“Ftojmë tifozët të na përkrahin”, Ramadani dhe Asllani: Marrim tre pikë me Moldavinë

Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani, dy mesfushorët e Kombëtares shqiptare dolën këtë të mërkurë në një konferencë për media, në kuadër të dy ndeshjeve të radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Ndërsa iu përgjigjën interesit të gazetarëve, kuqezinjtë u shprehën optimistë se Shqipëria do t’ia dalë në të dyja sfidat dhe se e gjithë skuadra do të japë 100% në fushën e lojës për të marrë rezultatin pozitiv.

Në fjalën e tij, Ylber Ramadani tregoi edhe pikat e forta të Moldavisë, që janë studiuar shumë mirë nga kuqezinjtë, të cilët duket se dinë se çfarë duhet të bëjnë në fushën e lojës. Ndryshe nga Polonia, kjo ndeshje duhet të fitohet theksoi mesfushori kuqezi, ndërsa nuk mungoi as thirrja për tifozët shqiptarë, që të jenë sa më të shumtë në stadium dhe t’i përkrahin.

Ndeshja e parë kundër Moldavisë – Nuk është ndeshje e lehtë për ne. Duhet t’i marrim me seriozitet këto ndeshje dhe të japim 100% për të fituar dhe shpresojmë të marrim rezultat pozitiv.

Si do ta përballojmë Moldavinë? – Moldavia mbrohet shumë. Ne duhet ta luajmë topin sa më shpejt që të gjejmë hapësira dhe të shënojmë gol.

Në çfarë gjendje fizike je aktualisht? – Kam ruajtur fuqi, jemi profesionistë dhe jemi të përgatitur për çdo ndeshje. Akoma nuk ka mbaruar sezoni, kemi edhe këto dy ndeshje dhe pastaj do të marrim pushimet.

Sa e vështirë është Moldavia? – Është ekip që luan shumë në mbrojtje dhe ne duhet të bëjmë atë që na kërkon trajneri. Duhet të bëjmë atë që thotë ai. Të luajmë topin sa më shpejt dhe t’i sulmojmë më lehtë. Besoj që do të arrijmë ta bëjmë këtë gjë.

Favoritë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe? – Në futboll nuk ka shumë favoritë. Në futboll duhet të hysh në ndeshje, të japësh maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen.

Ndryshe nga Polonia, çfarë do të bëjmë ndryshe ndaj Moldavisë? –  Në këtë ndeshje duhet të shënojmë gol dhe të marrim tre pikët.

Ju motivojnë deklaratat e trajnerit dhe lojtarët moldavë? – Normalisht, ne kemi ardhur këtu për të fituar ndeshjet.

Thirrja për tifozët – I ftojmë të gjithë tifozët anembanë Shqiptarisë të vijnë e të na përkrahin sepse me ndihmën e tyre e kemi më të lehtë të fitojmë ndeshjen.

Kristjan Asllani e ka harruar finalen e Ligës së Kampioneve dhe fokusin e ka te Kombëtarja dhe marrja e tre pikëve ndaj Moldavisë. Mesfushori i Interit mendon se kuqezinjtë duhet ta kontrollojnë ndeshjen e së shtunës dhe të marrin tre pikët. Ai beson shumë se Shqipëria mund ta sigurojë një vend në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Bashkimi me ekipin – “Kam ardhur prej dy ditësh dhe e kam parë grupin shumë mirë. Po stërvitemi shumë fort dhe po presim ndeshjen me Moldavinë. Do të bëjmë mirë”.

Nevoja e fantazisë në mesfushë – “Moldavia është një skuadër që do të na presë në fushën e vet. Gjëja kryesore ndaj këtij ekipi është që ta mbajmë ne topin sa më shumë”.

Mentaliteti i Interit, sa e ndihmon – “Kam marrë pak minuta, por të shohësh lojtarët që luajnë para meje, është një endërr vetëm të luash me ta. Kam mësuar shumë dhe kam ardhur këtu me objektivin të marrim tre pikët me Moldavinë. Pastaj shohim ndeshjen tjetër”.

Mentaliteti i fituesit – “Kam qenë brenda një grupi që donte t’I fitonte të gjitha ndeshjet. Kemi fituar dy kupa. Vij këtu dhe dua të jetë një grup që do të fitojë çdo ndeshje, të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe të arrijmë te ëndrra jonë, që është Europiani”.

Kërkesat e Silvinjos për lojën – “Silvinjo përdor një modul që unë e kam shumë qejf. Është një trajner që flet me të gjithë futbollistët. Ka folur me të gjithë. Sapo ka firmosur ka folur me mua dhe kam një raport shumë të mirë me të”.

Ku mund të arrijë Shqipëria – “Sa ka dalë grupi e kam thënë se kjo Kombëtare mund të arrijë shumë larg. Jemi një grup shumë i mirë, shumë lojtarë të fortë. Të kalojmë grupin dhe të shkojmë në Europian, kjo është ëndrra jonë”.

Pse mund të shkojë Shqipëria sërish në Europian – “Siç e thashë më parë, për mua ky grup është shumë i mirë. Jemi disa lojtarë të rinj, disa me eksperiencë. Unë shpresoj të arrijmë tek objektivi ynë dhe për mua do t’ia dalim”.

Mesazhi për tifozët – “Është një gjë shumë e bukur të luash këtu në shtëpi, në Tiranë. Shpresoj të vijnë sa më shumë tifozë. Jemi shumë të lumtur. Shpresojmë që ta mbushin stadiumin”.

A do jemi më sulmues si ekip – “Varet nga ndeshjet. Silvinjo ka ardhur këtu dhe po luajmë me 4 mbrapa. Kemi luajtur disa herë me pesë. Ndaj Polonisë kemi luajtur më mbrapa, e tillë ishte ndeshja. Me Moldavinë për mua duhet ta mbajmë topin gjithë ndeshjen. Sa më shumë e mban topin, ke më shumë shanse të shënosh gol”.

Lajme të lidhura

Para

Discussion about this post

TË FUNDIT