Vettingu i politikës është një proces që nuk mund të kryhet nga SPAK, është shprehur në mënyrë të prerë kreu i këtij institucioni Arben Kraja. Propozimin e opozitës që SPAK të merret me vetimin e politikanëve, Kraja e ka kundërshtuar duke u shprehur se kjo do të krijonte hapësira për pasaktësi dhe vlerësim të njëanshëm.
“Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijohen probleme për njëanshmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimmarrje’- tha Kraja.
Kreu i SPAK argumentoi se kjo iniciativë e PD-së, nëse do t’i lihej në përgjegjësi SPAK-ut, do të shtonte volumin e punës për këtë institucion, pasi sipas tij kjo është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte dhe që do kohën e saj.
‘Vettingu në politikë, Arben Kraja: Jemi pro çdo iniciative që lufton kurrupsionin, por jo luftë në një strukturë të vetme, gjithë shoqëria duhet ta luftojë këtë problematikë. Është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte, që do kohën e saj dhe në këto kusht duhet ta vlerësojmë në vijimësi. Detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë. Propozimet e PD parashikojnë krijimin e një strukture në SPAK që do ti shtojë një volum pune prokurorisë së posaçme. “
Kraja u shpreh se një eksperiencë të ngjashme institucioni që ai drejton e ka kaluar me OFL-në, ku sipas tij kjo detyrë e ngarkuar me ligj shfokusoi SPAK-un nga objekti i punës, për të cilin ky institucion është krijuar, ndaj përfshirja në vettingun e politikës është e papërshtatshme.
“Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë të punës sonë për të ashtuquajturën OFL, një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje. ‘- tha Kraja.
Gjatë kësaj seance dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshilli për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, avokatja e popullit, Erida Ballanca i cilësoi propozimet e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese, si të vlefshme. Ballanca theksoi se raportet e monitorimit kanë evidentuar një përkeqësim të shërbimit ndaj qytetarëve, ndaj reforma territoriale është e nevojshme.
“Fakti është se niveli dhe shërbimi për qytetarët ka pasur përkeqësim, këtë e ndjejmë nga raportet e monitorimit. Nga kjo qasje mendojmë se duhet një reformë e re territoriale për të adresuar nevojat e qytetarëve veçanërisht në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Me këtë ndarje, disa komunitete minoritare janë ndarë, një ndarje e re territoriale duhet të adresojë dhe këtë çështje”, tha jo.
Lidhur me propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, Ballanca tha se raportet e OSBE në dy vitet e fundit kanë vënë theksin te kthimi i besimit të zgjedhësve te zgjedhjet, ku secila palë duhet të kthehet në një proces të ndershëm.
Sipas propozimit të PD, Avokatja e Popullit është pjesë e vettingut në politikë, ndaj për këtë fakt u shpreh se ndodhet në konflikt interesi dhe preferoi të mos komentonte, por megjithatë theksoi se sipas saj populli shikon shpëtim vetëm nga vettingu.
Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ILDKPKI, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Shoqata e Bashkive, po zhvillojnë një seancë dëgjimore në mbledhjen e sotme të Këshillit të Legjislacionit.
Discussion about this post