“Atje, në atë zonë vetëm me punë miqësore i zgjidhim problemet. Nuk funksionon ligji. Nuk ka fuqi fare ligji”.
Këtë shprehu në vitin 2018 ish-oficeri i Policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, i cili nxori në skenë rasin “Xhisiela”. Një episod dhune fizike e seksuale të shkaktuar nga Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja.
Sot, 5 vjet më vonë Rrajat vazhdojnë të rrahin.
Është ora 11 e datës 6 korrik ku dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja janë ulur për të diskutuar me inxhinierin gurores që atyre po u dëmton shtëpitë. Kanë bërë dhe ankesë në zyrat e shtetit. Duan ta zgjidhin hallin sipas ligjit. Por bisedën nuk e çuan dot deri në fund, pasi pronarët e gurores, ata të fisit Rraja, nuk mendonin të njëjtën zgjidhje.
Për ta problemet, edhe pa të drejtë, zgjidhen me hunj. Shkopinj bejsbolli, shqelma e tyta armësh.
Janë 13 a 14 persona, të gjithë të fisit Rraja. Të eksituar, zbresin nga 3 automjetet e tyre luksoze. Njëri filmon e të gjithë të tjerët nisin sulmin. Gjithçka zgjat 1 minutë e 39 sekonda. Shajnë, kërcënojnë me pistoletë. Dikush thërret “bjeri”. Vazhdojnë të godasin me sa forcë kanë derisa njëri prej kushërinjve humbet ndjenjat. Por ata prapë nuk ndalojnë. 14 kundër 2 dalin fitimtarë. Ata largohen dhe shpërndajnë tek shokët videon e triumfit të tyre.
Këta janë Rrajat e Niklës që edhe të rrahin, edhe të filmojnë, edhe e shpërndajnë videon si një formë presionin për të tjerët e si një sfidë për vetë Policinë. Për atë Polici që për vite me radhë është në dijeni të bëmave të tyre, por që me mosmarrje kallëzimesh apo me tërheqje të tyre ka mbyllur gjithmonë njërin sy.
Një skenë e tillë, nuk ndodh në mesjetë, as në kohë anarkie, por ndodh sot, në vitin 2023, në Thumanë. Një fshat i Krujës, që ndodhet 24 kilometër larg Tiranës.
Atje është një fis që sundon. Prej vitesh ata nuk i prek njeri. Ligji shkelet pa të keq e në mënyrë demostrative dhe në ndonjë rast. Dikush prej tyre merr një dënim simbolik e rikthehet në liri edhe më fuqishëm se më parë.
Ata përbëjnë një miksim aktivitetesh të ligjshme e të paligjshme. Poltikë, drogë, dhunë dhe gurore. Një panoramë sa qesharake aq edhe e frikshme e tranzicionit që nuk po mbaron.
Ndërsa ai që i ka përfaqësuar prej 20 vitesh është Rrahman Rraja. Deputet i dy legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë, që dha dorëheqjen vetëm pasi vëllezërit e djali i tij pushtuan ekranet e televizioneve duke rrahur brutalisht dy kushërinj që ishin ankuar për punimet në guroren e tyre.
Deri në vitin 2018, kur djali i tij u denoncua për herë të parë në media si dhunues, askush nuk ia kishte dëgjuar zërin Rrahman Rrajës. Nuk kishte folur një herë të vetme në Kuvend. E megjithatë u bë i famshëm.
Famën e mori, jo nga ndonjë fjalim mbresëlënës për të mirën e komunitetit të Niklës që ai përfaqësonte, por kur i biri dhunoi ish-të dashurën dhe më pas e detyroi të mohonte publikisht dhunën.
Kur nipi i tij dhunoi brutalisht një grua para QSUT-së. Kur kushëriri i tij u arrestua për atentatin ndaj një prokurori. Kur nipi doli në përgjimet belge si pjesë e një rrjeti droge. U bë i famshëm për ligjet që shkelnin njerëzit e tij.
Ndërsa vëllai i tij, Xhelal Rraja, që sot është në kërkim bashkë vëllain tjetër e djalin e Rrahmanit, që mban emrin e babait të tyre, pak muaj më parë guxonte të fyente e të kërcënonte drejtorin e Policisë Kriminale. E këtë kërcënim e bënte para derës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në sy të gjithë shqiptarëve, kur i ishin drejtuar mikrofonat e të gjitha televizioneve.
Xhelal Rraja duket se është ideatori i çdo sulmi, që falë mbështetjes që i jepte detyra e të vëllait 3 vjet më të vogël, herë në Komunën e Niklës, herë në Bashkinë e Krujës e më pas në Parlament, kishte arritur t’i shpëtonte prangave, ashtu siç ndodhi edhe këtë herë.
Rrahman Rrahja, tashmë ish-deputet i Partisë Socialiste në Krujë, shënon në CV që ka mbaruar shkollën e mesme Bujqësore në vitin 1980. Ndërsa të lartën ai e ka filluar 23 vite më vonë, në vitin 2003. Ndërkohë nga viti 2000 deri në vitin 2003, ai ka qenë kryetar i Këshillit të Komunës së Niklës, vetëm me shkollë të mesme. E në kohën që u emërua kryetar i kësaj komune, Rraja filloi edhe studimet e larta. Ai u diplomua në vitin 2007 për Inxhinieri Agrare, ndërsa kryetar Komune qëndroi deri në vitin 2015.
Pra, prej 20 vitesh që Rraja ka qenë në pushtet, familja e tij ka vijuar aktivitetin e ligjshëm e të paligjshëm. Herë fshehurazi e herë të ekspozuar. Aktivtitet që i përshiu në gjithçka. Nga njëra anë hoteleria, klinikat dentare e gurorja, nga ana tjetër dhuna, droga, e vrasjet.
1 Maj 2016
Ekzekutohet Elton Çiça, ishte ne shoqërinë e Redjan Rrajës
Rreth orës 22:00 të datës1 maj 2016, Policia e Tiranës është njoftuar se në rrugën “Gjin Bua Shpata”, afër shkollës “Emin Duraku”, në mjediset e një bari ka ndodhur një vrasje. Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje. Viktima është identifikuar si Elton Çiça, 36 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë.
Viktima dyshohej si autor ose porositës i një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, të ndodhura si hakmarrje për ngjarjen e datës 30 mars 2015, kur disa persona të maskuar hynë në banesën e prindërve të tij në Tepelenë dhe pasi i dhunuan pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre grabitën 5 mijë euro. Çiça u dyshua si autor i:
Vrasjes me armë zjarri të Robert Ramës, ngjarje e ndodhur më 8 qershor 2015 në Durrës. Shperthimit të eksplozivit në makinën e Elton Imerit, vëllai i Ervis Imerit, ngjarje e ndodhur më 7 dhjetor 2015, në Kombinat, si pasojë e të cilës drejtuesi i mjetit mbeti i gjymtuar, duke humbur njërën këmbë.
Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Elton Çiçës, Policia ka njoftuar prokurorin se nga pamjet filmike del që një person, i cili ka qenë në tryezë me viktimën, i quajturi Redjan Rraja, ka marrë një send në vendngjarje, siç del nga pamjet filmike. Ky send mendohej të ishte pistoletë dhe mund t’i ketë qenë e viktimës. Pra, sipas Policisë ka ndodhur krimi “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Personi nën hetim Redjan Rraja ka dhënë shpjegime kontradiktore para punonjësit të policisë gjyqësore, ku në procesverbalin e datës 1 maj 2016 mohon të ketë marrë ndonjë send të viktimës, ndërsa të nesërmen, më 2 maj ai pranon se ka marrë një pistoletë, të cilën e ka hedhur më pas në tokë afër tavolinës ku u vra Eltoni.
Redjan Rraja, aktualisht 38 vjeç, me profesion stomatolog, u dënua me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në lidhje me vrasjen e mikut të tij, Elton Çiçë.
Rraja u akuzua se kishte fshehur armën që mbante viktima Çiçë, si dhe telefonin, për të fshehur informacione të tjera.
Babai i ish-deputetit Rrahman Rrajës, Rexhepi, me gjyshin e Redjan Rrajës janë vëllezër nga babai.
30 Korrik 2018
Xhisiela Maloku kallëzon djalin e deputetit Rraja
Në deklarimin që ka dhënë para oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu, më datë 30 korrik të vitit 2018, Xhisiela Maloku tregonte me detaje episodet e dhunës, përndjekjes dhe kërcënimeve nga ana e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit Rrahman Rraja. Gjithashtu ajo shpjegonte edhe arsyet pse në disa raste ishte detyruar nën presionin e dhunës, kërcënimeve verbale dhe me armë në kokë, që të tërhiqet në momentet e fundit, sa herë që ka shkuar për të bërë kallëzim në disa komisariate policie. Xhisiela Maloku ka shpjeguar edhe arsyen pse i ishte drejtuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, sërish për të bërë kallëzim, edhe pse edhe në atë rast sërish ishte kërcënuar. Madje gjatë gjithë kohës që ishte aty, ajo tregon se Rexhep Rraja e ka mbajtur pistoletën në brez. Sipas saj, tek SHÇBA është paraqitur pasi është kërcënuar me jetë në zyrën e oficerit Gentjan Çitozi, ku kishte shkuar për të denoncuar Rexhep Rrajën, nga ky i fundit, babai i tij dhe 3 persona të tjerë, të afërm të tij. Madje e kanë detyruar që të dilte nga zyra, edhe pse ajo thoshte që nuk guxonte të dilte, sepse disa persona të tjerë ia bënin me shenje se do ta vrisnin në rast se nuk e tërhiqte kallëzimin. E pasi është detyruar të dalë, e kanë çuar tek makina dhe e kanë goditur me grushte në bark e i kanë vënë pistoletën në kokë.
Xhisiela Maloku: “Unë nuk e mbaj mend kur më ka goditur për herë të parë shtetasi i lartpërmendur, por mbaj mend herën e fundit që ndodhi më datën 19.07.2018. Dhe dua të shpjegoj së më këtë datë më kishte parë në rrugë dhe më mori në telefon e më tha: ‘Hajde më tako se dua të sqarohemi’. Unë shkova e takova tek puna e tij, në rrugën Fushë-Krujë – Vorë, përballë hotel ‘Boçi’. Filloi të ulërinte me fjalë dhe më kapi për flokësh. Unë ndenja me të në hotel rreth një orë. Gjatë kohës që ndenjëm në hotel më gjuajti me shpulla, me grushte dhe më drejtoi pistoletën. Më dogji me cigare në kofshë dhe më goditi në pjesën e kokës me pistoletë. Mua më ra të fikët dhe u përmenda më vonë”.
Shenjat e dhunës, e djegura me cigare dhe të gjitha detajet janë shkruar në këtë raport të mjekësisë ligjore. Megjithatë Xhisiela Maloku është tërhequr nga denoncimi. Dhe jo vetëm një herë.
Xhisiela Maloku: “Unë e tërhoqa sepse shtetasi Rexhep Rraja më kërcënoi se do më vriste. Ata janë fis kriminelësh, rrinë gjithmonë me pistoletë. Unë nuk e kam babanë, më është vrarë në vitin 1997. Jetoj me mamin dhe motrën. Nga fillimi i vitit 2018, unë kam shkuar në Komisariat e Krujës për të bërë kallëzim, po nuk e kam bërë. Kam firmosur një deklaratë tek inspektori i zonës, shtetasi Sabri Dani. Këtë deklaratë e ka firmosur edhe motra ime A. Maloku. Tek deklarata kemi shkruar se nuk kemi probleme dhe i kemi sqaruar konfliktet. Aty më doli një person tullac dhe mu prezantua si shefi i madh dhe më tha: ‘Ai që të do të rreh’. Atë ditë më kishte rrahur shumë Rexhepi. Mbaj mend që isha bërë me gjak. Dua të shpjegoj që kallëzimi i radhës është ai i datës 21.07.2018, në Komisariatin numër 3 në Tiranë. Këtë radhë nuk kam firmosur deklarata që i kam zgjidhur problemet, por kam kallëzuar për përndjekje shtetasin Rexhep Rraja”.
Faktin se përse kishte bërë kallëzim në Komisariatet e Tiranës, Xhisiela e argumentonte me shpjegimet se në Krujë nuk ia merrnin kallëzimin.
Xhisiela Maloku: “Unë nuk erdha tek Komisariati Policisë Krujë se kam ardhur më parë dhe nuk ma ka marrë njeri kallëzimin dhe tek Komisariati nr.3 në Tiranë shkova një herë më datë 20.07.2018, një ditë pasi ndodhi ngjarja por nuk ka mori njeri kallëzimin, se aty erdhi me të shpejtë shtetasi Rexhep Rraja, Redjan Rraja, Xhelaj Rraja, dhe babai i Rexhepit që është deputeti Rrahman Rraja, ky i fundit e rregulloi me policët që unë të mos jepja kallëzim”.
Pas një zhurme të madhe mediatike që nisi 27 shtatorin e vitit 2018, ndodhi që Rexhep Rraja u arrestua 3 ditë më vonë. I riu, i denoncuar që prej muajit korrik nga ish-e dashura e tij, Xhisiela Maloku, u arrestua nga Policia e Krujës dhe forcat operacionale të Durrësit, në biznesin e tij familjar që ndodhet në rrugën Prezë-Ahmetaq. Ai u prangos në zbatim të një mase sigurie “arrest me burg”, të vendosur në mungesë nga ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, me kërkesë të prokurores, Mirela Kapo. Ndonëse nga të gjitha dokumentet e bëra publike në media, kallëzim, akte ekspertimi, por edhe heqje dorë nga kallëzimi, përmenden të paktën 4 vepra penale që mund të kishin rënduar edhe më tepër pozitat e tij, arrestimi është kryer vetëm për një vepër penale. Atë të përndjekjes.
Policia e Shtetit: “Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189, datë 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë. Ai akuzohet për veprën penale ‘Përndjekje’ parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme”, thuhet zyrtarisht nga Policia.
Pas arrestimit, Rexhep Rraja mohoi akuzat duke pretenduar se gjithçka ishte sajesë e ish-të dashurës së tij. E gjatë kohës që ai ndodhej në burg, në tetor të atij viti, në shtëpinë e Xhisiela Malokut shpërtheu një sasi tritoli.
Rexhep Rraja qëndroi në burg vetëm tre muaj. Në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e dënoi me një vit shërbim, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar një vit burg.
3 Gusht 2019
Ramazan Rraja procedohet se dhunoi një grua para QSUT
Kur kishte kaluar një vit nga denoncimi i Xhisiela Malokut, arrestimi e më pas lirimi i Rexhep Rrajës, një tjetër rast dhune u publikua në media. Kësaj herë bëhej fjalë për nipin e deputetit Rrahman Rraja, shtetasin Ramazan Rraja.
Më 31 korrik të vitit 2019, në media dhe në rrjetet sociale u publikua një video ku një i ri dhunonte në oborrin e spitalit “Nënë Tereza” një grua, në prezencë të punonjësve të Policisë. Policia reagoi tri ditë më pas, më 31 gusht. Përmes një deklarate të shpërndarë mediave, policia thoshte se ngjarja në fjalë kishte ndodhur në datë 31 korrik 2019, rreth orës 07:30 minuta. Shërbimet policore shoqëruan në Komisariat shtetasin Ramazan Rraja dhe e kanë proceduar penalisht.
Ndërsa në njoftim thuhej se ishin pezulluar nga detyra edhe efektiven e policisë që shfaqeshin në video duke qëndruar indiferentë kur ky person dhunonte gruan.
5 Nëntor 2019
Arrestohet Redjan Rraja, akuzohet për atentatin ndaj prokurorit
Redjan Rraja, kushëri i deputetit të Krujës, u arrestua më 5 nëntor të vitit 2019, si një nga tre personat që ndodheshin në automjetin që qëlloi në drejtim të prokurorit Arian Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë dhe Aleksandër Lahos.
Rraja, ish-stomatolog i Burgut të Fushë-Krujës, që rezulton i pajisur edhe me dokumente kanadeze, është ndaluar në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Burimet thanë se fillimisht është bërë një kontroll i banesës së tij në Nikël të Fushë-Krujës, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, më pas ai është ndaluar në Portin e Durrësit. Pasi është mbajtur disa orë i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij, si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja.
Më 31 maj 2023, SPAK kërkoi burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën. Të akuzuarit për atentatin kundër prokurorit Arjan Ndoja , mungonin në sallën e gjykatës. E megjithatë për shkak se ishin të pranishëm avokatët e tyre, SPAK shpalli konkluzionet dhe kërkoi burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën dhe 35 vite burgim për Arjol Halilin. Stomatologu Rraja, 38 vjeç akuzohet si njëri nga dy ekzekutorët që qëlluan me breshëri në drejtim të automjetit në të cilin po udhëtonte prokurori Ndoja, dhe Pëllumb Muharremi të cilët konsiderohen nga hetimet e deritanishme si shënjestra të atentati. Si provë kundër Rrajës SPAK deklaroi ADN-në e përftuar nga një gjurmë papilare të lënë në syzet e harruara në mjetin e braktisur nga vrasësit.
21 Dhjetor 2020
Operacion ndërkombëtar antidrogë, arrestohet Ramazan Rraja
Më 21 dhjetor të vitit 2020, Policia gjermane dhe belge kanë koordinuar operacionin për një goditje të gjerë kundër trafikut të kokainës në Europë. 70 persona u arrestuan. Njeri nga të arrestuarit ishte një shqiptar 34-vjeçar dhe një tjetër nga Letonia. Ndërsa 17 persona ishin arrestuan më herët në Bruksel dhe Antwerp nën dyshimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Sipas Policisë shqiptare, finalizimi i operacionit të u kodua “ATOS”, ishte vijim i hetimeve të vitit 2018, nga strukturat hetimore antidrogë të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u).
Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
U kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, shtetasit: Musa Gjikola, Genti Balliu alias Flamur Balliu, Ramazan Rraja, dhe Fioralb Rraja, banues në Nikël, Fushë Krujë; Bledar Pepaj, Fatmir Xheçuka, etj. Pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.
Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.
Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontejnerët e bananeve nga Amerika Latine. Në këtë megaoperacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Më 28 shkurt të vitit 2023 gjykata në Belgjikë vendosi dënimin me 12 vjet burg të Ramazan Rrajës. Ai u shpall fajtor nga trupi gjykues për trafik kokaine, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e kishte cilësuar këtë grup kriminal si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.
Falë pajisjeve të përgjimit që kishin vendosur, u zbulua se organizata mund të kishte lidhje me tre grupe kokaine. Hetuesit kanë mundur të përgjojnë bisedat telefonike, ku Rraja fliste me kreun e grupit, njëherazi dhe bashkëpunëtori i tij i quajtur Kaspars për një kontejner me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana dhe kishte kaluar në mënyrë të sigurt.
20 Korrik 2022
Policia kërkon dëshminë e Ramazan Rrajës për vrasjen e nipit të Ervis Martinajt
Mesditën e 17 korrikut të vitit 2022, tre të rinj mbetën të vrarë në një atentat të frikshëm që ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës. Makinës ku ata ndodheshin, pasi u sharrua nga plumbat, iu vu dhe flaka. Një prej viktimave ishte Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të Ervis Martinajt. Ndërsa dy të tjetër, miqtë e Brilantit, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Autorët kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi. Për ngjarjen u shoqëruar dhjetëra persona, të cilët edhe pse u pyetën në lidhje me këtë ngjarje, si persona që mund të kishin dijeni, Prokuroria nuk mundi të provonte asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë.
Mes emrave që kërkonte organi i akuzës për t’u pyetur ishte edhe Ramazan Rraja. Por në momentin që ky lajm doli në media, erdhi dhe reagimi i Rrajës, i cili pretendonte se ndodhej jashtë Shqipërisë dhe se Policia po e sulmonte qëllimisht. Në muajin tetor, pasi është kthyer nga jashtë është paraqitur vetë në Polici dhe pasi është marrë në pyetje është lënë i lirë.
15 Nëntor 2022
Policia ndalon djalin dhe nipin e deputetit Rrahman Rraja
Policia e Shtetit, më 15 nëntor të vitit 2022 ndaloi në Kodër – Kashar, Ramazan Rrajën dhe Rexhep Rrajën, përkatësisht nipi dhe djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja. Ata u ndaluan teksa lëviznin me mjete të blinduara, ndërsa lidhur me këtë fakt një reagim ka ardhur edhe nga babai i Ramazan Rrajës, Xhelal Rraja i cili ka mohuar që djali i tij të jetë në kërkim.
Ai hodhi akuza mbi Policinë se ndaj tij po kryhen sulme personale. Ndër të tjera ka theksuar se për mjetin e blinduar ka autorizim dhe e përdor vetë personalisht.
19 Prill 2023
Ramazan Rraja arrestohet për atentatin ndaj prokurorit Ndoja
Më 19 prill Ramazan Rraja u arrestua nga Policia në afërsi të Urës së Gjolës. Ai ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim gjykate për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Gjatë kontrollit që iu bë, Rrajës i është gjetur dhe një pistoletë që e mbante pa leje.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
Më 12 korrik, Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për ndryshim të masës së sigurisë dhe ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg”. Ai kërkoi lirimin nga qelia me argumentin se ka probleme shëndetësore, por kërkesa u refuzua. Rraja akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
6 korrik 2023
Anëtarë të fisit Rraja rrahin brutalisht dy kushërinjtë Maja
Më 7 korrik një video e publikuar fillimisht në rrjetet sociale, shkaktoi frikë, zhurmë e më pas edhe një serë qëndrimesh, arrestimesh e shkarkimesh.
Dy nga personat që ushtronin dhunë ishin Xhelal dhe Përparim Rraja, vëllezër të deputetit Rrahman Rraja. Me shkopinj e armë ndër duar bashkë me persona të tjerë ata kanë sulmuar kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja. Ndaj tyre është goditur disa herë derisa njëri prej tyre Bilbil Maja humbi ndjenjat për shkak të dhunës fizike.
Madje Xhelal Rraja nuk mjaftohet, por i vendos edhe armën në kokë Bilbilit. Ngjarja ndodhi më 6 korrik në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë. Shkak për konfliktin ka qenë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi Përparim Rrajës, i cili kishte leje shfrytëzimi dhe licensë.
Për ngjarjen u arrestuan 4 persona, Ineid dhe Andi Rraja, Eni Kullaj dhe Kujtim Përdaku. Njëri prej vellezërve të ish-deputetit socialsit, Përparim Rraja bashkë me 7 persona të tjerë u shoqëruan në Polici një ditë pas ngjarjes ndërsa vëllai tjetër që shihet me armë në dorë Xhelali, mbetet në kërkim. Ndërsa më vonë, u shpall në kërkim edhe djali i Rrahman Rrajës, Rexhepi.
Pak ditë pas dhunës barbare në Borizanë të Fushë-Krujës, autoritetet kanë vendosur të bllokojnë aktivitetin e subjektit të gurores “Delia Group”, në pronësi në Përparim Rrajës. Ky vendim u mor pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
Gjithashtu, u bë këqyrja nga afër e nëntë banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.
Kjo ngjarje solli shumë zhvillime të tjera. Kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçin, ndërsa Rrahman Rraja hoqi dorë nga mandati i deputetit. Ndërsa e gjithë trupa e nivelit zbatues e drejtues në Policinë e Krujës u vendos që të zëvendesohet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ngarkoi me detyrë të posaçme për rendin dhe sigurinë në këtë zonë, drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Jashar dhe Bilbil Maja janë dy të plagosurit nga dhuna brutale që ndodhi paraditen e 6 korrikut në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë. Jashar Maja ka treguar ngjarjen dhe gjendjen shëndetësore të djalit të xhaxhait të tij, Bilbil Majës.
Pas dhunës së ushtruar nga djali i tij dhe vëllezërit ndaj dy kushërinjve Maja në Krujë, deputeti socialist Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqje.Përmes një reagimi për mediat, deputeti Rraja ka kërkuar ndjesë publike lidhur me ngjarjen.
Rrahman Rraja: “Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike”.
Për ta çuar më tej ndjesën e tij ai në deklaratën publike i bën një thirrje edhe të birit, Rexhepit, që është në kërkim nga Policia që të dorëzohet dhe u kërkon ndjesë kushërinjve të dhunuar.
Rrahman Rraja: “I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jete që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjese edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”.
Edhe pse me vonesë, duket se pas kësaj ngjarje nisi një lloj reformimi në Krujë. E megjithatë organizatorët kryesorë vijojnë të shmangin përballjen me drejtësinë. Policia duket se është në pritje të dorëzimit të tyre, më shumë se sa në kërkim për t’i arrestuar. Megjithatë edhe kjo është një taktikë e vlefshme.
“Atje, në atë zonë vetëm me punë miqësore i zgjidhim problemet. Nuk funksionon ligji. Nuk ka fuqi fare ligji”….
Por nëse fisi që sundon Niklën prej kaq vitesh do bindet për të zbatuar ligjin në vijimësi mbetet për t’u parë./abcnews.al
Discussion about this post