Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë vetëm 1 vendim pas rinisjes së veting-ut në radhët e Policisë së Shtetit, pasi procesi po ndesh në vështirësi si pasojë e moskthimit të përgjigjeve nga institucionet. AMP ka hedhur shortin e dytë për 36 emrat vijues, të cilët do të kalojnë në filtrin e 3 kritereve, pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale, ndërkohë që nuk ka vendimmarrje për listën e parë të emrave të përzgjedhur. Zyrtarët e radhës që do të votohen janë sërish drejtorë dhe zv/drejtorë policie, të cilët kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit sipas rregullave dhe kushteve të miratuara me ndryshimet ligjore që ia kaluan vetingun Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në listë gjenden emra të njohur si ai i rektorit të Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro apo drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Niko Brahimaj, më herët drejtues në disa qarqe, së fundmi në Shkodër. Lista vijon me Oltion Bistrin, drejtuesin e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili më herët ka drejtuar qarqet Lezhë apo Durrës. Në tërësi, pjesa tjetër e listës së dytë prej 36 emrash janë zv/drejtorë qarqesh, të ndarë sipas kategorive të krimit dhe rendit e sigurisë. Procesi i vetting-ut që tashmë po bëhet nga AMP ka dhënë vetëm një vendim, largimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Lezhës Vehbi Bushati, i cili nuk plotësoi formularët vetëdeklarimit me rregullat e reja. Ai u mjaftua vetëm me dokumentet e plotësuara në vitin 2018 kur veting-un e kryente Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, por gjithsesi mbeti në punë pasi u emërua këshilltar në drejtorinë e përgjithshme të policisë. Burime nga AMP për “Report Tv” bëjnë me dije se edhe me këtë rikthim të procesit, administrata e veting-ut sërish po ndesh vështirësi në marrjen e përgjigjeve nga institucionet ku është kërkuar informacion i detajuar për efektivat. Të njëjtat burime thonë se institucionet neglizhojnë kthimin e përgjigjeve që kanë të bëjnë me pasurinë e zyrtarëve policorë, por edhe me informacione të tjera. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që detyroi Ministrinë e Brendshme që të kërkoj pezullimin e veting-ut nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, për ta kaluar tek AMP dhe duke kufizuar kalimin në filtër vetëm tek niveli drejtues.
Discussion about this post