Vllaznia për vajza është zyrtarisht skuadra fituese e edicionit të 14-të të Kupës së Shqipërisë, pas fitores 4-1 kundër Apolonisë.
Në finalen e zhvilluar pasditen e sotme në ‘Shtëpinë e Futbollit’, shkodranet siguruan trofeun e 10-të në këtë kompeticion të rëndësishëm. Pjesa e parë ka prodhuar një lojë mjaft interesante, me të dyja skuadrat që kontrollojnë mirë topin dhe tentojnë të gjejnë avantazhin në portat përkatëse.
Të parat që kalojnë në avantazh janë fieraket, me Valentina Trokën, e cila pas një topi të bukur të dhuruar në të djathtë nga Klea Amonikaj gjen golin e parë të këtij takimi të rëndësishëm. 1-0 për Apoloninë në minutën e 14-të të takimit. Nuk stepen as shkodranet nga ana tjetër, që kërkojnë golin e barazimit dhe e gjejnë me Gresa Berishën në minutën e 29-të. Mesfushorja shkodrane provon me një top të fortë nga jashtë zone, duke gjetur rrjetën e Apolonisë dhe duke barazuar shifrat në 1-1.
Shala përmbys rezultatin dhe kalon në epërsi Vllazninë, duke i çuar shifrat në 2-1 në minutën e 41-të të takimit. Pjesa e parë e kësaj finaleje mbyllet me avantazhin e Vllaznisë 2-1, ndërsa po të njëjtat emocione dhe lojë të fortë prodhon edhe fraksioni i dytë i takimit. Gresa Berisha vulos dopietën personale në këtë takim, duke trefishuar edhe rezultatin e kësaj ndeshjeje. Megi Doçi ekzekuton një goditje dënimi, ndërsa Berisha gjendet mirë në zonë, duke shënuar edhe golin e tretë për vajzat kuqeblu. Sakaq, sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi vulos shifrat në 4-1, pas një ekzekutimi perfekt të një goditjeje dënimi në favor të shkodraneve.
Me rezultatin 4-1 mbyllet kjo finale e 14-të e Kupës së Shqipërisë për vajza, me Vllazninë që shpallet kështu fituese edhe në këtë kompeticion të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia nga Federata e Futbollit, me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu i cili i dhuroi medaljet dhe Kupën e Shqipërisë vajzave të Vllaznisë.
Me këtë fitore, Vllaznia e vajzave shkon në 10 trofe të fituar në Kupën e Shqipërisë. Finalja e 14-të e Kupës së Shqipërisë u ndoq me mjaft interes nga shumë tifozë të Vllaznisë e Apolonisë, të cilët ishin prezentë në Shtëpinë e Futbollit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.
Formacioni i Apolonisë: Hyska (GK), Troka, Iliadhi, Ndoj, Mema, Troka, Levenaj, Hamonikaj, Tukaj, Sesu, Xhindole.
Formacioni i Vllaznisë: Raxhimi (GK), Vuksani, Curraj, Maliqi, Shala, Ramadani, Doci, Berisha, Gjini, Gjergji, Kodra.
Discussion about this post