Nga Roland Qafoku
Me një bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të zezë, të kombinuar me të zezën e flokëve të lyer dhe të mbjellë pjesërisht. Me një palë pantallona xhinse lisho dhe me të vetmin aksesor në duar, unazën e martesës. Me një fjalor që të krijonte instiktin për të thënë ‘se ku e kam dëgjuar këtë zë’.
Me një sfond rrethor mes një gjelbërimi me rreth 30 të rinj që më shumë e kishin mendjen tek apartet e celularëve, por ai i quajti Forumi Rinor i PD-së, Lulzim Basha pothuajse na lajmëroi të mërkurën që shkoi, se erdhi… vera. Në fakt, na lajmëroi se ai po kthehet në krye të PD-së zyrtare.
Edhe pse dukej se gjithçka ishte e shoqëruar me një përpjekje për të kuruar çdo detaj, në faqen e tij në ‘Facebook’ interesi la për të dëshiruar. Postimi i kësaj daljeje me zë, figurë dhe titra, në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’, mori vetëm 670 ‘likes’, 200 komente, shumica kundër, dhe 37 ‘shares’.
Dhe e gjithë kjo u shoqërua edhe me një gabim të trashë ortografik teksa shkruhej me germa të mëdha BRAGTISUR, në vend të BRAKTISUR. Dhe askush nuk ka aftësinë në stafin e tij për ta korrigjuar këtë. Ndërsa me gjuhën e trupit, në atë dalje të beftë, si gjithnjë, ai dukej i pasigurtë dhe gjithë frikë se si do pritej.
Të njëjtën skenë e përsëriti edhe të shtunën në Shkodër, po me të rinj, po me atë kujdesje, po me atë retorikë fjalësh që nuk të mbeten fare në mendje, por me të vetmin ndryshim, marka e bluzës që mbante në trup, këtë herë ishte ngjyrë kaki alla Volodymyr Zelenskyy.
Nuk duhet të kesh trurin e Leonardo da Vinçit për të kuptuar se ai do kthehet si kryetar i Partisë Demokratike zyrtare dhe me këtë duhet t’u japim të drejtë disa faqeve humoristike në rrjetet sociale kur shkruan se ‘u kthye ai që na jep bukë’. Politikani që qëndroi në krye të PD-së 8 vjet, 7 muaj e 7 ditë, nga 23 korriku 2013 kur mori detyrën e deri në 21 mars 2022 kur dha dorëheqjen, po tregon se jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po imponohet tek ajo parti që ka mbetur të kapë sërish vendin që e la bosh, por jo në gjykatë.
Pas 1 viti e dy muaj pushim nga dorëheqja, edhe kjo me stilin e tij, befas, Lulzim Basha i ka mbushur mendjen vetes se po realizon një kthim triumfator dhe shqiptarët duhet të emocionohen nga kjo ‘sakrificë’ që ta bën mishin kokrra-kokrra. Se ky kthim është gati-gati si kthimi i Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, apo kthimin e Ismail Qemal Vlorës në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Po cilat janë arsyet që Lulzim Basha nuk duhet të kthehet në krye të PD-së? Gjithçka lidhet me ato që ai bëri dhe nuk bëri gjatë kohës që e drejtoi këtë parti.
- Lulzim Basha është ai që e shkatërroi dhe e ndau Partinë Demokratike. Ai është autori i asaj që po ndodh në këtë parti dhe në asnjë moment nuk pati aftësinë, kurajën dhe guximin për të bërë të mundur ta ruajë këtë parti nga përçarja dhe ndarja e madhe ku ajo ndodhet aktualisht. Përbetimet e tij se ai e mori këtë apo atë vendim për të shmangur përçarjen e partisë, janë të denja për ta besuar vetëm ndonjë me IQ të ulët nga ata që e rrethojnë.
- Lulzim Basha si kryetar i PD-së krijoi perceptim se kjo parti ishte jo vetëm dualiste me Sali Berishën, por nuk kishte asnjë vendim të marrë pa direktivën dhe impenjimin e tij. Në realitet kjo nuk ka qenë kështu. Ishte Sali Berisha që e mbështeti Bashën të zgjidhej kryetar. Ishte Berisha ai që e mbështeste gjatë kohës që Basha ishte kryetar dhe ishte po Berisha që bëri gabimin e madh që mbeti pjesë aktive e politikës edhe pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së. Në këtë mënyrë, Lulzim Basha edhe kur Berisha nuk ndërhynte, krijonte perceptimin se ishte ai që nuk e linte rehat, se ai i ndërhynte dhe se ai e impononte në marrjen e vendimeve. Përgjatë kohës që Basha ishte kryetar i PD, të gjithë mendonin se Sali Berisha ishte në fakt kryetar real i PD-së. Justifikimet se nuk e linte Berisha për të punuar mirë, janë të kota dhe askush nuk e hamendëson dot sot si do kishte qenë karriera e Bashës pa ndihmën e Berishës.
- Lulzim Basha mbetet një humbës serial. Gjatë kohës që ai ishte kryetar, PD humbi të gjitha betejat e saj politike. Humbi zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, humbi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017 dhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në masën e njerëzve u krijua perceptimi se me Lulzim Bashën kryetar, PD nuk vjen kurrë në pushtet.
- Lulzim Basha tradhtoi protestën më të madhe dhe më me ndikim të opozitës të viteve të fundit, atë të çadrës në muajt e parë të vitit 2017 dhe në fund bëri një koalicion të turpshëm qeverisës me PS-në në zgjedhet e 25 qershorit të vitit 2017. As sot pas gjashtë vitesh, nuk e di kush se çfarë bisedoi për 4 orë me Edi Ramën në takimin e famshëm mes tyre ‘tetë a tetë’, duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017. Kjo mbetet një nga enigmat më të mëdha të karrierës së tij.
- Lulzim Basha mori vendimin më absurd dhe kontravers në historinë politike të këtyre 33 viteve duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve më 17 shkurt 2019 dhe duke sjellë që PD të dilte jashtë sistemit politik dhe krijoi një precedent të rrezikshëm dhe antidemokratik.
- Lulzim Basha mori vendimin e dytë absurd dhe kontravers në historinë e politikës shqiptare duke mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Jo vetëm dëmi i daljes nga sistemi për herë të dytë, por kjo tërheqje krijoi një bazë që Edi Rama dhe Partia Socialiste ta zgjeronte pushtetin duke lënë hapësirë të konsiderueshme që do sillte pasoja për PD-në në çdo garë elektorale të mëpasshme.
- Lulzim Basha nuk e drejtoi kurrë PD-në me parime demokratike. Gjatë kohës që ai e drejtoi këtë parti nuk u shqua kurrë për demokraci të brendshme dhe funksionale. PD mbeti një parti e kryetarit për kryetarin dhe vota nuk ishte institucion.
- Lulzim Basha nuk krijoi marrëdhënie normale me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me ata amerikanë. Nëse sot ai e cilëson këtë raport si pikën e tij më të fortë, kjo nuk ka ardhur për shkak të aftësisë së tij por prej vendimit të Departamentit të Shtetit për shpalljen ‘non grata’ të Berishës. Basha ka hyrë në histori si kryetari i PD-së që posaçërisht për vendimet e tij të gabuara dhe protestat e dhunshme kanë ardhur në Tiranë për ta takuar dhe këshilluar zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Kulmi i qëndrimeve të SHBA-së ka qenë ai i zëvendësshefit të misionit amerikan në Tiranë Daniel Koski në 2019, i cili iu drejtua Bashës me fjalët: ‘Çdo akt dhune nga dita e sotme deri në 1 korrik, do ta detyrojë Departamentin Amerikan të Shtetit t’ju klasifikojë si organizatë të dhunshme’.
Ndërkohë nuk kanë qenë të pakta rastet kur këta zyrtarë janë shprehur për mungesën e qëndrueshmërisë së tij në ato që thotë dhe ato që bën duke krijuar konkluzionin se ai është një politikan i pabesueshëm për ta. Loja sot si proamerikan i madh është pothuajse e pabesueshme vetëm kur kujtojmë deklaratat e diplomatëve amerikanë kundër tij kur ai hoqi dorë nga mandatet e deputetëve dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale.
- Lulzim Basha krijoi në PD frymën familjare dhe klienteliste. Në historinë politike të Shqipërisë në këto 33 vjet kurrë nuk ka pasur një rast si i Lulzim Bashës që partia e drejtuar prej tij ka pasur si qendër graviteti familjen e tij. Çdo vendim, udhëzim, dhe organizim kalonte më parë në laboratorët e diskutimit të kunatit të tij, një rast i paprecedentë dhe që krijoi një pakënaqësi të madhe në këtë parti.
- Lulzim Basha grumbulloi rreth vetes një numër të konsiderushëm personash të paaftë, sipërfaqësorë, të pavotuar dhe të pabesueshëm. Stafet e tij të menaxhimit dhe drejtimit të partisë nuk arritën kurrë të krijonin besimin se bënin një punë profesionale dhe me rendiment. Servilizmi, arroganca dhe vetësiguria ishin cilësitë kryesore të disa personave pranë Lulzim Bashës duke sjellë distanca të mëdha me njerëzit. Një prej tyre ishte raporti me median. Në shumicën e raporteve të Lulzim Bashës me median ai kishte marrëdhënie klienteliste, preferenciale dhe ndarëse. Aq e theksuar ishte kjo se ai ka shënuar emrin në histori si i pari dhe i vetmi politikan në Shqipëri deri tani që ka dhënë një intervistë me dubla falë ‘dashamirësisë’ dhe pasionit ndaj tij të autorit të kësaj interviste.
Discussion about this post