Kalimi i pronave shtetërore të Gardës së Republikës tek Bashkia Tiranë është shoqëruar me vjedhje dhe përvetësime nga Lali Eri dhe drejtori i tij Erindi Bejko. Gjithçka në emër të kthimit të sipërfaqeve të gjelbra tek qytetarët dhe krijimin e zyrave për institucionet publike. Por kjo është vetëm fasadë! Gijotina.com krahasoi një dokument auditimi të KLSH që e disponon si dhe analizoi të dhënat e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Zbulimi është se punime me vlerë 380 milionë lekë nuk janë kryer dhe ekzistojnë vetëm në letra.
Historia e zyrave të Policisë Bashkiake
Megjithëse raporti i auditimit është kujdesur të fshehë lidhjen e dëmit ekonomik me adresën dhe funksionet e objektit ku “investohen” këto para, mësojmë se bëhet fjalë për një nga ish-godinat e Gardës së Republikës. Në fillim gjoja do të bëheshin zyrat e reja të Policisë Bashkiake të kryeqytetit. Historia e Lali Erit me këtë dosje nis në vitin 2021 kur po betonizohej territori i Uzinës “Enver”. Në fshehtësi, pa transparencë, Bashkia e Tiranës dhe kompania e ndërtimit “Arlis” tjetërsuan pronën publike, duke e nxjerrë nga zyrat Policinë Bashkiake. Asnjë tender apo ankand, pa arsye ligjore, vetëm një aksion me fadroma ka mjaftuar që në një pronë publike të jepet për ndërtim.
Pas kësaj, IMT, Policia Bashkiake, QKB dhe zyrat e njësisë 7, shërbenin në atë godinë publike, vazhduan punën nëpër godina të tjera. Njësia 7 shkoi në godinën e privatit, në atë ngrehinë që prishi lulishten e zonës së ish-Parkut të Autobusëve.
Dhe nga ky betonizim, Lali Eri hidhet në një hapësirë tjetër për ta mbërthyer me korrupsion, tek ish Garda e Republikës. Pra aty do të bëhej “gjelbërim” për publikun (nënkupton kullat dhe hotelet) dhe zyra për policinë bashkiake dhe institucione të tjera. Por diçka nuk shkonte! Ti marrësh zyrat Gardës dhe t’ia japësh Policisë Bashkiake duket si një zhvendosje absurde, ndryshon vetëm emri i garnizonit.
Në këtë rast, Lali Eri e ka fjalën kyçe “fëmijë”. Sa herë që e kafshon tokën e Parkut të liqenit, Lali nxjerr një “projekt për fëmijë “. Tani tek Garda, Lali thotë se do të ngrejë një qendër Kombëtare për Fëmijë. Tashmë jemi mësuar se po i zuri Lali Eri fëmijët në gojë, po ndodh një vjedhje. Kështu po vepron edhe tek Piramida. Kur e pa se projektit të Piramidës i doli era e korrupsionit, ia vuri emrin “qendër për fëmijë dhe inovacion”.
Tenderi
Por magjia e Lali Erit me projekte për fëmijë kërkon të justifikojë vjedhjen e jo pak, por të 380 milionë lekëve të “investuara” vetëm në një objekt të Gardës së Republikës. Ato paskan përfunduar në xhepat e zyrtarëve dhe biznesmenëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike Tiranë, e cila u përdor nga Lali Eri për këtë përvetësim, drejtohet nga Erindi Bejko.
Me firmën e këtij të fundit u bë tenderi “Mirëmbajtje e thellë në objekte publike” më 4 nëntor 2020 dhe një muaj më pas u lidh kontrata me “RAFIN COMPANY” SHPK, e cila do të ndërtonte zyrat e Policisë Bashkiake.
Të palarat e marrëdhënies së Lali Erit me kompaninë e Renido Petritajt i ka nxjerrë pa dashje audituesi i KLSH-së, i cili në fakt është marrë me paratë e marra kot nga një kompani që ka bërë kolaudimin (mbikëqyrjen e punimeve) e objektit.
“Nga auditimi në terren për zbatimin e punimeve civile të kontratës me nr. 49/5 prot datë 21.12.2020, me objekt “Mirëmbajtje e thellë në objekte Publike”, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike, Bashkia Tiranë, rezultoi se godina rikonstruktuar “Ish Garda, edhe pse është kolauduar në datën 28.12.2021, nuk është vënë në shfrytëzim nga Bashkia”, kjo është gjetje e raportit të KLSH.
Punimet janë bërë shkel e shko! Kështu, nga auditimi në terren rezultoi se grupi i pompave të furnizimit me ujë nuk ekziston dhe godina nuk ka ujë. Po ashtu, ndërtesa nuk ka energji elektrike.
Nga kontrolli i zbatimit të punimeve civile të kontratës me vlerë
(me tvsh) 38,197,800 lekë, fituar nga OE “R. C.” SHPK, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në fakt në vlerën
232,320 lekë pa tvsh.
“Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me kontratën e sipërmarrjes së punimeve nr. 49/5 prot datë 21.12.2020 të lidhur mes Autoritetit Kontraktor Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike, Bashkia Tiranë dhe OE “R.C” SHPK”, citojmë raportin.
Theksojmë se afati zbatimit të kontratës është përcaktuar periudha kohore 90 ditë nga data e dorëzimit të objektit, por ende sot godina nuk është funksionale.
Si e fshehu drejtori i Lali Erit vjedhjen!
Nga dokumentet e auditimit del edhe një fakt interesant. Mbikëqyrja e punimeve i është bërë dhuratë bashkisë nga një kompani private, në vlerën 511,632 lekë me tvsh. A mund të bëhet dhuratë kontrolli i punimeve? Ky është një rast që ndoshta mund ta studiojnë në universitet, se si administrohen paratë e taksapaguesve. Për ta thjeshtuar, kompania është marrë për të firmosur dorëzimin e punimeve, pasi kolauduesi i parë i nxori bojën punëve të kryera nga Renido Petritaj.
Bashkia ka lidhur fillimisht një kontratë shërbimi për kolaudimin e objektit me nr. 2704/5 prot.,datë 14.07.2021 me shoqërinë “B.” SHPK. Kjo shoqëri ka hartuar procesverbalin e kolaudimit tekniko ekonomik në datën 28.09.2021, në të cilin shpjegohen edhe arsyet e zgjatjes së afatit të kolaudimit, që kanë të bëjnë me komunikimin e palëve (sipërmarrës, mbikëqyrës, kolaudator), në lidhje me plotësimin e dosjes teknike. Procesverbali i kolaudimit, i hartuar dhe i firmosur vetëm nga përfaqësuesi i shoqërisë “B.” SHPK, është i plotë dhe me konkluzione të qarta teknike.
Në këto konkluzione, theksohet se mungonte lidhja e rrjetit inxhinierik/elektrik të objektit, për të mundësuar inspektimin/verifikimin e funksionalitetit të sistemeve të ndryshme të instaluara në këtë objekt (sistemit elektrik, hidraulik, telefonisë, internetit, etj), ka paqartësi (dhe mungesë dakordësie) në lidhje me përdorimin dhe zbatimin e sistemit CAM për përforcimin e strukturave mbajtëse të objektit, si dhe janë vërejtur plasaritje në një nga muret e objektit, të cilat duhen verifikuar nëse kanë sjellë pasoja në themel.
Pra, kolaudatori me të drejtë ka kërkuar shpjegime dhe përmirësim të punimeve të kryera. “Nga verifikimi në terren, rezulton se objekti nuk është i lidhur akoma me rrjetin elektrik dhe inspektimi/verifikimi i funksionalitetit të sistemeve të ndryshme të instaluara në këtë objekt, nuk është i mundur”, vërteton KLSH.
Nga kontrolli i pagesave bankare, rezultoi se me Urdhër Shpenzimi nr. 267, datë 24.06.2022, nga ana e Bejkos është bërë shlyer fatura për kolaudatorin “B.” SHPK në vlerën 49,560 lekë, si shërbim i realizuar. Mosmarrja në konsideratë e këtij procesverbali kolaudimi nga ana e drejtorit të Lali Erit, të hartuar nga shoqëria e kontraktuar për këtë qëllim dhe lidhja e një kontrate dhurim shërbimi me një tjetër operator, është e “paargumentuar teknikisht”, sipas KLSH.
Për ta kuptuar lexuesi, kjo mjafton që drejtor Erindi, Lali Eri dhe Renidoja të shkojnë dhe të shpjegohen para prokurorëve të SPAK-ut.
Këto rreshta shpresojmë t’i lexojë me kujdes edhe një nga prokurorët e SPAK-ut, me qëllim që të nisë hetimin kryesisht për këtë shpërdorim dhe vjedhje të hapur.
“Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, ngarkojnë me përgjegjësi titullarin Erind Bejko”, citojmë raportin që e ka ngulur një gozhdë tek këmba e drejtorit. A do ta mbrojë Lali Eri Bejkon, nëse e heton organi i akuzës?
Gjithashtu, ngarkohet me përgjegjësi edhe kolaudatori (mbikëqyrsja) e objektit znj. M. K., për hartimin e aktit të kolaudimit pa bërë kontrollin e funksionimit të sistemeve infrastrukturore. Kujdes o njerëz, se Lali Eri ikën, por firmat tuaja mbeten aty!
Kështu, pasi u vodhën paratë, janë bërë hapa të tjerë që synojnë të fshehin gjurmët e përvetësimit të madh. Njëri nga këto është akti “Për marrjen e përkohshme në dorëzim të objektit, në zbatim të Urdhrit të Titullarit të Investitorit”.
Duhet theksuar se objekti, edhe pse kishte një vit që ishte kolauduar, nuk është në shfrytëzim.
Kompania nuk kishte leje ndërtimi
Më të bukurën e lamë për në fund. Kur shohim Projekt-preventivin e objektit, zbulojmë se në dosje nuk ka Leje ndërtimi/Infrastrukturore. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Për këtë Rama fut në burg fshatarët që ngrenë një kotec, por në mes të Tiranës, Renido bën namin dhe nuk merr leje.
Dokumenti i lejes së ndërtimit përshkruan të gjitha kushtet për kryerjen e punimeve në përputhje me dokumentacionin shoqërues të aplikimit dhe normave dhe standardeve të përcaktuara në ligj. Përfituesi i lejes së ndërtimit, pronari i objektit, sipërmarrësi, mbikëqyrësi dhe zbatuesi i punimeve janë përgjegjës solidarisht. Pra, nga përgjegjësia nuk shpëton kësaj here, edhe Lali Eri.
Vjedhje me proceverbal
Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion rezulton se punimet kanë nisur me datë 21.12.2020, duhet të përfundonin në datën 21.03.2021 dhe kanë përfunduar me datë 09.06.2021.
Mbikëqyrësi i punimeve ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të punimeve, për shkak të infektimit të tij me virusin Covid-2.
30 ditë pas pezullimit të punimeve, mbikëqyrësi ka kërkuar rifillimin e punimeve, që është miratuar nga Bejko.
Më datë 7 prill 2021, Bashkia ka kërkuar pezullimin e
përkohshëm të punimeve deri në një urdhër të dytë, për shkak të ndryshimit të planit për akomodimin e Policisë Bashkiake në një tjetër godinë. Më vonë, 54 ditë pas pezullimit, është kërkuar rifillimi, duke kërkuar zbatimin e projektpreventivit fillestar.
Është e qartë se “plani fillestar” është vjedhja e parave nga arka e bashkisë drejt llogarisë e privatit dhe më pas në xhepat e zyrtarëve që kanë hedhur firmat.
KLSH ka zbuluar një dokument kërkesë të Mbikëqyrëses për miratimin e preventivit “të përmirësuar”, ku është mbajtur procesverbali më datë 04.06.2021.
Është hartuar tabela e ndryshimit të volumeve, me punime që shtohen në vlerën 2,881,848 lekë/lekë me TVSH dhe punime që hiqen në vlerën 1,859,726 me TVSH, duke përdorur edhe fondin rezervë me vlerë 1,022,122 lekë me TVSH. Ky veprim është në kundërshtim me ligjin! Sipërmarrësi nuk mund të ndryshojë me nismën e vet, të subjektit projektues a mbikëqyrës, projektin dhe përshkrimet teknike të tij.
Sipas vlerësimit të zbutur të KLSH, “…rezultuan diferenca në volume, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore në vlerën 232,320 lekë pa tvsh”.
Për pasojë vlera e këtyre diferencave janë përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi i punimeve.
Në fakt, derisa godina nuk është funksionale shpërdorimi i buxhetit të Bashkisë është plot 380 milionë lekë. Ajo që parashikojmë është se kjo godinë nuk do të bëhet as zyrë për policët, as për fëmijët, por do të prishet për t’u bërë kullë.
Kush Renido Petritaj?
Kur ishte 23 vjeç krijoi kompaninë me emrin “2F CONSTRUCTION LTD” dhe me vlerë 100 lekë. Edhe pse pa eksperiencë dhe pa kapital, në vitin 2017 xhiroja vjetore shkon 1 milionë USD, ndërsa në vitin 2019 dyfishon xhiron vjetore, duke shënuar kulmin në 2020, ku ka marrë miliona euro tenderë, me procedura të dyshimta dhe klienteliste, dukshëm korruptive. Tenderët e dyshimtë reflektohen edhe në rritjen e kapitalit themeltar të kompanisë nga 100 lekë që ishte në mbi 200 mijë USD në vitin 2020.
Renido ka përfituar nga Lali Eri dhe institucione të tjera 34 kontrata publike me vlerë totale afro 3.4 miliardë lekë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post