Shqiptarët ende duhet të bëjnë dy ose më shumë ndalesa për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt që prej 4 vitesh në duhet të kishim linjën tonë direkte Tirane- New York por që si shumë premtime të qeverisë nuk është realizuar. Më shumë se katër vite kanë kaluar që nga premtimi që dha kryeministri Edi Rama për të pasur edhe në vend linjë direkte Tiranë-New York. Nëse deklarata e kryeministrit do të ishte e vërtetë, Shqiperia që prej vitit 2019, do të kishte këtë linjë të dedikuar Amerikës. Por në fakt kjo gjë mbetet ende një ëndërr në sirtar. Një projekt që ashtu si shumë të tjerë të kësaj qeverie kanë mbetur thjeshtë deklarata.
-
Kalvari i premtimeve për linjën Tiranë- New York
Më 14 shtator të vitit 2018 kryeministri Edi Rama premtoi se shumë shpejt nga Rinasi do të mund të fluturohej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Premtimin kryeministri e bëri teksa nga Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza u be përurimi i fluturimeve të Kompanisë Air Albania.
I pari, ky që është këtu mbrapa, është Lasgushi. Tjetri që do të vijë menjëherë pas fluturimeve test që do të bëhen gjatë një muaji mes Tiranës dhe Stambollit dhe pastaj me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën do të jetë Migjeni. Ambicia jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë direkt nga Tirana në New York dhe Imzot Nolin, u shpreh kryeministri teksa niswn fluturimet me Lasgushin në shtator të 2018.
Ky premtim i artikulua përsëri në vitin 2019, edhe pse fluturimet tashmë duhet te kishin nisur.
Me pas ne vitin 2020 qeveria vendosi që të zgjaste konçesionin e aeroportit të Rinasit, pasi u ble nga Kastrati, dhe një nga investimet e këtij ndryshimi ishte pikërisht fluturimi përtej oqeanit.
Në janar 2021 kur kontrata e re u dërgua në Kuvend, ishte specifikuar që një nga investimet themelore të kompanisë së re që do administronte aeroportin ishte kthimi i pistës në kategorinë 4E e cila mundëson edhe fluturime përtej oqeanit, pra Tiranë- New York.
“Shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avione të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit”, thuhej në relacionin e kontratës së re.
Po në atë kohë ministrja Belinda Balluku deklaroi se lidhja me SHBA do të ndodhte shumë shpejt. Por të gjitha këto premtime, rezultuan një mashtrim për të marrë edhe zgjedhjet parlamentare të 2021, ku aeroportet ishin një pikë e fortë propagande e qeverisë.
Edhe pse kompania Kastrati ka 3 vite që ka marrë aeroportin, ende nuk është bërë zgjerimi dhe investimi i nevojshëm për të bërë të mundur këtë linjë.
Pavarësisht mos mbajtjes së premtimit, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në vitin 2022, vazhdoj me të njëjtën propagandë teksa prezantonte terminalin e ri të Rinasit.
“Tirana pasi të përfundojë të gjitha investimet, ky aeroport do të kalojë dhe do të upgrade në kategorinë 4E, duke e bërë një aeroport të lundrueshëm, nga ajri sigurisht, përsa i përket të gjitha fluturimeve transoqeanike. Kur Tirana të kthehet në një aeroport të kategorisë 4E, atëherë të gjithë avionët të cilët kryejnë fluturime transoqeanike do të kenë mundësi të nisen nga kryeqyteti jonë në drejtim të kontinenteve të tjera, duke e kthyer kështu Tiranën, ashtu siç ka qenë dhe plani ynë dhe siç është strategjia jonë e zhvillimit”, u shpreh Balluku në 31 korrik 2022.
Propaganda vazhdoi edhe në prill të këtij viti, ku ministrja Balluku teksa fliste për zgjerimin e pistës e cila do të bëjë të mundur pritjen e avionëve transoqeanike.
Aeroportin e Tiranës me parametra totalisht të rinj, ku ka një terminal shtesë dhe nga ana tjetër po përgatitet për të ridimensionuar pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, kompania e cila, menaxhon këtë aeroport dhe për ta kthyer atë në një aeroport të aksesueshëm edhe nga avionët transoqeanikë”, tha Balluku në prill të 2023.
Edhe pse bëhet vazhdimisht i njëjti premtim, ende nuk ka asnjë datë se kur do të realizohet ky qëllim.
-
Linja me New York nga Vlora!
Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku shpesh në mënyrë kontradiktore kanë bërë premtime për këtë linjë nga Tirana dhe herë nga Vlora.
Teksa qeveria thoshte se Kastrati do të lidhë shqiptarët me Amerikën, Rama këtë detyrë ja caktoi Behgjet Pacollit i cili po ndërton aeroportin e Vlorës.
Në 20 prill të vitit 2021 kur u nënshkrua marrëveshja për aeroportin e Vlorës, tha se nga ky aeroport do të bëhen fluturimet drejt Amerikës.
Lajmi i bukur sot është që pista e Vlorës dhe të gjitha kushtet e aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet New York-Shqipëri të mos jenë vetëm New York-Tiranë por edhe Vlorë -New York sepse unë e kam thënë dhe nuk i ndahem gjërave që them. Ne do ta çojmë Fan Nolin në Amerikë dhe shqiptarët do ti sjellim nga Amerika direk në Shqipëri pa qenë të detyruar të rrinë në aeroporte të tjera”, shprehej Rama aso kohe.
Duke qenë se aeroporti i Vlorës është premtuar të nisë fluturimet në 2025, atëherë qeveria po e përdor si kartë të fortë për qëllime elektorale duke qenë se pas dy vitesh janë zgjedhjet parlamentare.
-
Çmimet e kripura të biletave
Për shkak se shqiptarët që lëvizin drejt Amerikës bëjnë ndalesa në shtete të tjera që kanë linjë me këtë shtet edhe çmimet e biletave janë tepër të kripura.
Nga një vëzhgim online kupton që një biletë vajtje ardhje Tiranë -New York kushton minimalisht 1100 euro, ndërsa çmimet arrijnë deri në 2000 mijë euro personi. Madje çmimet janë edhe më lart se kaq në raste të caktuara.
Nëse itinerari i udhëtimit ka më shumë ndalesa kostoja e biletës është më e lirë, por që do të duhet të bësh mbi 22 orë udhëtim. Po ashtu edhe në biletat ku nuk është i përfshirë bagazhi përveç një çantë 8 kg çmimet janë më të arsyeshme.
Të gjitha kostot, ndalesat nëpër tranzite dhe lodhja për shkak të orëve të udhëtimit do të ishin shmangur nëse do të ishte mbajtur premtimi i qeverisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post