Të gjithë ata shtetas shqiptarë, të dënuar në Itali vite më parë dhe që janë shpallur në kërkim nga vendi fqinj përtej Adriatikut, mund t’i shpëtojnë ekstradimit. Gjykata e Lartë në Shqipëri pritet të shqyrtojë në shtator të këtij viti një situatë të veçantë, e cila mund të shmangë dërgimin si “pako postale” të shumë shqiptarëve në Itali.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë do të mblidhen për t’i dhënë përgjigje një pyetje thelbësore me natyrë proceduriale-A duhen ekstraduar në Itali shtetasit e dënuar shqiptarë, në rast se dënimi i dhënë ndaj tyre është parashkruar sipas legjislacionit të vendit tonë?
Diçitura: Gjykata e Lartë do të mbledhë Kolegjet e Bashkuara për ekstradimet në Itali
Në rast se Gjykata e Lartë do të vendosë të ndalojë ekstradimin e kësaj kategorie personash, atëherë shumë shqiptarë do të mund të qëndrojnë në liri, pa pasur frikën se policia do t’i trokasë në derë për hesapet e pambyllura në Itali.
Dilema e Gjykatës së Lartë
Në Shkurt të vitit 2022, Policia e Tiranës arrestoi 50-vjeçarin Bledar Bedini (Imami), i kërkuar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit të Milanos e ka dënuar në vitin 2009 me 7 vjet burgim për trafik narkotikësh.
Gjykata e Tiranës, në Shtator 2022, vendosi të miratojë kërkesën për ekstradimin e tij drejt Italisë. Disa muaj më vonë, në Dhjetor 2022, Gjykata e Apelit të Tiranë vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe lirimin e tij nga paraburgimi.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Prokuroria e Apelit, e cila kërkon rikthimin e tij në qeli dhe, mbi të gjitha, lejimin e ekstradimit drejt Italisë, ku duhet të vuajë dënimin prej 7 vitesh burgim.
Diçitura: Gjykata e Shkallës së Parë dhe të Apelit kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për Bledar Bedini (Imami)
Pasi ka marrë këtë ankim në dorë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur që të kërkojë qëndrimin e Kolegjeve të Bashkuara, të përbërë nga të gjithë gjyqtarët e lartë në detyrë.
Në vendimin e datës 6 Korrik 2023, anëtarët e Kolegjit Penal kanë vendosur të thërrasin Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, për t’i dhënë përgjigje dy pyetjeve:
- A duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit nga gjykatat në marrëdhëniet juridiksionale me një shtet, i cili ka vendosur rezervë ligjore në normën ndërkombëtare për moszbatimin e saj për çështjet që janë në juridiksionin e atij shteti?
2- A duhet të pranojë gjykata kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, në rast se ndjekja penale apo dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar, drejt një shteti i cili ka vendosur rezervë në normën ndërkombëtare, duke mospranuar kërkesën për ekstradim të shtetasve të tij për shkak se vepra penale ose dënimi është parashkruar sipas ligjit të atij shteti, për çështje që janë në juridiksionin e tij?
Çfarë ka ndodhur?
Në gusht të vitit 2019, përfaqësuesi i Italisë në Këshillin e Europës, ka dorëzuar një Rezervë mbi Protokollin e Katërt Shtesë të Konventës Europiane të Ekstradimeve, palë e së cilës është edhe Shqipëria e shumë shtete të tjera.
Sipas dokumentit të dorëzuar në selinë e Këshillit të Europës, Shteti Italian rezervon të drejtën që të mos ekstradojë shtetasit e saj jashtë Italisë, në disa raste, përfshirë edhe ato kur dënimi i dhënë për qytetarët e saj nga shtete të huaja është parashkruar sipas legjislacionit italian.
Konventa për Ekstradimet parashikon se “Një palë kontratuese që ka paraqitur një rezervë në respekt të një artikulli të Konvetës, nuk mund të kërkojë aplikimin e këtij artikulli nga pala tjetër”.
Diçitura: “Rezerva ligjore” e Italisë për Konventën e Ekstradimeve
Pra, më thjesht-nëse Italia ka vendosur të mos ekstradojë shtetasit e saj, kur dënimi i tyre është parashkruar sipas legjislacionit italian, ai vend nuk mund të kërkojë ekstradimin e shtetasve të huaj kur gjenden në të njëjtat kushte. Pra, në ato raste kur vendimet e dhëna nga drejtësia italiane janë parashkruar sipas legjislacionit të vendeve nga vijnë shtetasit e dënuar.
Si “përfitojnë” shqiptarët?
Numri më i madh i shtetasve shqiptarë të ekstraduar jashtë, janë ata të kërkuar nga drejtësia italiane. Referuar statistikave që ka përmbledhur Prokuroria e Përgjithshme në Raportet mbi Gjendjen e Kriminalitetit për periudhën 2018-2022, rezulton se rreth 150 shtetas shqiptarë janë ekstraduar drejt Italisë.
Diçitura: Statistika për ekstradimin e shqiptarëve drejt Italisë për vitin 2022
Kjo shifër është thuajse më e lartë se të gjithë ekstradimet e marra së bashku të shtetasve shqiptarë në vende të tjera. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të kërkuar nga autoritetet italiane janë dënuar për vepra penale që lidhen me narkotikët, kryesisht për shkelje që lidhen me shitjen dhe shpërndarjen e drogave të ndryshme.
Por, ka edhe shumë shqiptarë të dënuar për vepra më të lehta penale, si vjedhja, mashtrim, falsifikime, e të tjerë. Kodi Penal Shqiptar i dënon vepra penale për drogat në 5 deri në 15 vjet burgim. Legjislacioni penal parashikon se afati i parashkrimit për dënimi deri në këtë nivel është 10 vjet. Ndërsa, për veprat më të lehta penale, parashkrimi është 5 vjet.
Diçitura: Afatet e parashkrimit të dënimeve sipas Kodit Penal Shqiptar
Më konkretisht, nëse një person i dënuar në mungesë për shkelje të ligjit për drogat nuk arrestohet brenda 10 viteve, atëherë ai nuk e vuan dënimin e dhënë nga gjykata. Po ashtu, edhe personat e dënuar për vjedhje, falsifikime, mashtrime, e të tjerë, nëse nuk arrestohen brenda 5 viteve, ata nuk mund të vuajnë burgim.
“Sytë” nga Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë thotë se ka konstatuar që gjykatat e niveleve më të ulta ndjekin praktika të ndryshme për çështje të ngjashme. Për këtë arsye, në 28 Shtator 2023 është parashikuar të zhvillohet mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara për të standartizuar praktikën.
Më konkretisht, gjyqtarët e lartë do të vendosin nëse do të ekstradohen ose jo drejt Italisë shtetasit shqiptarë, dënimi i të cilëve në Itali është parashkruar sipas legjislacionit shqiptar.
Nëse zbatohet parimi i reciprocitetit, me shumë mundësi Gjykata e Lartë do të vendosë të aplikojë standartin e caktuar nga Italia, pra mos-ekstradimit të shqiptarëve, kur dënimet e dhënë ndaj tyre nga drejtësia italiane janë parashkruar sipas ligjit shqiptar.
Megjithatë, personat e interesuar, “çunat problematikë” që nuk janë të pakët, si edhe avokatët e tyre, janë “sy e veshë” nga vendimi që pritet të japë Gjykata e Lartë pas dy muajsh.
Discussion about this post