Të gjitha marrëdhëniet janë të ndryshme, dhe njerëzit mund ta ndryshojnë dhe përmirësojnë sjelljen e tyre. Megjithatë, një pjesë e studimeve ka gjetur prova që mbështesin rregullin e vjetër “Ai që tradhton njëherë, tradhton gjithmonë”, kur bëhet fjalë për të qëndruar besnik në një marrëdhënie në çift.
Studiuesit nga Universiteti i Denverit në SHBA, donin të zbulonin nëse tradhtia në një marrëdhënie të mëparshme, ishte një faktor rreziku për tradhtinë në marrëdhëniet e ardhshme. Për këtë, ata shqyrtuan 484 persona në marrëdhënie romantike me gjini të përzier, të cilët i pyetën për aktivitetet e tyre seksuale jashtë marrëdhënies së tyre aktuale (nëse kishin tradhtuar apo jo), si dhe nëse dyshonin se po tradhtonin partnerët e tyre.
Më pas ata i ndoqën ata njerëz nga marrëdhëniet aktuale në marrëdhënien e tyre të radhës, për të matur nëse njerëzit që thanë se kishin tradhtuar në lidhjen e parë, vazhduan të tradhtonin në lidhjen tjetër. Studimi, i cili i ndoqi ata gjatë një periudhe 5-vjeçare, zbuloi se njerëzit që tradhtuan në lidhjen e tyre të parë, kishin 3 herë më shumë gjasa të tradhtonin partnerin e tyre të ardhshëm, sesa ata që qëndruan besnikë në një marrëdhënie.
Po ashtu, studimi zbuloi se ata që dyshonin për tradhtinë e partnerit të tyre të parë, kishin 4 herë më shumë gjasa të kishin dyshime se po i tradhtonte partneri i tyre i ardhshëm. Çuditërisht, njerëzit që e dinin me siguri se partneri i tyre i parë kishte tradhtuar, në vend që thjesht të dyshonin, kishin dy herë më shumë gjasa të raportonin se partneri i tyre i mëvonshëm gjithashtu kishte tradhtuar.
Autorët shkruan se studimi me titull “Një herë mashtrues, gjithmonë mashtrues? Tradhtia seriale në marrëdhëniet e mëvonshme”, tregoi se tradhtia në një raport të mëparshëm, ishte një faktor rreziku i rëndësishëm për tradhtinë në marrëdhënien e ardhshme.
Pra në thelb, nëse ata kanë tradhtuar më parë partnerët e tyre, kanë një probabilitet shumë më të lartë që ta bëjnë sërish. Psikologët kontrolluan për faktorët e rrezikut demografik, për gjininë dhe statusin martesor. Pra, nëse ata tradhtuan në marrëdhënien e tyre të parë me dikë me të cilin nuk ishin të martuar, kishin më shumë gjasa të tradhtonin edhe në lidhjen e dytë edhe nëse këtë herë ishin të martuar.
Autorët e studimit e pranuan se madhësia e kampionit ishte e vogël, ndaj nevojitet një studim i mëtejshëm në këtë fushë, duke përfshirë kërkime mbi lloje të tjera marrëdhëniesh sesa marrëdhëniet e përziera gjinore. Megjithatë, ata shpresojnë se studimi mund të çojë në ndërhyrje të reja për të parandaluar tradhtitë seriale në një marrëdhënie. Studimi është publikuar në “Archives of Sexual Behavior”
Discussion about this post