësisht kishte në pronësi edhe parukerinë ku ndodhi ngjarja. Ky dyshohej se kishte qenë motivi i sherrit që u mbyll me plagosjen me armë zjarri të 29-vjeçares nga Endrit Sina, i afërm i administratores së Call Center.
Burime të Policisë së Tiranës thanë në atë kohë se, lidhur me ngjarjen, ishte arrestuar për moskallëzim krimi Orjona P., 27 vjeçe, e cila ishte administratore e Call Center, ku punonte e plagosura, si dhe ishte shpallur në kërkim Endrit Sina, autor i dyshuar i plagosjes. Policia e pati klasifikuar ngjarjen si vrasje të mbetur në tentativë.
Discussion about this post