Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, nga studio e emisionit “Të Paekspozuarit” tha se as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha nuk e mundin dot Edi Ramën, ndaj ata duhet të qëndrojnë dhe të japin kontributin e tyre në PD, por duhet të lejojnë ardhjen e një lidershipi të ri.
Xhaferaj tha se nuk është fundi i Botës nëse Basha e Berisha, për të cilët PD ka investuar shumë, por edhe i kanë dhënë shumë, do të japin kontributet e tyre si deputetë, ndërsa partia të zgjedhë një kryetar të ri.
Madje duke bërë një krahasim, Xhaferaj tha se si Basha dhe Berisha mund të jenë vagona në trenin e madh të demokratëve.
Sipas tij, Lulzim Basha nuk mund ti japë asgjë PD si lidership pasi si në 2017 ashtu edhe në 2021 humbi zgjedhjet parlamentare.
Pjesë nga debati
Ferdinand Xhaferaj: Në vitet 90’ ka qenë një bandë muzikore me një shprehje, aty nuk shkohet dhe këtu nuk rrihet. Unë jam krejtësisht i investuar për të bërë maksimumin tim, që opozita të ridimensionohet. Me një lidership të ri, por pa menduar që Basha dhe Berisha të përjashtohen. Berisha jo të largohet, por të jetë pjese kontribuese. Aq më shumë Basha duhet të kontribuojë. Të krijohet një lidership i ri që të sjellë atë potencial të munguar të opozitës. Berisha me ata që ka pas vetes, apo edhe Basha, shkojnë te maksimumi 600 mijë. Si do të bëhet të mundim këta? Ata vjedhin dhe bëjnë të këqija, por në fund të fundit ata çertifikohen.
Kjo evidencë elektorale, e bën të domosdoshme. Me Berishën nuk bëhet, por pa Berishën nuk bëhet. Nuk mund ti thotë grupimi me 10% Berishës të ikë. Ndërkohë, Berisha nuk ka të drejtë të thotë të shohin majën e veshit pa pasqyrë sepse nuk largohem…
Brenda pishinës që ka prodhuar 500 mijë vota, Berisha nuk konkuron dot. Shoh turin e Lulzim Bashës, ai thotë do të konkuroj te kjo pishina e 60 mijë votave. Këtë e mori dhe e solli Berisha, e mbajti 8 vjet, për çfarë duhet konkurimi i këtij? Duhet reflektim. Janë të domosdoshëm, i kanë dhënë PD-së, Berisha 13 vite. Cfarë problemi ka të rrijë aty si një vagon i rëndësishëm? Në 2005 ishte lokomotivë dhe shumë mirë. Tani nuk ja del dot, është një tren që nuk na çon dot aty ku duhet të shkojmë.
Ylli Rakipi: PD e vulës dhe koalicioni Berisha-Meta kanë marrë rezultat katastrofal. Të gjithë tani ia hedhin fajin Edi Ramës. A është dikush përgjegjës për këtë rezultat? Ta bëjmë më të thjeshtëzuar bisedën, ti ku ishe gjatë këtij viti?
Ferdinand Xhaferaj: Ku isha? Unë jam në mandatin e pestë në Kuvend. Unë kur Berisha e ka patur gabim, kam qenë në gjendje t’ja them.
Në ciklin e dytë, një muaj para zgjedhjeve të 2017 edhe pse nuk isha anëtar i parlamentit, kam bërë një shkrim me titull, “Pse Berisha nuk duhet të heshtë”. Ishin arsye se ku po gabonte Lulzim Basha.
Pas rezultatit të 6 marsit, pamë një evidencë, që nuk kishte më asnjë lloj elementi justifikues që të mos reagonim. Edhe Basha edhe Berisha nuk e mundin dot Edi Ramën. Kam qenë ndër deputetët e parë, që i kam kërkuar Bashës dorëheqjen.
Ia thashë edhe në sy Bashës para disa ditësh, të vijë dhe të japë kontributin në grupin parlamentar. Edhe Berisha nuk është fundi i botës të rrijë në grupin parlamentar apo president nderi. Edi Ramës i ka mbetur vetëm të shpallet mbret.
Discussion about this post