Në një takim të zhvilluar këtë të hënë me kandidatët që garuan për koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Berisha u shpreh se PD duhet t’i rikthehet protestës.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se rrugë tjetër përveç protestës nuk ka.
“Unë u them kandidatëve dhe kryetarëve që fituan, në këtë fushatë, të cilët e nisët pasi u votuat si kandidatë të primareve, ju ishit misionarë të vërtetë të një modeli të paparë.
Misionarë të modelit të lirisë, por unë u ftoj ju, ftoj kryetarëve e degëve dhe të gjithë demokratët të vazhdojmë misionin tonë.
Ua them këtu haptas, se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka, e kam deklaruar disa herë.
Në emër tuaj kam deklaruar se do mbroj votën dhe atë po bëj. Nuk e mbrojmë me armë, ne jemi opozitë e parimeve demokratike, nuk jemi as guerrilas, as parti e pushtetit me dhunë, përkundrazi ne jemi opozitë demokratike.
Por, në këto kushte, unë u ftoj ju të qëndroni si misionarë sepse Shqipëria, pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim.
Ishte shumë e veçantë kur ju garonit kundër rivalëve tuaj dhe nuk kishim gjëkundi një këshilltar që të na informonte për të gjitha keqbërjet e këshillit dhe kryetarit. Sot kemi këshilltarë, edhe ata janë misionarë.
Ky mision ka një qëllim të pandryshueshëm. Qëllimi është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë.
Si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, që të ngremë partinë në një nivel tjetër administrativ, të përtërimë siç erdhët ju me primaret, të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do mbronte votën, do derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë.
Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019.
Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim për përmirësim maksimal të punës sonë. Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë.
PD duhet t’i rikthehet protestës. E vështirë, sakrificë, por rrugë tjetër, ju garantoj se vetëm veten e gënjejmë.
Ne nuk jemi ata që gënjejmë vetem, por besojmë të vërtetat.
Nuk mundet opozita të ndalojë qeverinë të shpërndajë 680 mijë zarfa.
Një kriminel si ky, një krim-ministër që shpall Kodin Elektoral kinezëri, sikur të ishte udhëheqësi i Koresë së Veriut, tregon qartë se nuk njeh asnjë ligj, asnjë standard dhe se me të, zgjedhje nuk mund të ketë.
Kështu që demokratët dhe opozitarët duhet të marrin vendime individuale për të dalë së bashku në një betejë të hapur.
Asgjë përveçse për të votuar të lirë.
Edi Rama tregoi fytyrën e tij, tregoi se ka futur në kthetra në mënyrën më mizore mediat, studiot televizive.
Unë u them këtyre zotërinjve se do u kundërvihemi me forcën më të madhe gjersa ju shkelmoni interesin publik të shqiptarëve, gjersa ju nuk guxoni ta mbroni atë për arsye që i dini vetë dhe rreshtoheni në anën e qeverisë që kreu megakrimin elektoral më të madh në historinë e vendit. Që nuk shohin partinë e Doshit, që rriti me 310 përqind elektoratin, ndërkohë që Edi Rama është një blerës 10 herë më i madh se Doshi. Doshi është thjesht një çirak në blerje në krahasim me Ramën.
Them këtë sepse situata është dëshpëruese dhe nuk mund ta mohojmë, por njerëzit me fibër politike e kuptojnë se ka vetëm një rrugëdalje, të mos dorëzohen dhe të ngrihen.
Ka vetëm një rrugëdalje, të ngrihen dhe të mbrojnë kombin e tyre nga një proces shkatërrimi që nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër në botë. E gjitha kjo me mekanizmin e shkatërrimit të opozitës, sepse duke shkatërruar opozitën, vret masivisht shpresën.
Ne do qëndrojmë. Unë kam bindjen më të thellë se ne do qëndrojmë.
Demokratët, në kushte shumë të vështira, kur kanë qenë shumë herë më pak se kaq, kanë ditur të mbrojnë opozitarizmin, kanë ditur të mbrojnë vlerat, të krijojnë shpresat dhe ne të vazhdojnë betejën.
Do të ngrihemi me një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që tashmë është i njohur, Edi Rama dhe qeveria e tij.
Kam besim se demokratët janë të gatshëm, se mbi 500 mijë idealistë që qëndruan të pamposhtur, do i japin kthesë vendimtare vendit,” tha Berisha.
Discussion about this post