Nga Sonila Meço
Për të kuptuar, thërrasim në ndihmë kronikën dhe kronologjinë:
Dje, 19/04/2023
Për Tanjug, i pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë ato, Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet, nuk përcakton rezultatet e tyre. “I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, theksoi Escobar.
Dje, 17/05/2023
Ambasadori amerikan në Kosovë deklaron: “Çdo aktivitet kriminal ndaj kryetarëve të rinj në komunat e veriut të Kosovës do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA”.
Dje, 26/05/2023
Sekretari i Shtetit Blinken deklaron në Twitter: “I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”. Ai tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Dje, 29/05/2023
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier deklaroi se Kosova nuk do të marrë pjesë në stërvitjet Defender Europe 2023, si një formë ndëshkimi pasi Qeveria e Kosovës ka refuzuar të dëgjojë thirrjet e Uashingtonit. Ai deklaroi gjithashtu se në këtë momente Albin Kurti duhet të kuptojë se e ka “shtëpinë në flakë” dhe se Uashingtoni nuk është entuziast për të mbrojtur interesat e Kosovës.
Dje, 30/05/2023
Albin Kurti shprehu pakënaqësinë e tij ndaj deklaratës së Blinken për “The Guardian”: “Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”.
Sot, 01/06/202
Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken deklaron nga Oslo: “Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Normalisht ne mbështesim procesin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe Serbisë, por situata aktuale e pengon dhe s’e ndihmon lëvizjen në atë drejtim”.
Lajm i fundit:
Sot, 01/06/2023
Franca dhe Gjermania u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të organizojnë zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur në rajonet e prekura nga trazirat e fundit civile, tha presidenti francez Emmanuel Macron. Macron, duke folur në një samit politik në Moldavi, shtoi se Franca dhe Gjermania kishin kërkuar gjithashtu që të sqarohen rregullat zgjedhore të Kosovës.
Përfundim:
Rikthimi i Europës në Ballkan. Macron fiton mbi një ngërç gjeopolitik. Ai dje ka mbajtur një fjalim të fortë në Bratislavë, i kërkoi falje Europës Lindore, kërkoi Europën e mbrojtjes dhe se muajt e ardhshëm janë vendimtare për fatin e botës.
Macron ka nuhatur situatën me anë të sondazheve në SHBA dhe kërkon t’i japë fund ofensivës ruse para zgjedhjeve atje.
Edhe një herë vërtetohet se SHBA është e forte për të fituar luftë, por jo për të fituar paqen. Kanë ndihmuar shumë vende për të fituar pavarësi, por jo të garantonin territorin në kohë paqeje.
Europë e SHBA duan larg Putinin nga Ballkani, por ndërsa SHBA përdor karotën ndaj Vuçiç, Franca e Macron-it mesa duket do kërbaçin.
Këtu Shqipëria mund të luajë rol madhor në krah të Kosovës, çështja është se kryeministri ynë ka prioritet show-n me Melonin e rolin e liderit global me miqësinë me Vuçiç. Çast historik, që na gjen me tallava “ta hongsha zemrën”. /Syri.net/
Discussion about this post