Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vendosi të miratojë kërkesën e SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj.
Por ajo që ndau përfaqësuesit e opozitës nga ato të mazhorancës ishte data se kur Parlamenti duhet të mblidhet për të miratuar kërkesën e SPAK.
Seanca do të vendosë të hënën (17 korrik) lidhur me miratimin ose jo të autorizimit, ndërsa deputetët demokratë kërkuan që Kuvendi të vendoste në seancën e së enjtes, pra ditën e nesërme.
Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, deputetët Ervin Salianji dhe Gazment Bardhi, deklaruan se dosja e inceneratorëve ka nxjerr zbuluar nivelin e korrupsionit në nivelet më të larta. Gazment Bardhi tha në dosje përfshihen nga Baftajr Zeqaj dhe Fadil Nasufi te Ermonela Felaj, por koka e të gjithë kësaj skeme, është Edi Rama.
“Do shikoni se nëse SPAK do të hetojë deri në fund, PS do ti krijohet një grup parlamentar në burgun 313 ose në atë të Durrësit”, tha Bardhi.
Ai u shpreh se SPAK duhet mbështetur në këtë hetim, ndërsa theksoi se avokatët në mbledhjen e Këshillit tentuan të mbrojnë klientin e tyre në aspektin njerëzor, jo sepse nuk ka prova dhe fakte në dosje.
“Me vota unanime u vendos t’i rekomandohet seancës plenare për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe kontrollin e banesës për deputetit Ahmetaj. U ndamë në kohën se kur seanca plenare duhet të miratojë këtë kërkesë.
Opozita sot depozitoi raportin e saj me shkrim, për fat të keq kolegët e mazhorancës i dhanë kohë vetes deri të premten për të dorëzuar raportin. U vendos në mënyrë arbitrare që kërkesat të shqyrtohet të hënën. Nesër do depozitojmë kërkesë për ndryshim rendi dite që prokurorisë t’i hapet rruga për të vepruar menjëherë.
Nga shqyrtimi që kam bërë unë, rezulton se në dosje përmenden po ashtu edhe Ermonela Felaj, Fadil Nasufi, Bajftjar Zeqo.
Mëshirë për ata që abuzojnë me detyrën dhe bëjnë korrupsion e shpërdorojnë besimin e shqiptarëve dhe bëhen nga të pastrehë në persona me 2-3 vila nuk do ketë kurrë. Nuk e deklaruan vendndodhjen e Ahmetajt.
Ata pohuan se kanë komunikuar me të, dhe pohuan se Ahmetaj do kthehet. Kam një lutje për personin nën hetim, të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Le të shërbejë për qytetarët që i dhanë besimin që të ishte në qeverisje”, u shpreh ai.
Ndërkohë, deputeti socialist Arben Pëllumbi tha se do ti sugjerohet Kuvendit që ti japë SPAK të drejtën e arrestimit të Arben Ahmetajt, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Duhet të përgatitet raporti dhe nuk mundeshim të kishim një raport të parapërgatitur pa dëgjuar palën mbrojtëse. Raportin do e dorëzojmë mesditën e së premtes, ndërsa u diskutua që seanca të zhvillohet ditën e hënë në orën 17:00”, tha Pëllumbi. Sipas tij, PS nuk do të bëjë avokatin e askujt.
Discussion about this post